Google ADS

Vuçiq i gatshëm të dialogojë me Kosovën për barrierat jo-tarifore

17:46 | 18 Mars 2020
L G

Kreu i shtetit serb, Aleksander Vucic, dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, kanë diskutuar sot rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe gjithashtu për situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.

Në një deklaratë të përbashkët për media të publikuar ne faqen zyrtare të Qeverisë Gjermane, thuhet se presidenti serb, Vucic, është zotuar se do të punojë për krijimin e një situate të favorshme për rinisjen sa më të shpejtë të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Edhe Merkel dhe Vuçiq janë pajtuar se duhet një rinisje sa më e shpejtë e dialogut për normalizim të raporteve Prishtinë-Beograd.

Siç potencon deklarata, Vuçiq ka pranuar që të futet në një dialog të nëdrmjetësuar nga Bashkimi Evropian rreth tregtisë dhe barrierave jo-tarifore mes Kosovës dhe Serbisë.

Një gjë e tillë është mirëpritur nga kancelarja gjermane, Angela Merkel. Biseda e sotme Vuçiq-Merkel është mundësuar përmes një video-konference, meqë udhëtimi i Vuçiq drejt Berlinit ishte anuluar si pasojë e situatës së krijuar nga COVID-19.

Eleminimi i barrierave jo tarifore, ka qenë edhe një prej kërkesave të Albin Kurtit, si kundërpeshë për largimin e taksës 100 %./Express/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme