Vuçiq u bën thirrje serbëve në Kosovë që të mos hyjnë në konflikte me NATO-n

21:23 | 29 Maj 2023
Orgesa Haziri

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u bëri thirrje qytetarëve serbë në veri të Kosovës që të mos hyjnë në konflikt me NATO-n.

Ai bëri thirrje për protesta paqësore.

Vuçiq iu drejtua publikut të hënën në mbrëmje, më 29 maj, pasi KFOR-i ndërhyri për të shpërndarë demonstruesit serbë të mbledhur para ndërtesës së Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës. Grupe të serbëve protestuan në komunat e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në veri të Kosovës, duke kundërshtuar kryetarët e rinj të nacionalitetit shqiptar në komunat me shumicë serbe.

Vuçiq tha se të martën në mëngjes, më 30 maj, do të zhvillojë një takim me përfaqësuesit e shteteve të QUINT-it.

Ai, gjithashtu, deklaroi se gjatë ditës ka folur me “amerikanë, gjermanë dhe evropianë”.

Vuçiq tha se gjatë intervenimit të KFOR-it janë lënduar 52 serbë, prej të cilëve, sipas tij, tre kanë pësuar lëndime të rënda.

Policia e Kosovës ka raportuar se janë arrestuar pesë persona të dyshuar për sulmet dhe dhunën ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan në veri të Kosovës.

Presidenti i Serbisë përsëriti se Serbia është në favor të ruajtjes së paqes.

“Nëse pushtuesi shqiptar qëllon, atëherë situata do të jetë ndryshe”, tha ai.

Kur të premten, më 26 maj, kur Policia e Kosovës ndihmoi kryetarët e sapozgjedhur të komunave për të hyrë në ndërtesat komunale, Vuçiq dha urdhër për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.

“Ne kemi dislokuar forcat tona në vende ku mendoj se është e nevojshme”, tha ai.

Tensionet u rindezën në komunat veriore të Kosovës pasi kryetarët e dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit – të gjithë shqiptarë – u kundërshtuan nga serbët lokalë.

Më 26 maj, pesë policë u lënduan gjatë përleshjeve me protestuesit serbë të cilët hodhën gurë në drejtim të tyre. Policia u kundërpërgjigj me shok-bomba dhe me gaz lotsjellës.

Krerët e mëparshëm të katër komunave në veri, Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, të banuara me shumicë serbe, ishin nga Lista Serbe. Por, ata u dorëhoqën në nëntor të vitit të kaluar, në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave në targa RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet e 23 prillit u bojkotuan nga Lista Serbe dhe nga popullata shumicë serbe në veri, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./REL/

Të ngjashme