Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi më 7 dhjetor, se Serbia dëshiron vazhdimin e dialogut me Kosovën porse Prishtina është ajo e cila nuk do që dialogu të vazhdojë.
“Ne duam, duam të arrijmë edhe marrëveshje për të zhdukurit porse Prishtina nuk e do këtë. Nuk dëshiron fare të diskutojë me ne”, deklaroi Vuçiq para gazetarëve pas inspektimit të disa punimeve në Beograd.
Vuçiq konsideron që Kosova aktualisht nuk do të fillojë ndonjë aksion serioz kundër serbëve në Kosovë, por sipas tij qeveria në Prishtinë shkeli të gjitha marrëveshjet që deri më tani u arritën me bashkësinë ndërkombëtare.
Presidenti serb përmendi si shembull marrëveshjen për lejimin e vizitave të ndërsjella duke shtuar se Beogradi lejoi shumë persona nga Kosova të vizitojnë Serbinë, por Prishtina nuk lejoi vizitën e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq madje as atëherë kur i ishte thënë që do t’i lejohej.
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano paralajmëroi më 6 dhjetor që parakusht për aranzhimin e takimit të radhës duhet të jetë gatishmëria e palëve që të merren vesh rreth rezultateve konkrete, në të mirë të qytetarëve të tyre.
“Kontaktet e fundit të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri (Josep Borrell) dhe diplomacia e Përfaqësuesit të BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak treguan që aktualisht nuk ka gatishmëri”, tha Stano.
Në fund të nëntorit, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Lajçak vizitoi Prishtinën e Beogradin në tentimin që të organizojë rundin e ri të takimit në nivelin më të lartë.
Nga vizitat në Prishtinë e Beograd, burimet e Radios Evropa e Lirë kanë thënë se Lajçak megjithatë është kthyer krejtësisht i dekurajuar.
Që nga koha kur Albin Kurti u bë kryeministër i Kosovës, në kuadër të dialogut ai është takuar vetëm dy herë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Që të dyja takimet ishin të pasuksesshme dhe dëshmuan se sa larg qëndrojnë palët në qasjen e tyre ndaj dialogut.
Pikërisht kjo i detyroi zyrtarët evropianë që të deklarojnë se takimi i tretë do të ndodhë vetëm nëse do të ketë gatishmëri për përparim në dialog./REL/
Xheneta zbeh pëlqimin për Gjestin: Dua një partner që fjala ...
SHBA vendos veto ndaj rezolutës së OKB-së që kërkon armëpush...
Manchester United ëndërron të mposht Real Madridin për të në...
Xheneta: Nuk do t’ia lejoja partnerit tim këngëtar që femrat...
Drita mposht Suharekën
Zbulohet kolonia e koraleve më e madhe në botë/ Mbi 300 vjeç...