Çështja e mos dhënies së subvencioneve për disa nga kategoritë prodhuese në Kosovë siç është ajo e verës dhe rakisë, ka bërë që shumë bodrume në këtë regjion të hasin në probleme për mos përballimin e sasisë së rrushit e që edhe ky i fundit është në rrezik si shkak i një sëmundje e cila ka filluar të përhapet në këtë vit në vreshta, shkruan arbresh.info.
Gazmend Daka, pronar i bodrumit “Daka” në Rahovec, për arbresh.info thotë se ka pasur ngecje në subvencionimin e vreshtave madje ai tha se subvencionimi ka rënë nën 1 milionë e 800 mijë.
“I kanë zvogëlu subvencionet e vreshtave ashtu që nuk kanë leverdi bujqit me punu rrushin, është rrezik edhe mos me i mbjell vreshtat e reja se këtë vit, posaçërisht është përhap një sëmundje në vreshta që thahet hardhia e rrushit ashtu që kanë fillu bujqit me nxjerr vreshtat edhe mendoj që nuk ka kush që i mbjell më vreshtat e reja. E këndej Kosova synon me mbjell rreth 700 mijë hektarë vreshta për me hy në BE, e në realitet po zvogëlohen vreshtat e politikat bahen që t’i për me hi në BE duhesh me pas kaq hektarë kaq verë. Nuk janë politikat favorizuese për bujqit”, vlerëson Daka.
Një gjë të tillë për arbresh.info e thotë edhee Gëzim Durguti, fermer dhe pronar i pesë hektarëve tokë me vreshta në Rahovec.
Sipas tij mungon përkrahja nga komuna dhe Ministria e Bujqësisë, madje kërkesa e tij ishte që bujqësia të përkrahet jo vetëm më fjalë, por edhe me vepra.
“Përkrahje nga komuna nuk kemi aq shumë, pasi që subvencionet asnjë njeri nuk e di saktë a do t’i marr apo jo të gjithë jemi tu jetu si në ajër. Kërkesa ime si fermer është pak ma shumë përkrahje për bujqësi, jo vetëm nëpër media por me punë” , deklaron Durguti.
E mungesa e infrastrukturës, Daka tha se është pengesë për përballimin e kapaciteteve në disa raste si shkak i mos dhënies së grandëve që ky bodrum të zgjerohet në raport me kërkesat.
“Për fat të keq ne si bodrum nuk kemi pas përkrahje institucionale nga Ministria e Bujqësisë. Qe sa vite konkurrojmë nuk marrim asnjë grand, është arsyeja se të njëjtit marrin, grande kanë përqindjen e vetë sa e japin-tek e japin, edhe neve nuk na japin se jemi një bodrum i vogël nuk kanë leverdi me na dhanë neve. Atje e merr përqindjen e vetë edhe s’do me u marr me të tjerët. Shumë mjete janë shfrytëzua në Kosovë në Ministrinë e Bujqësisë edhe nuk ka përparim këto janë të dhëna çka vinë nga Bashkimi Evropian, jo unë që e flas. Me një firmë apo me dy firma nuk zhvillohet regjioni i Rahovecit ose Kosova duhet të gjithë të përfitojmë që rrushi të shkepet në të gjitha bodrumet. Ne nuk kemi kapacitet me i mbulua gjithë ato vreshta”, thotë Daka.
Për këto pakënaqësi nga ana e prodhuesve vendorë arbresh.info i është drejtuar edhe Ministrisë së Bujqësisë për të marr përgjigjeje se pse deri më tani nuk janë subvencionuar këto bodrume por që nuk ka dhënë përgjigjeje në këtë drejtim.
Ndërkaq Ministria e Bujqësisë është përgjigjur çështjes së paraqitjes së një sëmundjeje në vreshta, ku thuhet se për këtë fenomen në vitin 2020 e ka formuar ekipin punues për monitorimin e sëmundjes “Eshka të hardhisë”.
“Departamenti i Vreshtarisë dhe Verëtarisë që funksionon në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit, që nga viti i kaluar kur ka pranuar informatat nga vreshtarët për paraqitjen e sëmundjes “Eshka e hardhisë” ka ndërmarrë hapa të nevojshëm për identifikimin dhe monitorimin e kësaj sëmundje. MBPZh-R-ja, duke e marrë seriozisht këtë fenomen në vitin 2020 e ka formuar ekipin punues për monitorimin e sëmundjes “Eshka të hardhisë”. Në kuadër të këtij grupi punues janë organizuar disa aktivitete me palët më interes për t’i njoftuar për ndërmarrjen e masave parandaluese të përhapjes së sëmundjeve në vreshta dhe për këtë qëllim është përgatitur edhe një udhëzues për menaxhimin e sëmundjeve, i cili iu është shpërndarë fermerëve që të kenë parasysh që t’i mirëmbajnë vreshtat e tyre’, thuhet në përgjigjen e tyre.
Tutje në përgjigjen e tyre thuhet se për këtë çështje janë angazhuar edhe profesorë në Fakultetin e Bujqësisë në Zagreb të Kroacisë, ku gjatë muajit shtator të këtij viti në bashkëpunim më ekspert tanë janë marr disa mostra të hardhive për viroza, fitoplazme dhe për “Eshkën e hardhisë”.
“Për këtë qëllim madje kemi angazhuar edhe profesorë nga Fakulteti i Bujqësisë në Zagreb të Kroacisë dhe gjatë muajit shtator të këtij viti në bashkëpunim më ekspert tanë janë marr mostra të hardhive për viroza, fitoplazme dhe për Eshken e hardhisë. Mostrat janë marrë në të gjitha lokalitetet vreshtare në Rahovec dhe këto mostra janë dërguar për analiza në Fakultetin e Bujqësisë në Zagreb- Departamentin e Fitopatologjisë dhe aktualisht jemi në pritje të analizave që të kuptojmë qartë se cili është shkaktari i kësaj sëmundje që më të vërtetë është shqetësues. Në të njëjtën kohë në bashkëpunim me Institutin Bujqësor të Kosovës dhe inspektoret fitosanitar, kemi bërë monitorimin e insektit Cikadja e hardhisë së rrushit –Scaphoidus titanus, insekt i cili është bartës i Flavesencës së art të hardhisë, sëmundje kjo e rrezikshme për vreshta”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Bujqësisë.
Ata thonë se janë në fazën e analizimit të gjitha informacioneve dhe mostrave të marra nga terreni dhe deri në fund të vitit në varësi të rezultateve të analizave laboratorike nga Zagrebi dhe IBK-ja do të përgatitet një manual për menaxhimin e kësaj sëmundje./S.DEDUSHI/arbresh.info/
Shqipëria 2030 në BE, Rama: Plotësisht e mundur
Regjistrohet tërmet në Maqedoninë e Veriut
Abdixhiku pret në takim ambasadorin e Zvicrës, flasin për zg...
Kurti: Forca jonë po rritet vazhdimisht, Republika po fuqizo...
Sulmuesi kuqezi Jasir Asani shënon sërish me fanellën e Guan...
I riu u vetëplagos me armë/ Policia e Kukësit zbardh ngjarje...