Google ADS

Vuçiq: Nuk janë armiq tanë shqiptarët por vetëm ata që na e grabitën Kosovën

12:02 | 17 Prill 2018
M. A.

“Nuk i kemi kundërshtarë shqiptarët e as bashkëbiseduesit për çështjen e Kosovës, por ata të cilët e kanë krijuar atë shtet dhe ata të cilët na e kanë grabitur territorin”, ka deklaruar sot kryetari serb Aleksandar Vuçiq.

Ai për TV Pink ka thënë se është e qartë se “ne mbi Kosovën jemi duke biseduar me SHBA, Britaninë e Madhe dhe edhe me disa vende të Bashkimit Evropian.

Vuçiq ka thënë se, “siç kemi dëgjuar nga Ramush Haradinaj, Prishtina nuk ka politikën e vet të jashtme, sepse atë, në vend të tyre, e udhëheqin SHBA”. Ai ka shtuar se “tani është e qartë se në të vërtetë për çështjen e Kosovës ne po bisedojmë me SHBA, e jo me pushtetin në Prishtinë, dhe se në këtë aspekt mbetet pyetja se a mund ta perceptojmë rolin tonë në 10, 15, 20 vitet e ardhshme”, transmeton Insajderi.com.

I pyetur se a i presin momentet e vështira, ai ka porositur se momentet e vështira janë gjithmonë para tyre.

“Sidoqoftë, ky vit nuk do të jetë i lehtë, ekziston dëshira e madhe që të zgjidhet nyja e Kosovës, e a mundemi ne këtë, sepse jemi ne në Serbi, nga ana tjetër është pushteti kosovar dhe i kemi amerikanët, për të cilët Haradinaj vet thotë se ata e udhëheqin politikën e tyre të jashtme”, ka theksuar Vuçiq, dhe ka shtuar:

“Pra, ata si shtet nuk ekzistojnë”, dhe vazhdon: “Kur pranoni vet se nuk posedoni një nga shtyllat e shtetësisë, ju nuk ekzistoni si shtet, ndërsa, nga ana tjetër, kurdo që thonë diçka Thaçi dhe Haradinaj, duhet të jemi të vetëdijshëm se këtë e ka thënë dhe e ka menduar dikush tjetër nga sponsorët e tyre në botë”.

“Nëse nuk e keni njërën nga shtyllat e shtetësisë, atëherë nuk di se çfarë kërkoni nga tjerët… Kështu që ne këtu kemi bisedime, para se gjithash, me SHBA, Britaninë e Madhe dhe disa vende tjera të cilat e përjetojnë në mënyrë dramatike ndryshe Kosovën”, ka thënë Vuçiq.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme