Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se heqja e masave të reciprocitetit krijoi hapësirë për dialogun me Kosovën. Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ai tha se po e pret ardhjen e përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, Mirosllav Lajçak, në Beograd dhe Prishtinë pas zgjedhjeve të 21 qershorit në Serbi. Vuçiq po ashtu tha se ka hequr dorë, nga siç u shpreh ai, nismat e mëdha për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe është duke pritur propozimin.
Radio Evropa e Lirë: Le të fillojmë me ndodhinë e së shtunës. Qeveria e Kosovës hoqi masat kundër Serbisë. Si do të ndikojë kjo në dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?
Aleksandar Vuçiq: Kjo gjë e hapë mundësinë që ne të fillojmë bisedimet, nëse ajo masë mbetet për më shumë se disa ditë dhe besoj se nuk është çështje përndjekjeje dhe rivaliteti në mes të dy palëve, por një çështje thelbësore, çështje e lëvizjes së lirë të mallrave, shërbimeve, njerëzve dhe kapitalit, një nga liritë më të rëndësishme të botës moderne, dhe besoj se do të ketë një efekt të mirë në ekonominë e Beogradit dhe Prishtinës, do të ketë një efekt të mirë te njerëzit. Pra, jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët, kjo do të krijojë një lloj kornize në mënyrë që komunitetet tona të biznesit të mund të bashkëpunojnë më mirë. Sigurisht, kjo do të hapë mundësinë e dialogut politik në mes nesh.
Radio Evropa e Lirë: Kur pritet të fillojë dialogu? Zoti (Mirosllav) Lajçak ka përmendur muajin qershor?
Aleksandar Vuçiq: Pas zgjedhjeve (në Serbi) unë pres vizitën e zotit Lajçak edhe në Beograd edhe në Prishtinë. Pastaj, do të shohim se si do të vazhdojmë.
Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se nuk do të shkojë në Bruksel. Si e kuptuat këtë mesazh?
Aleksandar Vuçiq: Ato janë punë të brendshme të tyre. Dikush dëshiron të thotë se duan të dëgjojnë vetëm amerikanët, jo evropianët dhe në anën tjetër kemi të tjerë të cilët thonë se janë të hapur për evropianët, kështu që të gjithë thonë gjëra të ndryshme. Dhe mos harroni, ata janë fëmijë të amerikanëve dhe gjermanëve dhe të gjithë atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës. Çfarëdo që të bëjnë, për ta gjithmonë do të ketë lëshime dhe vullnet të mirë nga ana e atyre që krijuan pavarësinë e Kosovës, ata do t’i ndihmojnë. Ne nuk jemi në atë situatë, nuk mund të shmangemi nga bisedimet.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni rolin e Amerikës dhe atë të BE-së kur bëhet fjalë për dialogun në mes të Serbisë dhe Kosovës?
Aleksandar Vuçiq: Pa marrë parasysh se si e shoh unë apo çfarëdo që mendoj për të, do të pajtoheni se nuk është e logjikshme për mua të flas publikisht sepse është… ne jemi në rrugën evropiane dhe nga ana tjetër Amerika është fuqia më e madhe në botë, dhe tani ju prisni nga unë që të kundërshtoj njërën ose tjetrën. Ne jemi shumë të vegjël për të qenë në gjendje të bëjmë një gjë të tillë dhe të kemi të drejtë ta vendosim Serbinë në një pozitë më të vështirë. As që e mendoj një gjë të tillë. Ne flasim me të gjithë. Për ne më të rëndësishëm janë gazetarët, jo ju, por shumë gazetarë që kanë folur me ne gjithmonë, kanë folur për çështje teknike –kur do të vijë data, kur do të flisni, por askush nuk flet për thelbin.
