Google ADS

Vuçiq: Kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm

20:15 | 19 Korrik 2021
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se politikë e shtetit të tij është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe se Serbia nuk merret me kufijtë e të tjerëve.

Ai i bëri këto komente në përgjigje të kritikave nga vendet e rajonit të Ballkanit, në drejtim të ministrit të Brendshëm të Serbisë, Aleksandar Vulin, për shkak të deklaratave për krijimin e një “bote serbe”.

“Është e rëndësishme që njerëzit ta dinë se cila është politika zyrtare e Serbisë – është ajo që thotë se kufijtë e Serbisë janë të paprekshëm dhe ne nuk jemi të interesuar për kufijtë e të tjerëve. Ne duhet ta ruajmë tonën dhe të tregojmë në mënyrë të qartë se cila është politika jonë”, tha Vuçiq për Televizionin Pink të Serbisë, pas një rundi të ri bisedimesh me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të hënën në Bruksel.

Ditë më parë, Vulin tha në një tubim të partisë së tij se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Ai tha se për “krijimin e botës serbe”, është e nevojshme që Serbia të jetë ekonomikisht e suksesshme, e udhëhequr mirë dhe “të ketë një ushtri që është në gjendje ta shpëtojë atë, ashtu si edhe serbët kudo që jetojnë”.

Për këto fjalë të Vulinit, i cili gjatë viteve ‘90 ishte ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të gruas së presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, duartrokiti edhe Vuçiq, i cili ishte në audiencë.

Vuçiq është edhe udhëheqës i Partisë Përparimtare Serbe, e cila është në aleancë me partinë e Vulinit, ndërsa gjatë viteve ‘90 ka qenë zyrtar i Partisë Radikale Serbe, e udhëhequr nga Vojisllav Sheshel, një i dënuar për krime lufte.

Në mesin e disa reagimeve, ministrja e Punëve të Jashtme e Bosnje e Hercegovinës, Bisera Turkoviq, tha se pret që Vuçiq të distancohet menjëherë nga deklaratat e Vulinit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha pas takimit me Vuçiqin në Bruksel se Serbia e ka problem të përballet me të kaluarën.

“Për fat të keq, presidenti i Serbisë nuk distancohet as nga Vulini, as nga Daçiqi [v.j. tani kryetar i Kuvendit të Serbisë], as nga Millosheviqi, as nga kushdo që ishte në pushtet në vitet 1990. Kjo është me të vërtetë për keqardhje”, tha Kurti.

Termi “bota serbe” u përdor për herë të parë nga Vulin më 26 shtator, 2020./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme