Vrasja e shqiptares në Gjermani, detaje të rënda mbi krimin dhe autorin

13:35 | 30 Maj 2018
Arbresh.info

Dy ditë pas krimit makabër që ndodhi në Salzgitter të Gjermanisë, detaje të reja janë publikuar nga mediat atje. Vrasja e shqiptares nga Kosova, Emine Abazaj dhe plagosja e motrës së saj ka tronditur jo vetëm opinionin publik dhe komunitetin atje, por ka vënë gjithashtu në pikëpyetje veprimet e policisë.

Nëna e 4 fëmijëve, të moshës 2 e gjysmë deri në 6 vjeç, u vra pasditen e së hënës nga ish-partneri i saj, i identifikuar si Anton B.

Ai shkoi në shtëpinë ku jetonte 30-vjeçarja me makinën e tij Golf 7 dhe zbrazi një karikator të tërë në drejtim të dy motrave.

Gjithçka ndodhi në sy të fqinjëve të shumtë, të cilët njoftuan menjëherë ambulancën.

Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 30-vjeçarja ndërroi jetë në vendngjarje, pasi kishte marrë plagë në kokë. Ndërsa motra e saj Arlinda, 32-vjeç, mori një plumb në bark dhe fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.

Çifti, i martuar me dasmë tradicionale, por jo sipas ligjeve gjermane ishin në gjyq për kujdestarinë e fëmijëve.

Adresa e shtëpisë iu dha nga gjykata

Duke qenë se ndihej e kërcënuar nga ish-partneri i saj, Emine mësohet se jetonte në një shtëpi nën mbrojtjen e autoriteteve gjermane. Madje mbi Anton B, i cili nuk ishte emër i panjohur për policinë, kishte një urdhër ndalimi për të mos iu afruar gruas.

Por pikërisht gjatë seancës së radhës, të zhvilluar të hënën, një pakujdesi në gjykatë zbuloi adresën ku jetonte 30-vjeçarja, duke i dhënë kështu dënimin me vdekje.

Kush është Anton B., dhe dyshimet për lidhje me ISIS

Vetëm disa orë para krimit të rëndë, në sallë të gjyqit, Anton B. e kishte kërcënuar 30-vjeçaren në Gjuhën Shqipe duke thënë se do ta “zhdukte”.

Për shkak se 38-vjeçari konsiderohej i dhunshëm, gruaja ishte shfaqur në gjykatë e shoqëruar nga policia dhe ishte kthyer në shtëpi po me ta.

Emri i Anton B. ishte i njohur për policinë në Saksoninë e Poshtme. Ai dyshohej se ishte radikalizuar dhe herë pas here vizitonte një xhami, e cila ishte nën monitorim nga autoritetet në Osnabruck. Madje shpesh, 38-vjeçari thoshte se “duhet të ndihmojmë vëllezërit tanë në Siri”. Ai u përpoq gjithashtu që të radikalizonte familjen e tij. Mediat gjermane shkruajnë se në shtëpinë e tij në Osnabruck u gjet edhe një flamur i ISIS.

Anton dyshohet prej kohësh se kishte lidhje me grupet salafiste dhe kishte ndryshuar disa herë identitetin. Madje edhe “Anton” mësohet se nuk është emri i tij i vërtetë.

Detaje këto të konfirmuara edhe nga vëllai i viktimës, Blerim Abazaj, i cili në një intervistë për Pi-News, tha se ndonëse në dijeni për rrezikun që i kanosej motrës së tij nga ish-partneri, autoritetet policore nuk kishin bërë asgjë për ta mbrojtur atë.

Skena e vrasjes, e frymëzuar nga videot e ekstremistëve

Vëllai i 30-vjeçares tregoi edhe për skenën e krimit të rëndë. Sipas tij, Anton kishte ardhur me makinën e tij dhe pa ngritur frenat e dorës, kishte dalë jashtë saj teksa automjeti vijoi të shkonte poshtë në rrugë.

Me një armë në dorë ai iu ishte afruar familjes. Nëna dhe motra e Emines ishin përpjekur që ta ndalnin dhe gjatë kësaj kohe ishte dëgjuar një e shtënë. Anton kishte plagosur motrën e viktimës në bark.

Pikërisht në këtë moment Emine kishte ndërhyrë duke iu lutur që të ndalonte, por ajo u përball me një plumb në kokë.

Policia nuk konfirmon radikalizimin e Anton B.

Pavarësisht dyshimeve si simpatizant i ISIS, apo për lidhje me salafistët, policia në Salzgitter nuk pranoi që të prononcohej për këtë çështje, duke u shprehur se nuk dëshironte të spekulonte.

Anton B. u arrestua nga policia të martën, një ditë pas krimit. Ndërsa fëmijët e çiftit mësohet se po qëndrojnë me gjyshërit e tyre dhe janë të traumatizuar nga ngjarja e rëndë. /tvklan.al

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme