Vreshtarët ndihen të lënë pas dore nga shteti: Rrushi po kalbet, s’ka shitje dhe 11 cent po na paguhet kilogrami

10:06 | 8 Tetor 2022
A. B.

Shitja e rrushit dhe çmimi shumë i ulët është problemi kryesorë me të cilin ballafaqohen vreshtarët e Komunës së Rahovecit.

Avni Haxhimurati, vreshtar në komunën e Rahovecit, thotë për arbresh.info se rrushi i ka mbetur pa vjelë, pasi nuk ka ku ta shes atë.  Për këtë problem ai fajin ia hedh qeverisë.

“Rrushi na ka mbet pa vjelë, po tutna po na jetë rrushi nëpër fusha edhe koha nuk premton.  Problem është tregu, nuk po gjejmë treg për me shit. Problem shumë të madh na ka kriju kjo qeveria edhe më keq se që kemi kujtu”, shprehet Haxhimurati.

Ai thotë se kanë pasur premtime nga qeveria, mirëpo që nuk janë realizuar

“Premtime kemi pas boll, sen s’kanë ba, as do kumora (grumbullues për ruajtjen e rrushit të tryezës) nuk na kanë pru. Ndërsa rrushin e venës dhe rakisë as doganën nuk na lëshojnë as për Mal të Zi. Ky podrumi i madh që u kanë ka ba kishe kontrata me pranu rrushin e tash askush nuk don me çu se na vlerëson në klasën e fundit, a është normale për 11 cent me pagu kilogramin”, thotë ai i mllefosur.

Edhe kryetari i Shoqatës së Vreshtarëve të Kosovës, Habib Dina shqetësuese e sheh mos shitjen e rrushit. Ai e quan qesharak këtë çmim.

“Shumë vreshta kanë mbetur të pa vjelura. Rrushi për përpunim nuk ka treg dhe një pjesë e madhe sivjet nuk ka pas shitje dhe kanë mbet të pavjelura janë nëpër vreshta. Çmimi ka qenë qesharak 15-22 cent nuk ka llogari as me shku me vjel. Çmimi shumë i ultë, neglizhenca që nga Kuvendi, Ministria me ndryshu ndonjë politikë me u orientu a me ba anliza a duhet me u mbjellë vreshta a s’duhet apo duhet me u orientu ka turizmi ka eksporti, përpunimi. Janë shumë faktorë që lidhen pasi që vreshtarit në shtetet e tjera ruhen si trashëgimi kulturore e këtu tek ne është lënë shumë anash,”, ka thënë Dina.

Ministria e Bujqësisë: Vreshtarët po duan t’i ikur evazionit fiskal në Shqipëria e Mali të Zi

Por të kundërtën e thonë nga Qeveria e Kosovës.

Ushtrues i detyrës së Drejtorit në Departamentin e Vreshtarisë në Ministrinë e Bujqësisë, Ylber Kuqi, për arbresh.info thotë se nuk i bëjnë pengesë shitjes së rrushit.

Ai thotë se problemi qëndron se fermerët po pretendojnë të shesin pa subjekte ekonomike për t’i ikur evazionit fiskal qoftë Shqipëria apo edhe në Mal të Zi.

“Ministria ka krijuar politika që ata me kanë konkurrent në treg përndryshe kur shteti është demokratik ka oferta dhe kërkesa edhe Kosova ka këtë ekonomi. Eksport munden me ba të rrushit në secilin shtet mirëpo duhet me pas një adresë ajo që po e dërgon dhe kjo tjetra që po e pranon. Problematika është se këta po duan me shitë pa subjekte ekonomike, për me i ik evazionit fiskal qoftë Shqipëria e qoftë Mali i Zi, ata kanë qejf me shti në atë zinxhirin e kontrollit për taksa”, tha Kuqi.

Ndërsa sa i përket ruajtjes së rrushit Kuqi tha se vendi nuk ka kapacitet për ta bërë një gjë të tillë.

“Reshjet e fundit të shiut kanë ndikuar duke e kalbur rrushin në fushë, me të madhe është tu u kalbë rrushi. E kapacitet për me fut e me ruajt rrushin e tryezës vendi nuk ka e këto janë problematika teknike si pasojë e reshjeve të shiut”, u shpreh ai.

Edhe nga Drejtoria e Bujqësisë në nivel komunal pohojnë se vazhdimisht i kanë përkrahur vreshtarët e komunës së Rahovecit.

Drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku thotë se këtë vit është subvencionu edhe nafta, deri në 54 euro për hektarë vreshtarët kanë marrë ekstra subvension.

“I kemi përkrah fermerët me pajisje bujqësore kryesisht në sektorin e vreshtarisë që janë pllugun që shërben për lavrimin e vreshtave, po ashtu për bluarjen e hardhive të rrushit. Këtë vit është subvencionu edhe nafta diku 54 euro për hektarë kanë marrë ekstra subvension si pasojë e ngritjes së çmimeve në nivel global”, tha Duraku.

Sa i përket shitjes së rrushit, Duraku pohoi se janë në ekonominë e lirë të tregut në baze të ofertës dhe kërkesës është çdo gjë private, fermerët që gjejnë treg mund të gjejnë me çmim të mirë, por bodrumet që e kanë grumbulluar janë përcaktuar me një lloj të çmimit,  të cilin sipas tij e kanë ekskluzivisht për shkak që janë kompani private.

Por, vreshtari Haxhimurati thotë se nuk ka llogari as subvencione me marrë, pasi sipas tij janë shtrenjtua të gjitha.

“Shteti duhet me u mundu e me siguru tregun e shumica e vreshtarëve janë ftoftë nga kjo punë se s’po paguhet i merr katër apo pesë punëtorë ka 35 euro, ja paguan bukën dy euro shkojë gjysma e rrushit a pe sheh nuk ka leverdi sepse ka shumë punë”, thotë Haxhimurati.

Por, drejtor i Bujqësisë në Komunën e Rahovecit, Berat Duraku e sheh si të rrezikuar në përgjithësi sektorin e bujqësisë.

“Jo vetëm vreshtaria por në përgjithësi sektori i bujqësisë po rrezikohet sidomos këtë vit të cilin e llogarisim si vitin më të vështirë që nga pas lufta si rezultat i ngritjes së çmimeve në investimet që nevojiten për përpunim të produkteve bujqësore, këto vështirësi kanë me u shfaqë kryesisht vitin e ardhshëm të cilët ndoshta parcelat kanë me na mbet djerrinë e që fermerët tanë kanë me heq dorë nga prodhimi i produkteve bujqësore. Duhet të ndërrohet qasja e Ministrisë së Bujqësisë me rritjen e subvencioneve me mbulimin e humbjeve në sektorin e bujqësisë”, ka thënë Duraku.

Po ashtu Duraku tha se kanë kërkuar nga Ministria e Bujqësisë që të subvencionohet edhe eksporti, mirëpo deri më tani ende nuk është përfshirë ky lloj subvencioni./ arbresh.info/Vjollca Gajraku/

 

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme