Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se tha rundi i ardhshëm i dialogut me Kosovën “nuk do të jetë i lehtë”, porse, sipas tij, është e rëndësishme që të dyja palët të bisedojnë, për të ulur tensionet dhe për të garantuar sigurinë e serbëve në Kosovë.
Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 15 qershor, në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, njoftoi të mërkurën zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Vuçiq tha se do të udhëtojë në Bruksel të hënën, një ditë para fillimit të dialogut, për të mbajtur disa takime dhe darka pune.
“Ata [v.j. zyrtarët e Kosovës] vijnë për të bërë shfaqje, ndërsa ne jemi të përkushtuar për dialog”, tha Vuçiq, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.
Procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi ka ngecur vjeshtën e vitit të kaluar, kur pala serbe ka hapur çështjen e zbatimit të marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Përpara konfirmimit të datës për rinisjen e dialogut, zyrtarët e të dyja palëve kanë dhënë deklarata kontradiktore në lidhje me këtë Asociacion.
Kurti ka thënë se nuk mund të formohet asnjë asociacion njëetnik, ndërsa Vuçiq ka thënë se Kurti nuk ka nevojë të shkojë në Bruksel, nëse nuk dëshiron të bisedojë për formimin e Asociacionit.
Vuçiq përsëriti të enjten: “Nëse mendoni të vini për gjërat për të cilat po flisni, nuk keni pse të udhëtoni”.
Me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është paraparë formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.
Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.
Burimi i përlotur lë shtëpinë, momenti që preku të gjithë
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...