Google ADS

Vrasjet e plagosjet aksidentale nga policët/ “6 muajt e parë pa armë dhe të zgjatën trajnimet”

10:00 | 26 Tetor 2024
K.B

Gjatë muajit korrik, një 16 vjeçar kishte vdekur, pasi u plagos nga zyrtari policor në Istog.

Zyrtari policor me inicialet F. H. dyshohet se më datë 15.07.2024 në 23:35h, ka shkrepur armën duke goditur në kokë viktimën, familjarin e tij të mitur 16-vjeçar.

I njëjti më pas u suspendua nga Inspektorati Policor i Kosovës. Ai dyshohet se veprën penale e kreu teksa ishte në uniformë zyrtare duke u bërë gati për të filluar orarin e punës.

Ky nuk është rasti i vetëm, kur zyrtarët policorë kanë shkrepur me armë, duke plagosur incidentalisht të afërmit e tyre.

Më 5 tetor një polic ka plagosur nga pakujdesia nënën e tij.

Polici që dyshohet se plagosi nënën e tij në Prishtinë, diplomoi në gusht të këtij viti.

Inspektorati Policor (IPK) kishte njoftuar për suspendimin e policit.

E disa ditë më vonë, më 11 tetor në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë, një zyrtare policore është plagosur nga kolegu i saj në vendin e punës.

Inspektorati Policor i Kosovës atëkohë kishte njoftuar se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor, shkruan Arbresh.info

Ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar.

E lidhur me gjithë këtë, Arbresh.info ka dërguar pyetje tek Policia e Kosovës se a duhet të zgjaten trajnimet për policët e rijnë që i

bashkohen këtij Institucioni, por nuk kanë kthyer përgjigje.

Lidhur me këtë çështje ish-hetuesi policor, Rrahman Sylejmani për Arbresh.info thotë se trajnimet nëpër të cilat po kalojnë policët nuk janë të mjaftueshme.

“Bazuar në incidentet e fundit por jo vetëm këto por edhe ma parë shkrepjet aksidentale apo edhe të tjera po shkaktohen nga zyrtarët policor të gjeneratave të reja prandaj ndër elementet kyqe qëndron fakti se në rendë të parë trajnimet nëpër të cilat po kalojnë ata gjatë qëndrimit në Akademinë Policore nuk janë të mjaftueshme si në aspektin e kohëzgjatjes njashtu dhe cilësisë. Njashtu edhe pasi po fillojnë punën nëpër stacionet policore po vërehet se edhe aty ka mungesë të rreshterëve si mbikëqyrës së vijës së parë dhe edhe ai trajnim fushor që po ju ofrohet nuk është i cilësisë së duhur”, thotë Sylejmani.

Për tu tejkaluar kjo situatë, sipas tij duhet të ngritët mosha e së drejtës për të aplikuar për policë nga 18 të jetë minimum 20 vjeçarë apo më lartë në 22 vjeçarë, duke shtuar se po vërehet se në moshën e re nuk e kanë as pjekurinë e duhur për t’i akceptuar të gjitha detyrat si dhe rregullat e shërbimit.

“Si masë më e ashpër ndoshta ishte dashur të mendohet nga menaxhmenti policor që në 6 mujorin e parë të punës së tyre në teren të jenë pa armë apo së paku atë ta bartin vetëm gjatë detyrës dhe jo edhe jashtë saj”, thekson ai.

Rastet e tilla janë shqetësuese edhe për nënkolonelin policor në pension, Refki Morina.

Ai për Arbresh.info thekson se nuk mendon se është duke u bërë ajo që duhet bërë në Akademinë Policore, sa i përket trajnimit me armë.

“Rastet e tilla fatkeqësisht janë shqetësues jo vetëm për mua si Nënkolonel Policor por edhe për koleget e mi por edhe për mbarë popullatën tonë. Unë droj se nuk është duke bërë atë që duhet bërë në Akademinë Policore sa i përket trajnimit për armë që kanë për qellim bartjen dhe mbajtën e armës”, thotë Morina.

Sipas tij në Akademinë Policore duhet të ketë trajnime të shtuara sa i përket armëve.

Morina thotë se trajnime duhet të tilla duhet të ketë edhe pasi të dalin në detyrë si zyrtarë të rinj të policisë.

“Këto trajnime për të gjithë zyrtarët policor duhet të ketë trajnime më së pakti çdo muaj . Pra duhet trajnime të shtuara në Akademinë Policore por trajnimet e tilla duhet të vazhdojnë çdo herë edhe pas kryerjes së Akademisë Policore, të krijohet një kulturë për bartjen dhe mbajtjen, përndryshe nëse nuk ndërmerret diçka më shpejt për trajtime të shtuara si të kadetëve ashtu edhe te zyrtarët policorë që kryejnë detyra zyrtare”, shprehet ai.

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), për Arbresh.info thekson se duhet të zgjatjet trajnimi.

Sipas asaj që thotë ai, departamentet përkatëse, duhet të jeni më efektive, duke krijuar kulturë e përgjegjësi.

“Përveç rëndësisë së kohëzgjatjes së trajnimit, e rëndësishme është edhe aspekti disiplinor që duhet të jetë në mënyrë permanente që nga dita e parë e deri tek e fundit për një zyrtar policor, që nënkupton që nga aspekti etik, qasjes ndaj qytetarëve, përdorimit të autorizimit dhe kompetencave saktë, sipas standardeve, ku këtu hyn edhe arma. Pra këtu departamentet përkatëse ai për disiplinë dhe standarde duhet të jenë më efektive, duke krijuar kulturë dhe përgjegjësi në nivel hierarkie”, thotë ai.

Ndryshe, këtë vit u mbajt, ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 60-të Policisë së Kosovës.

448 policë të rinj diplomuan në këtë ceremoni./Arbresh.info/Kujtesë Berisha/

Të ngjashme