Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha të mërkurën pas një takimi në Beograd me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se kthimi në dialog dhe normalizimi i marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje ekziston përmes zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit, duke përmendur themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Lajçak, në anën tjetër, tha se pati bisedë të “hapur” me liderin serb për gjendjen e tanishme të dialogut dhe se “u pajtuam për hapat e radhës për periudhën që po vjen”.
Vuçiq shkroi në Instagram se BE-ja, si ndërmjetës në dialog, do ta ketë “një partner serioz dhe të përgjegjshëm në Serbi, dhe për popullin tonë në Kosovë, ne jemi mbështetës të pakompromis”.
Ai shtoi se bisedoi me Lajçakun edhe “për kushtet pothuajse të pamundura për jetë të popullsisë serbe, të shkaktuara nga trysnia e vazhdueshme dhe arbitrariteti i autoriteteve në Prishtinë”.
Vitin e kaluar, Prishtina dhe Beogradi pranuan Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve, që u bë e njohur si Marrëveshja e Ohrit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, megjithatë, këmbëngul që marrëveshja të nënshkruhet para fillimit të zbatimit, ndërsa Serbia i ka tërhequr tashmë “vijat e kuqe”, duke deklaruar se “nuk do ta pranojë kurrë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.
Sipas BE-së, marrëveshja është ligjërisht e detyrueshme për të dyja palët edhe pse nuk është nënshkruar.
Kosova, në anën tjetër, ka marrë përsipër që t’i japë komunitetit serb një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, që në praktikë nënkupton formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Lajçaku ishte për vizitë në Beograd, një ditë pasi qëndroi në Prishtinë, ku u takua me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi. Me Kurtin, i cili e udhëheq dialogun në nivel politik, nuk u takua, për shkak të, siç u tha, udhëtimit të tij jashtë vendit./rel/
Në një fesitval golash, Liverpooli triumfon derbin në udhëti...
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League