Ajo për të cilën unë bëj pyetje gjithmonë është “në rregull, nëse ju tërhiqeni nga dëshira juaj për t’u bashkuar në organizatat ndërkombëtare për 60 ditë, nuk ka problem, këtu jemi dhe ne do t’i japim fund fushatës të çnjohjeve për 60 ditë”. Nuk është problem, por është teknike. Pyetja ime ka të bëjë me thelbin. Cila është përmbajtja e dialogut? Për çfarë po flasim? Dhe çfarë do të vijë në fund të dialogut. Sepse, nëse është thjesht “ejani serbë dhe njihni pavarësinë e Kosovës, le ta përfundojmë këtë histori”, sigurisht që nuk do të shkojë në atë mënyrë.
Radio Evropa e Lirë: Kur flisni për Kosovën, ju thoni që do të përpiqeni që Serbia të fitojë sa më shumë dhe të humbasë sa më pak të jetë e mundur.
Aleksandar Vuçiq: Më së paku që duhet.
Radio Evropa e Lirë: Më së paku që duhet. Çfarë shihni si zgjidhje?
Aleksandar Vuçiq: Unë nuk shoh asgjë sepse kur e kam parë, të gjithë më kanë thënë se çfarëdo që shoh është e keqe. Të gjithë ata që janë jashtë Ballkanit dhe nuk kanë asnjë lidhje me serbët dhe shqiptarët, do të ishte më e mirë të zgjidhnin problemin sesa ata që ishin të përfshirë drejtpërdrejtë në problem, pra serbët dhe shqiptarët. Kjo është sjellja e fuqive të mëdha për më shumë se 150 vjet në këto treva. Ata kanë interesin e tyre, ata kanë vendimet e veta dhe mendojnë se është e rëndësishme që qëllimet e tyre të respektohen, të përmbushen dhe nuk u intereson se çfarë mendojnë vërtetë serbët dhe shqiptarët. Kjo është arsyeja se kur isha në Kombet e Bashkuara dhe thash: “lërini popujt e Ballkanit të rregullojnë marrëdhëniet e tyre vet, dhe në të kaluarën do të kishte pasur shumë më pak gjak dhe shumë më pak probleme”.
Por, unë jam i vetëdijshëm se të gjithë ne së bashku jemi të vegjël dhe sigurisht që gjithmonë do të ketë në Ballkan të tillë që do të shikojnë mënyra për të kënaqur të mëdhenjtë, shumë më tepër sesa të krijojnë marrëdhënie më të mira me miqtë ose fqinjët e tyre. Kështu që unë kam hequr dorë nga disa iniciativa të mëdha dhe jam duke pritur për të parë se çfarë do të na propozohet. Dhe nëse më pyet, kjo është arsyeja pse unë e thash atë, çfarë saktësisht është ajo që pres. Nuk pres asgjë. Unë nuk e di se çfarë të bëj. Kur them diçka do të jetë, por nuk e di se çfarë të pres. Asgjë konkrete.
Radio Evropa e Lirë: Përsëri kur flisni për një periudhë prej tre ose gjashtë muajsh në të cilën mendoni se ndoshta diçka do të shkojë përpara. A ekziston…
Aleksandar Vuçiq: Serbia do të… nuk ka asnjë afat. Serbia do të flasë me mirëbesim, kështu që ne me të vërtetë do të kemi një qasje të plotë të sinqertë, dhe duam të sigurojmë paqe dhe stabilitet për dekadat e ardhshme. Serbët dhe shqiptarët janë dy kombet më të mëdha në Ballkanin Perëndimor dhe kjo gjë do të jetë kështu edhe 100 ose 200 vjet të tjera. A do të jemi në gjendje të sigurojmë atë lloj stabiliteti, a do të kemi kuptim të mjaftueshëm për palën tjetër, a do të kemi inteligjencë të mjaftueshme për të kërkuar kompromis dhe jo vetëm të kërkojmë që të fajësojmë palën tjetër? Kjo është pyetje tjetër.
Radio Evropa e Lirë: Cilat do të ishin vijat e kuqe për ju, kur bëhet fjalë për Kosovën?
Aleksandar Vuçiq: Sa herë që flisni për vijat e kuqe, atëherë nuk jeni të gatshëm për biseda. Kjo nuk do të thotë se ato nuk ekzistojnë, por kur filloni të flisni për to ashtu si pala shqiptare që thotë:“Jo, jo, ne… e gjithë Kosova është e jona, kështu që do të marrim edhe Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, pak më shumë”. Unë vetëm pres që ata të thonë se do ta marrin edhe Kragujevcin dhe Kralevën. Sinqerisht, buzëqesh dhe vazhdo tutje. Kur hyni në një dialog, hyni me mirëbesim dhe jeni të gatshëm të bëni kompromis. Nëse kjo gjë do të bëhet e mundur, do të shohim.
Radio Evropa e Lirë: Sidoqoftë, Kushtetuta e Serbisë thotë se Kosova është pjesë e Serbisë, nëse e marrim këtë parasysh, atëherë cili është plani?
Aleksandar Vuçiq: Kushtetuta e Serbisë thotë se Serbia është një territor i vetëm, përfshirë këtu Provincën Autonome të Kosovës dhe Metohisë. Kushtetuta e Kosovës flet për një shtet të pavarur të cilin 22 shtete të BE-së e kanë njohur dhe 5 të tjera nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Çfarë të bëjmë tani? Cili është ai territor? Kjo është arsyeja pse unë kam thënë se është e rëndësishme të flasim dhe të kuptojmë pozicionet e njëri-tjetrit.
Radio Evropa e Lirë: Keni pasur një bisedë me ambasadorin rus këtë mëngjes, pastaj keni një bisedë me ambasadorin kinez. Në anën tjetër jeni kritikuar nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës?
Aleksandar Vuçiq: Dje kam pasur (bisedë) me përfaqësuesit e Komisionit Evropian.
Radio Evropa e Lirë: Deri kur mendoni se do të jetë e mundur që Serbia të ndjekë një politikë bashkëpunimi të balancuar me Rusinë dhe Kinën, dhe në anën tjetër të ketë aspirata që të jetë anëtare e BE-së?
Aleksandar Vuçiq: Unë mendoj se shumë anëtarë të BE-se bashkëpunojnë mirë me Rusinë dhe Kinën. Serbia ka pothuajse mijëra herë më pak tregti me Kinën sesa vetëm dy vende të BE-së. Nuk e di saktësisht se për cilën pjesë do të thoshte dikush, përveç që ekziston natyrisht ajo thënia latine që i përshtatet Jupiterit ose si e kemi përkthyer, sepse ajo rimon më mirë për ne, ajo që i përshtatet një Perëndie nuk i shkon një kaut. Disa kanë të drejtë për këtë, disa nuk kanë të drejtë dhe unë e kuptoj këtë gjë. Disa janë të mëdhenj, e disa të vegjël, por kjo nuk do të thotë se është gjithmonë e drejtë. Për sa na përket neve, ne jemi në rrugën evropiane, nuk heqim dorë nga kjo. Kemi shkëmbimin më të madh tregtar me BE-në, ndërmjet 66 dhe 67 për qind. Por, nga ana tjetër duam t’i përkasim asaj shoqërie.
Por, mos harroni se Serbia ka një situatë specifike me çështjen e Kosovës dhe Metohisë, për të cilën folëm. Ne pa dyshim që marrim mbështetje për integritetin e Serbisë nga ana e Kinës dhe Rusisë, dhe në anën tjetër kemi bashkëpunim shumë të mirë ekonomik në të gjitha fushat tjera. Ne do të harmonizojmë ngadalë politikën tonë të jashtme me politikën e BE-së, pasi t’i afrohemi anëtarësimit në BE dhe deri atëherë do t’i mbrojmë interesat tona kombëtare dhe shtetërore në mënyrë të përgjegjshme. Kjo është politika jonë. Ne kemi të drejtën për politikën tonë, unë jam avokues i politikës së pavarësisë dhe vendimmarrjes së pavarur, si në politikën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme.
Radio Evropa e Lirë: Si i shihni sondazhet e opinionit publik që thonë se qytetarët e Serbisë e shohin Kinën si donatorin më të madh edhe pse faktet tregojnë së është BE-ja?
Aleksandar Vuçiq: Ndoshta hulumtimi është bërë gjatë pandemisë së koronavirusit, kështu që unë mendoj se kjo është arsyeja. Por, Bashkimi Evropian deri më tani është investitori më i madh dhe donatori më i madh në vendin tonë. Siç thashë, më pëlqen të përgjigjem në mënyrë racionale për numrat. A na ka ndihmuar shumë Kina? Do të dëshiroja të falënderoja pafund për (uzinën) “Zelezaran” dhe minierën “Zidjinin” në lindje të Serbisë dhe përmes shumë projekteve të tjerat për të cilat po punojmë së bashku dhe se ata na kanë ndihmuar edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.
Radio Evropa e Lirë: Është paralajmëruar vizita e presidentit kinez, a e dini se kur do të vijë si dhe cilat do të jenë temat e diskutimit?
Aleksandar Vuçiq: Unë mendoj se duhej të ishte mbajtur forumi strategjik i Leipzigut në mes të BE-së dhe Kinës, kështu që mendoj se para ose pas kësaj ai (presidenti i Kinës, Xi Jinping) do të vijë. Tani për tani ajo është anuluar, kështu që do të shohim.
Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Rusisë, a e ndihmoi Rusia Serbinë gjatë pandemisë dhe në çfarë mase?
Aleksandar Vuçiq: Ata na kanë ndihmuar aq sa kanë mundur. Ata ishin përballur me këtë krizë dhe edhe sot po përballen me të. Dje kanë vdekur 197 njerëz (në Rusi) nëse e mbaj në mend saktë. Mundohem të kujtoj të gjithë numrat kryesorë të botës, të paktën vdekshmërinë. Pra, edhe në ato kushte ata treguan vëmendje për Serbinë dhe unë vërtetë i falënderoj.
Radio Evropa e Lirë: Në çfarë mase marrëdhëniet në mes të Serbisë dhe Rusisë u prishën nga afera me diplomatin rus, nuk e dimë se çfarë ndodhi pas kësaj, në njëfarë mënyrë u duk se u qetësua situata dhe nuk e dimë se cili ishte rezultati i kësaj afere?
Aleksandar Vuçiq: Reagoni në atë moment, por nuk duhet të lejoni që gjëra të tilla të shkatërrojnë marrëdhëniet në mes vendeve mike, dhe mua më duket se Serbia reagoi në mënyrë serioze dhe të përgjegjshme. Rusia është një vend miqësor për ne, ne përpiqemi ta ruajmë atë marrëdhënie, ne përpiqemi të kuptojnë rrugën tonë evropiane, dhe unë mendoj se është e qartë për ta se sa i vështirë është pozicioni i Serbisë dhe i falënderoj për këtë mirëkuptim.
Radio Evropa e Lirë: Si e shihni mënyrën se qeveria juaj i ngjanë asaj të qeverisjes të Viktor Orban, e shihni si kritikë?
Aleksandar Vuçiq: Unë mendoj se të gjithë njerëzit janë të ndryshëm dhe veprojnë në mënyra të ndryshme dhe kushte të ndryshme. Disa do të më lavdërojnë, disa do të më kritikojnë, nuk merrem me atë. Viktor Orban është mik shumë i respektuar i vendit tonë dhe falë tij, marrëdhëniet në mes të serbëve dhe hungarezëve janë absolutisht më të mirat në historinë tonë moderne. Falë punës dhe angazhimit të Viktor Orban, marrëdhëniet tona janë vërtetë të jashtëzakonshme. Mos harroni që ne në Vojvodinë deri më tani kemi numrin më të vogël të incidenteve në gjashtë vjetët e fundit të historisë sonë, pra nga Lufta e Parë Botërore, nga Marrëveshja e Trianonit e deri më sot. Pra që nga viti 1918 e deri më sot, gjashtë vjetët e fundit kanë qenë bindshëm më të mirat në marrëdhëniet në mes të serbëve dhe hungarezëve.
Ne kishim një këndvështrim tjetër për krizën e migrantëve. Ata ndërtuan mure, ndërsa ne jo, por patëm marrëveshje për të mos sulmuar, kemi pasur marrëveshje për të respektuar politikat e ndryshme, dhe unë e respektoj këtë gjë shumë nga pala hungareze. Ata gjithashtu na ndihmuan gjatë pandemisë së koronavirusit, me pajisje dhe duhet të them që ata po ndihmojnë dhe po mbështesin Serbinë kudo dhe në çdo vend.
Radio Evropa e Lirë: Në anën tjetër, kur bëhet fjalë për këtë, organizatat ndërkombëtare dhe Komisioni Evropian vazhdimisht kanë kundërshtime ndaj shtetit dhe demokracisë në Serbi, mbi të gjitha për situatën e mediave?
Aleksandar Vuçiq: Ata kanë kudo, kudo…
Radio Evropa e Lirë: …në lidhje me gjyqësorin, si planifikoni t’i zgjidhni problemet?
Aleksandar Vuçiq: Kjo është njëra nga gjërat që unë vërtetë do të nënshkruaja gjithçka në raportin e Komisionit Evropian dhe do të isha edhe më i mprehtë. Ne kemi zbatuar një lloj reforme në vitin 2009 që nuk na solli efikasitet ose racionalitet në procedurat gjyqësore. Unë do të doja dhe jam i bindur që me mbështetjen e Bashkimit Evropian ne mund të zgjidhim këtë problem.
Sa i përket mediave, ju keni dy gjëra: e para është se nuk ka dyshim se duhet të bëjmë shumë më tepër, dhe nga ana tjetër, ekziston kjo qasje politike në të cilën gjithmonë dëshironi të shihni njërën anë në një mënyrë më të mirë dhe palën tjetër në një mënyrë të pakrahasueshme, por ne jemi gjithmonë të gatshëm të flasim për gjithçka dhe unë jam përpjekur veçanërisht gjatë tre muajve të fundit të mos sulmoj kundërshtarët politikë, të dëgjoj të gjithë dhe t’i përgjigjëm çdo pyetjeje.
Por, ata që ankohen për lirinë e mediave, ata flasin çdo ditë, ata bëjnë fushatë kundër meje dhe kundër shtetit në çdo mënyrë të mundshme, askush nuk i pengon në këtë, për më tepër unë i përgjigjem secilës pyetje që ata kanë dhe nuk është diçka e vështirë për mua që ta bëj. Disa të tjerë nuk ankohen aspak, por unë mendoj se ata u thonë atyre se janë budallenj ose shumë më pak të zgjuar se ata. Nuk e di çfarë të them tjetër, por në çdo rast, gjithçka që dikush mendon se mund të bëjmë, unë do të isha i lumtur ta bëja atë së bashku sepse pa qasje të përbashkët për gjithçka do të jetë e vështirë.
Policia jep detaje rreth protestës së kompanisë “Pastrimi” p...
Kryesia e Kuvendit mblidhet të hënën, ky është rendi i ditës
‘Kevin, të dua shumë’ – Ana i dërgon mesazh nga jashtë
Izraeli godet me raketa një ndërtesë në Bejrut, të paktën 4 ...
Sancho mund të largohet nga Chelsea, por jo nga Anglia – atë...
Trump zgjedh financierin Scott Bessent për Sekretar të Thesa...