Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se deklarata e tij për Nagorno Karabakun, ndaj së cilës kanë reaguar ashpër një pjesë e zyrtarëve politikë të Kosovës, ka qenë “mjaft e saktë dhe precize”.
“Kam folur për nevojën që të shmangim politikën e konfliktit të ngrirë”, ka thënë Vuçiq.
“Unë thashë që konflikti në Nagorno Karabak ka qenë i ngrirë dhe më pas është shkrirë dhe se kushdo në të ardhmen mund të na çojë drejt një katastrofe dhe deri te një konflikt, gjë që nuk na nevojitet”, u ka thënë Vuçiq gazetarëve në Batajnicë, një vendbanim në Beograd, ku më herët sot ai mori pjesë në vendosjen e gurthemelit për ndërtimin e një terminali ndërmodal, një nyje e transportit rrugor – hekurudhor, në bashkëpunim me BE.
“Me këtë kam shprehur dëshirën që të krijojmë paqen dhe të bëjmë zgjidhjen me kompromis. Për çdokënd kjo ishte e qartë”, tha Vuçiq dhe shtoi që “Kosova i ka arsyet e veta dhe përplasjet e brendshme”.
“Për mua është e rëndësishme që të ruajmë paqen. Kjo është politika e Serbisë dhe kjo do të mbetet politika e Serbisë”, theksoi Vuçiq.
Të enjten, pas një takimi me ambasadorët e Kuintit, Vuçiq tha se në Kosovë mund të ndodhë një konflikt i llojit të Nagorno Karabakut nëse përpjekjet për kompromis dështojnë.
“Konflikti në Nagorno Karabak ka treguar shembullin e një konflikti të ngrirë, por kur dikush e shkrin atë, mund të përshkallëzojë në një katastrofë të vërtetë”, deklaroi të enjten Vuçiq.
Kjo deklaratë në Prishtinë nxiti reagime, ku ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe NATO-s, që të reagojnë për këto komente të presidentit serb.
BE-ja dhe NATO-ja, në përgjigjet dhënë Radios Evropa e Lirë, nuk pranuan që të komentojnë deklaratat e presidentit Vuçiq.
NATO-ja tha se vazhdon ta mbështesë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ndërkaq, BE-ja bëri thirrje që palët të krijojnë atmosferë që do të ndihmonte në stabilitetin rajonal dhe bashkëpunimin.
Shqipëria mbyll TikTok-un, për këtë vendim shkruan ‘The Tele...
Protesta më e madhe në historinë e Serbisë
Çeku: Gjatë luftës, Serbia shkatërroi afër 1 mijë e 800 monu...
Haxhiu: Prokuroria Speciale t’i përgjigjet kërkesës së Kurti...
AUV në pritje të analizave për mandarinat e importuara nga S...
Haxhiu: Serbia s’i dorëzon kriminelët e luftës, ne do t’i gj...