Google ADS

Vuçiq e humb arsyen: Nëse do të mbanim zgjedhjet në Kosovë do të kishim qindra të vdekur

22:56 | 25 Mars 2022
L G

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se nuk pret ndryshim të qëndrimit të autoriteteve në Prishtinës për lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë. Ai madje ka shkuar aq larg në parashikimet e tij luftënxitëse, duke thënë se “policia speciale shqiptare do të shtinte në drejtim të serbëve nëse ata organizonin zgjedhjet atje dhe të shkonin të votonin”.

“Serbët ndoshta do t’ua kthenin [Policisë së Kosovës], ndoshta jo, por sigurisht që do të kishin dhjetëra, të mos them qindra të vdekur. Qëllimi i Kurtit ishte të përpiqej të nxirrte njohjen teknike të pavarësisë së Kosovës, ku Qeveria e Serbisë do ta njihte Qeverinë e Kosovës”, tha Vuçiq për Televizionin Publik të Serbisë, transmeton Telegrafi.

Ai po ashtu tha se dëshira e dytë e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishte “që ato 50 mijë vota të cilat njerëzit në Kosovë do t’ia jepnin atij si kandidat për president, më shumë se të tjerëve, të jetë diferenca vendimtare” dhe që ai [Vuçiqi] si president, “të mos ulet në anën tjetër [përball Kurtit]”.

“Për mua është e rëndësishme të shmangim konfliktet. Dhe kurrë nuk do ta njohim Kosovën si të pavarur”, tha Vuçiq.

Ai ka thënë se autoritetet e Prishtinës nuk i kan shkarkuar komandantët serbë të policisë [të cilët morën pjesë në takimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Beograd], ashtu siç e kishin për qëllim, sepse kishin presion nga vendet e QUINT-it.

“Ata e dinë se serbët do të largoheshin nga të gjitha institucionet dhe atëherë keni një situatë në të cilën është çështje momenti kur do të ndodhë një incident më i madh. Kujt i duhet kjo përveç Kurtit, nuk i duhet as Perëndimit, të paktën shpresoj që të mos u duhet”, tha Vuçiq.

Vuçiq tha gjithashtu se Serbia do të jetë nën presion të madh, sepse, siç vlerësoi ai, është më e lehtë të bësh presion ndaj Serbisë sesa ndaj dikujt shumë më të madh, ashtu siç ishte më e lehtë të bombardosh apo të kryesh agresion kundër Serbisë sesa ndaj dikujt “shumë më të fortë”.

“Unë e pres këtë, nuk është risi për mua. Tashmë kam pasur shumë takime të vështira. Gjatë jam në këtë punë, dhjetë vjet në pushtet, por jo shumë herë kam përjetuar një atmosferë të tillë”, tha Vuçiq.

I pyetur nëse priste presion ndaj Serbisë për shkak të krizës në Ukrainë, ai theksoi se më parë kishte “kundërshtuar dhe mbijetuar refuzimin në Bruksel për të lejuar Kosovën të jetë anëtare e Kombeve të Bashkuara” dhe se gjithashtu refuzoi njohjen reciproke në Shtëpinë e Bardhë.

“Por kjo [çështja e agrsionit rus në Ukrainë] është shumë problematike dhe mbretëron një histeri e përgjithshme në të cilën është e pamundur të flitet me shumë njerëz në mënyrë racionale”, tha Vuçiq.

Ai tha se së fundmi kishte biseduar racionalisht me shefen e diplomacisë gjermane, Analen Berbock, “për aq sa të ishte e mundur në kushte të vështira”.

“Sigurisht, nuk ishte një bisedë e lehtë, ishte e vështirë nga të dyja palët, por ishte e sinqertë, e hapur, korrekte. Është detyra jonë të luftojmë për interesat e vendit tonë dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Vuçiq.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas protestës së sotme të qytetarëve serbë në Mitrovicë dhe Graçanicë, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës me një mesazh në gjuhën serbe, duke kërkuar nga ata që të ruajnë qetësinë dhe të besojnë më shumë në Qeverinë e Kosovës.

Kurti në mesazhin e tij, ka thënë se qeveria që ai udhëheq ndarja e pushteteve është parim demokratik dhe obligim kushtetues.

Serbët e Kosovës kanë protestuar në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë, kundër vendimit të Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe në Kosovë, më 3 prill.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, tha se Lista Serbe dhe stafi serb në Gjyqësorin e Kosovës e kanë pezulluar punën në institucionet e Kosovës derisa të kthehet në postin e saj Lilana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, e suspenduar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për pjesëmarrje në një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një deklaratë për media kanë shprehur qëndrimin e tyre për protestat e e serbëve në veri të vendit, ndërsa kanë shprehur shqetësimin për rrezikun e përshkallëzimit ose dhunës.

Në deklaratë thuhet se qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor por kanë edhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme.

QUINT-i dhe BE-ja po ashtu i kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga çdo retorikë ose veprim që mund të rrisë tensionet.

Të ngjashme