“Po talleni me mua, apo çfarë? Nuk mund ta ekstradoj Milan Radoiçiqin në Prishtinë, sepse ne nuk e njohim Kosovën”, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një intervistë për Sky News.
I pyetur për përfshirjen e Beogradit në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, dhe për akuzat e Kosovë se Beogradi i ka planifikuar ngjarjet në Banjskë dhe i ka ofruar armë grupit terrorist, si dhe për fotografitë e publikuara nga Policia e Kosovës, të cilat tregojnë se shumica e armëve të konfiskuara janë prodhuar në Serbi, presidenti i Serbisë thotë se është gjithmonë më e lehtë të akuzosh Beogradin,.
“Kush do të besojë se në fakt është ndryshe? Pothuajse askush”, tha Vuçiqi në këtë intervistë.
Duke folur për Milan Radoiçiqin, i cili ka pranuar të ketë qenë lider i grupit terrorist, Vuçiqi ka dhënë detaje të reja se si i ka siguruar armët, duke iu referuar deklaratës së Radoiçiqit.
“Personi që u mor në pyetje në procedurën paraprake tha se ka blerë diçka në Serbi, diçka në Kroaci, diçka në BeH. Le ta verifikojmë tani”, tha Vuçiqi për Sky news, duke iu referuar Radoiçiqit.
I pyetur nëse Radoiçiq ka qenë aleati i tij i ngushtë, Vuçiqi është përgjigjur pozitivisht: “Nuk ka dyshim, ai ka qenë nënkryetar i Listës Serbe”.
Megjithatë, ai nuk mund të thotë se ishte shoku i tij. “Ai u akuzua. Ishte një shkelje e madhe, shumë e madhe penale”, theksoi Vuçiq.
I pyetur se pse nuk e ekstradon Radoiçiqin në Prishtinë, Vuçiq përgjigjet me pyetjen: “Po talleni me mua, apo çfarë?”.
“Po ju pyes sepse e dini se ne nuk mund të ekstradojmë askënd në Prishtinë, sepse nuk e njohim Kosovën si shtet”, tha Vuçiq.
Ai theksoi se agresioni që iu bë shtetit të Kosovës “është një krim i rëndë”.
Duke folur për grupin e serbëve që u përleshën me policinë e Kosovës në Banjskë, Vuçiqi thekson se “ata njerëz kryesisht janë përzënë nga pragu i shtëpisë së tyre”.
I pyetur nëse ka simpati për këta njerëz, Vuçiqi thotë se nuk ka dhe se e dënon vrasjen e një polici. Megjithatë, ai shton se ndryshe nga Kosova, e cila e ka cilësuar sulmin si terrorist dhe rrjedhimisht edhe pjesëtarët e grupit si terroristë, ai nuk mund t’i përshkruajë kështu “njerëzit që kanë jetuar atje dhe kanë dashur të kthehen”.
I pyetur se pse nuk i normalizon marrëdhëniet me Kosovën, Vuçiqi tha se “Serbia po bën gjithçka dhe është konstruktive dhe se kështu ka qenë edhe në takimin e fundit në Bruksel, duke pranuar të gjitha propozimet” e Borrellit e Lajçakut.
“Pala tjetër nuk ka dashur të bëjë asgjë lidhur me Asociacionin e Komunave (me shumicë, shën.red.) Serbe, i cili është nënshkruar para 10 vitesh dhe nuk kanë dashur të lëvizin në atë drejtim. Ata gjithmonë kërkonin vetëm njohje dhe asgjë tjetër”, tha Vuçiqi.
Ai shtoi se nuk do të kishte policë shqiptarë në veri të Kosovës nëse do të respektohej Marrëveshja e Brukselit.
“Duhet të kishte serbë me uniformën e Policisë së Kosovës, sipas nenit 9 të Marrëveshjes së Brukselit”, tha Vuçiqi për Sky News.
Presidenti serb fajësoi sërish kryeministrin Albin Kurti për situatën në veri. “Por e di se askush nuk do të dëgjojë këtë”, thotë ai./kk
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës