Google ADS

Vuçiq premton 200 euro për serbët e papunë në Kosovë, 100 euro për fëmijët – dhe ndërtimin e rrugës Jarinje-Mitrovicë

15:22 | 26 Shkurt 2021
V. S.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi se qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë do të marrin ndihmë të veçantë financiare – të papunëve nga 200 euro, dhe të punësuarve si dhe secilit fëmijë nga 100 euro.

Sipas mediave serbe, gjatë takimit në Kurshumli, Vuçiq informoi “përfaqësuesit e serbëve” nga Kosova për situatën para mbërritjes së Përfaqësuesit Special të BE-së për Dialog, Miroslav Lajçak, dhe njoftoi se Serbia do të ndihmonte në mënyrë të konsiderueshme popullin serb në Kosovë dhe do të vazhdonte investimet në projekte të rëndësishme.

“Marrëveshja me Zyrën për Kosovë është të dërgojë ndihmë të veçantë financiare – veçanërisht ata 12,000-14,000 të cilët janë të papunë”, citohet të ketë thënë Vuçiq pas takimit.

Kështu, të gjithë të papunët mund të presin ndihmë nga shteti i Serbisë prej 200 eurosh, ka bërë të ditur Vuçiq.

“Por ne gjithashtu do të sigurojmë 100 euro ndihmë për çdo fëmijë që jeton në Kosovë, si dhe për çdo person”, citohet të ketë thënë më tej presidenti i Serbisë.

Por presidenti serb nuk është ndalur me kaq, sa i përket premtimeve për serbët në Kosovë.

Përveç dy qendrave të mëdha klinike-spitalore në Mitrovicë në Graçanicë, ai ka njoftuar se do të ndërtohej rruga kryesore nga Jarinje në Mitrovicë, duke shtuar se bëhet fjalë për një rrugë që është rreth 53-54 kilometra.

“Do të bëhet si një pistë, gjashtë metra e gjerë, me trotuare, kanale…”, shpjegoi Vuçiq. /Telegrafi/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme