Vrasja e një polici dhe plagosja e një tjetri në veri, Osmani: Sulme të organizuara nga Serbia

08:41 | 24 Shtator 2023
E.H

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka reaguar pas vrasjes së një polici të Kosovës dhe plagosjes së një tjetri në veri të vendit nga bandat kriminale.

Sipas Osmanit, vrasja dhe plagosja e një polici në veri është e planifikuar, orkestruar dhe ekzekutuar nga bandat kriminale serbe, teksa e quajti sulm ndaj Kosovës.

“Këto sulme dëshmojnë edhe njëherë fuqinë destabilizuese të bandave kriminale, të organizuara nga Serbia, të cilat prej shumë kohësh, siç është dëshmuar edhe me sulmet ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, gazetarëve e qytetarëve, po synojnë të destabilizojnë Kosovën dhe rajonin. Sulmet e organizuara kundër forcave të rendit të Republikës së Kosovës janë sulme kundër sovranitetit të Republikës së Kosovës”, tha Osmani.

Më tej, ajo tha se pret që aleatët e Kosovës ta mbështesin vendin në përpjekjen për të vendosur rend e ligj në çdo pjesë të Republikës.

“Familjes së policit të vrarë ju shprehim ngushëllime të thella dhe i sigurojmë se autorët e këtyre akteve terroriste nuk do të mund t’i ikin drejtësisë.Ftoj të gjithë qytetarët, institucionet dhe subjektet politike që të qëndrojnë të bashkuar në këtë kohë kur nga Serbia po sfidohet hapur integriteti territorial, siguria dhe sovraniteti i Republikës sonë. Si Presidente e Republikës kam besimin e plotë në djemtë dhe vajzat tona nga Policia e Kosovës”, thuhet në reagimin e Osmanit./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme