Vuçiq i çon selam presidentit Trump, kërkon nga ai qëndrim “më të balancuar” për Kosovën

11:56 | 10 Qershor 2019
Arbresh.info

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është takuar me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Matthew Palmer.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, një nga temat e diskutimit ka qenë Kosova, përfshirë edhe çështja e vendosjes së taksës nga Prishtina për produktet serbe, si dhe vazhdimi i dialogut.

“Me z. Palmer, kemi zhvilluar një dialog shumë të sinqertë dhe konkret, biseduam për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës, lidhur me ngërçin e dialogut. Biseduam për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara dhe Serbia do të përpiqen të sigurojnë siguri në rajon. Pozitat tona janë të ndryshme, Shtetet e Bashkuara e njohën Kosovën, ndërsa ne e konsiderojmë territorin tonë. E luta Palmerin për të na kuptuar se ne duam një zgjidhje kompromisi”, citohet të ketë thënë sot Aleksandar Vuçiq.

“Shfrytëzoj rastin që përmes jush të ftoj presidentin e SHBA-së të vizitojë Serbinë. Ne e dimë se nuk mund të presim një ndryshim të madh qëndrimi në lidhje me Kosovën, por unë dua që ju t’i kërkoni Presidentit Trump që marrëdhënia e tij të bëhet disi më e balancuar në lidhje me Kosovën dhe të gjitha çështjet”, ka thënë tutje Vuçiq.

Me këtë rast, Palmer thuhet se ka thënë se është e rëndësishme të vazhdohet dialogu, përcjell Telegrafi.

“Presidenti dhe unë diskutuam gjithashtu çështjen e Kosovës dhe marrëdhëniet ekonomike midis Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë. Kemi pasur mundësinë t’i kërkojmë Beogradit të vazhdojë dialogun që të çon në normalizimin e marrëdhënieve. Ne shohim se po taksa paraqet një pengesë dhe ne do të bëjmë përpjekje për të shfuqizuar taksën dhe t’i kthejmë të dy palët në tryezën e negociatave”, ka thënë Matthew Palmer.

Ndryshe, siç kujtojnë mediat serbe, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit më parë u takua me Vuçiqin në tetor të vitit të kaluar, kur ai tha se SHBA-ja e mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë që të arrihet një marrëveshje që do të çojë në normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Zyrtari i Departamentit të Shtetit, atëherë i bëri thirrje Beogradit dhe Prishtinës që të shfrytëzojnë mundësinë historike dhe për të arritur një marrëveshje që do të jenë të qëndrueshme,… duke deklaruar se është koha për kompromis dhe fleksibilitet.

Takimi është zhvilluar më shumë se dy javë para takimit në Paris ku temë do të jetë Kosova.

Po sipas mediave serbe, zyrtari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Erath tha ndërkohë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të marrin pjesë në konferencën e ardhshme në Paris, por kjo ende nuk është përcaktuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme