Google ADS

Vrasja e kuksianit në “Kobra City”, Prokuroria kërkon vazhdimin e paraburgimit për Kobrën

14:52 | 1 Shkurt 2023
Emir Abduramani

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Dibran Hoxhaj – Kobra, për vrasjen e një kuksianit dhe plagosjen e një tjetrit, mëngjesin e 3 janarit në Prizren.

Këtë për arbresh.info e ka konfirmuar zyrtarja për komunikim në këtë prokurori, Fitore Mehmeti, e cila tha se kjo kërkesë është bërë gjatë ditës së djeshme, me dyshimin se “Kobra” ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

“Prokuroria Themelore në Prizren ju njofton se, me datë 31.01.2023 pranë Gjykatës Themelore në Prizren ka paraqitur kërkesë për vazhdim të masës së paraburgimit ndaj D.H., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”, tha Mehmeti për arbresh.info.

Ajo gjithashtu bën të ditur se është bërë kërkesë për vazhdimin e paraburgimit edhe ndaj pesë të arrestuarve tjerë, A.V, B.M, J.B, K.G dhe E.A, për veprat penale “Manipulim me prova” dhe “Pjesëmarrje në rrahje”.

Gjithashtu u theksua se ky rast është ende në fazë të hetimeve dhe nuk mund të publikohen më shumë detaje.

“Po ashtu, ndaj të pandehurve D.H., A.V., B.M. J.B, K.G dhe E.A., për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale “Manipulim me prova” nga neni 389, dhe “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187 të KPRK-së.

Rasti, është duke u trajtuar dhe hetuar nga prokuroria, andaj në këtë fazë nuk mund t’ju japim më shumë detaje.”, konfirmoi Mehmeti për arbresh.info.

Gjykata Themelore në Prizren më 3 janar pati caktuar 30 ditë paraburgim për Dibran Hoxhaj – Kobra, i cili dyshohet se mëngjesin e së martës së 3 janarit pas një rrahje që ndodhi në lokalin e tij “Kobra City” në Prizren, gjuajti me armë ndaj tre kuksianëve, nga të cilët një 31-vjecar mbeti i vrarë dhe një 29-vjecar u plagos.

31-vjecari ndërroi jetë gjatë shkuarjes nga Prizreni për në spitalin e Kukësit, teksa vrasja e tij dyshohet të ketë ndodhur si pasojë e mospagesës së faturës nga i ndjeri për shërbimet që kishte marrë në lokalin e Kobrës, faturë kjo e cila vlerësohet të ketë qenë afro 400 euro.

Në lokalin e Kobrës, pas bastisjes Policia e Kosovës kishte gjetur vetëm dy gëzhoja të plumbave, pa arritur të sigurohet ndonjë provë tjetër.

Para vrasjes tragjike, Kobra edhe më herët ka qenë i dyshuar për vepra penale të ndryshme, kryesisht për armëmbajtje pa leje dhe për pjesëmarrje në rrahje të ndryshme./EmirAbduramani/arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme