Google ADS

‘Vuçiq i frikësuar se shqiptarët do ta marrin Vranjën’

19:41 | 1 Gusht 2018
V. S.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa ka reaguar pas djegies së makinerisë së kompanisë “Saba Bellça”, në qytetin e Vranjës. Sipas Mustafës kjo është një albanafoni ekonomike dhe fajin për këtë gjë e ka hedhur tek presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, raporton “Zëri.info”.

“Vurja e zjarrit sot në orët e hershme të mëngjesit në makinerinë e kompanisë “Saba Bellça” për vendosjen e asfaltit, edhe atë për të satën herë në qytetin e Vranjës nuk ka dyshim se flet për albanofobinë ekonomike”, ka shkruar Mustafa në një postim në “facebook”.

Ai tutje ka shkruar se ky veprim ka ardhur pas deklaratave të Aleksander Vuciq i cili ka thënë që nëse nuk kryhet demarkacioni në mes të shqiptarëve dhe serbëve ata mund ta humbasin edhe Vranjën.

“Kjo ndodhë menjëherë pas deklarimit të presidentit serb Vuçiq, se për disa decenie do ta humbasim edhe Vranjën po që se nuk kryhet demarkacioni i vijës kufitare mes shqiptarëve e serbëve tani në përmbyllje të bisedimeve në Bruksel. Një deklaratë e tillë ka nxitur edhe ashtu albanofobinë serbe të shprehur për më shumë se një shekull në këtë rajon”, ka shkruar tutje ai.

Ai ka kritikuar edhe politikanët shqiptarë që sipas tij po e sulmojnë kompaninë e dëmtuar.

“Nga ana tjetër, kur gjenden në mesin tonë edhe politikanë të papërgjegjshëm shqipëtar që sulmojnë kompaninë vendore ndërtimore “Saba Bellça”, kaq të suksesëshme, natyrisht se edhe më tepër rëndojnë veprimtarinë afariste të saj. Dëmi i shkaktuar në vlerë prej afro njëqind mij euro, pa dyshim se ngadalëson hovin e zhvillimit të ekonomisë së qëndrueshme prej afaristësh shqipëtar në Luginë. Me këtë rast, përskaj shumë mekanizmave diskriminues, pushteti serb shton edhe një më shumë, vetëm e vetëm që të ngritë në shkallë më të lartë pasigurie gjendjen e shqiptarëve në Preshevë e Bujanoc. Ikja e trurit intelektual e shkenco me mosnjohjen e diplomave univerzitare të arritura në Kosovë, ikja e ish ushtarëve të UÇPMB- së për shkaqe të përndjekjes me proçese të montuara politike ikja e shumë afaristëve të vegjël e të mesëm në Kosovë për arsye të represionit ekonomik fiskal, mbyllja e bizneseve shërbyese-restoraneve, largimi nga puna të shqiptarëve nga institucioneve publike me ndihmën e shtetit nga ana e vazalëve të saj, mosdepërtimi i produkteve të kompanive shqiptare nga Lugina në tregun e brendshëm serb dhe në fund pas ushtrimit të dhunës, zjarrvënis dhe represionit politik ndaj kompanive në rritje si që është “Saba Bellça” sigurisht se shtrohet çështja: kush do të mbetet në Preshevë e Bujanoc? Edhe ashtu këta pak shqipëtar të mbetur punësimin sezonal e gjejnë në kompanitë vendore. Ky është një program i sofistikuar dhe i sinkronizuar mirë në veprim duke u shtrirë në dy komunat me shumicë shqiptare nga ana e qeverisë serbe me në krye të “superkryeministrit” të tyre e në rolin zyrtar president shteti”, ka shkruar tutje Mustafa.

Ai për këtë zjarrvënie ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse të Serbisë që ta hetojnë rastin dhe të gjendet përgjegjësi.

“PDSH, kërkon nga autoritetet serbe të hetuesisë, ministria e brendshme dhe qeveria serbe të tregojnë shkallë të lartë serioziteti dhe shkaktuesit e porositësit e zjarrvënies në makinat e kompanisë shqipëtare në fjalë të kapen, drejtohen drejt organeve të drejtësisë dhe t’u shqiptohet dënimi i merituar. Nga ana tjetër, qeveria serbe përmes ministrisë së ekonomisë t’ ia kompenzojë dëmin në plotni kompanisë së dëmtuar, natyrisht nëse është e gatshme të dëshmoj kujdes të veçant ndaj bizneseve shqiptare të pa mbrojtura në serbi. Po të kish ndodh e njejta gjë ndaj një biznesi serb në Kosovë, presidenti serb dhe ministri i jashtëm i serbisë me zë shumë të lartë e vajtues kishin kërku mbledhje të Këshillit të Sigurimit, gjë që kishin me detyru presidentin e qeverinë e Republikës së Kosovës me ia ble mbase dy makina tjera. Prandaj, kërkojmë që në vazhdimen e bisedimeve në Bruksel, kërkojmë që pala shqiptare e Kosovës ta vej si temë të veçantë këtë dhe gjitha format tjere diskriminuese serbe albanofobe dhe në asnjë mënyrë mos të lëshojnë pe në ridemarkimin e vijës kufitare me serbinë në lindje të Kosovës duke shpëtuar çdo vendbanim shqiptarë nga rikonolizimi për të satën herë i tyre nga serbia. Gjithashtu, kërkojmë edhe nga bashkësia ndërkombëtare që të bindet një herë e përgjithmonë se jetësimi i referendumit të 1 e 2 marsit 1992 i shqipëtarëve në komunat Preshevë, Medvegjë e Bujanoc duhet të jetësohet bashkë me njohjen e Republikës së Kosovës nga Serbia në Bruksel. Akte të tilla represioni nga qytetarë të pandërgjegjshëm serb në Vranjë e gjetiu brenda serbisë ndaj bizneseve shqiptare largojnë investitorët potencial të huaj nga Lugina e Preshevës dhe përfundimisht edhe në pamundësi të zhvillimit më të madhë të këtyre ekzistuese mbyll perspektivën e të rinjëve shqiptar në këto treva”, ka përfunduar Mustafa. /ZËRI/

Të ngjashme