Vuçiq: Na pret periudhë shumë e vështirë në dialog – Berlini e ka fjalën e fundit

14:58 | 1 Shkurt 2020
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se e di kush do të jetë përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, por vlerësoi se pavarësisht se kush është ky person, Berlini përmes Brukselit do të ketë fjalën kyçe për Kosovën.

Ai këto komente i ka bërë në televizionin serb “Prva”, duke shtuar se Serbinë e pret një periudhë e vështirë.

“Kur të emërohet përfaqësuesi, dhe mendoj se veç e di se kush do të jetë përfaqësues për dialogun e ndoshta edhe për Bosnje e Hercegovinë, ai do të jetë dikush me mbështetje të madhe dhe ndikim të madh në Berlin. Pavarësisht se kush është ai person, Berlini përmes Brukselit do ta ketë fjalën kyçe, që për ne s’është e lehtë dhe do të jetë shumë, shumë e vështirë”, citohet të ketë thënë Vuçiq.

Sa i përket vizitës së Përfaqësuesit të lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Joseph Borell i cili ka vizituar Kosovën dhe Serbinë, Vuçiq e ka quajtur “njeri i mirë”.

“Është njeri i mirë që i kupton qëndrimet dhe politikat e Serbisë për dallim nga ata që mendojnë se është normale dhe se çështja momentale është ajo kur Serbia do ta njohë Kosovën e pavarur”, tha Vuçiq.

I pyetur se nëse Borelli i ka dhënë informacione se kur do të formohet qeveria e re në Kosovë, Vuçiq ka thënë “këtë s’e di as Zoti, e lëre më Borell”.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme