Google ADS

Vuçiq: Nuk ka asgjë të bukur për Kosovën që mund të ofrojmë

15:16 | 27 Qershor 2018
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se do të dalë para popullit me propozimin e tij për “zgjidhjen e përhershme të çështjes së Kosovës” dhe se populli pastaj do të vendosë për të ardhmen e tij.

“Nuk ka asgjë të bukur për Kosovën që mund të ofrojmë apo të fitojmë. Vetëm mundime dhe gjëra të vështira. Por, unë do të dal para popullit dhe do ta them propozimin tim. Nuk do të fshihem dhe populli do të sjellë vendimin për të ardhmen e tij”, u tha Vuçiq gazetarëve në Kralevë, transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Vuçiq tha se vendimi për referendum do të merret pasi të arrihet një zgjidhje kompromisi, e cila nuk do të jetë në kurriz të qytetarëve.

Vuçiq dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kanë zhvilluar të dielën rrethin e fundit të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve.

Me këto bisedime, që ndërmjetësohen nga Bashkimi Evropian, synohet të arrihet një marrëveshje ligjërisht e obligueshme për normalizimin e raporteve.

Vuçiq po ashtu i falënderoi qytetarët serbë të Kosovës me rastin e Vidovdanit, për, siç tha, “ruajtjen e vendit të tyre”.

“Pak serbë kanë mbetur në Kosovë dhe dua t’i falënderoj për ruajtjen e vendit tonë. Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet politike për t’iu garantuar sigurinë”, tha Vuçiq.

Vidovdani, apo Dita e Shën Vidit, shënohet më 28 qershor dhe lidhet me përvjetorin e 629-të të Betejës së Kosovës, që historia serbe e njeh si fitore shpirtërore të saj, pavarësisht humbjes së forcave ballkanike dhe vrasjes së princit serb Llazar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme