Në gjykimin për vrasjen e ish-politikanit serb Oliver Ivanoviq, gjykata mori vendin me të cilin u lexuan deklaratat e 40 dëshmitarëve të propozuar si në aktakuzë, për të cilat mbrojtja pati vërejtje e kundërshtime.
Këtë vendim e morri trupi gjykues, në seancën e së premtes, në fazën e administrimit të provave materiale.
Në këtë rast, për përfshirje në vrasjen e Ivanoviqit, e cila kishte ndodhur në janar të 2018-ës, po akuzohen Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Rade Basara.
Fillimisht, para leximit të provave, mbrojtësi i të akuzuarit Marko Roshiq, avokati Mahmut Halimi ka paraqitur një vërejtje të përbashkët të avokatëve.
Sipas tij, mbrojtja ka ardhur në përfundim se këto deklarata nuk e plotësojnë standardin që kërkon dispozita e nenit 129 të Kodit të Procedurës Penale.
Halimi ka thënë se këto deklarata në fakt janë procesverbale mbi marrjen në pyetje në procedurë paraprake.
“Procesverbalet mbi marrjen në pyetje në procedurë paraprake nuk mund të lexohen si prova”, tha avokati Halimi.
Në lidhje me këtë, prokurori special Burim Çerkini deklaroi se duke u bazuar në fjalët e avokatit Halimi detyrohen të kthehen në fillimin e vitit 2023, ku sipas tij në njërën nga seancat të njëjtit avokat janë pajtuar që këto dëshmi të konsiderohen të lexuara.
“Kështu që po bijim në kundërshtim me propozimet e paraqitura para një viti dhe po kthehemi prapë në situata jo të mira. Pra, nëse vendoset që këto dëshmi nga gjykata të vlerësohen jo prova apo të mos konsiderohen si të lexuara me keqardhje kërkojmë ndërprerjen e seancës të vlerësohet secila dëshmi dhe këta dëshmitarë që kane dhënë deklaratë që me u plotësu kushti sipas avokatit Mahmut Halimi i nenit 129 të ftohen këtu dhe të dëgjohen”, tha tutje prokurori Çerkini, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Mirëpo, sipas avokatit Halimi, çdo pasojë që shkaktohet si rezultat i shkeljes së dispozitave të procedurës penale duhet ta paguajë ai që e ka shkaktuar, e që sipas tij në këtë rast është prokuroria.
“Në këtë rast është prokuroria e cila është përpjekë, që të shprehem ashtu, nën mangën e dorës t’i fusë si prova një pjesë të shkresave të cilat në fakt nuk e kanë emrin e provës, e deklaratës, janë procesverbale mbi marrjen në pyetje”, tha Halimi.
Edhe avokati Halimi, edhe mbrojtësi i të akuzuarit Dragisha Markoviq, avokati Dejan Vasiq deklaruan se nuk është fajtor prokurori aktual, pasi që sipas tyre tjetër prokuror ka bërë hetimin dhe aktakuzën.
“Vet prokuroi thotë se këto prova janë totalisht të parëndësishme, e unë dua ta thjeshtësoj një gjë, zotëri kryetar këto prova propozohen vetëm si rregull që të vendoset që në këtë lëndë ka diçka por në vërtetë nuk ka asgjë”, tha avokati Vasiq.
Më pas kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Valon Kurtaj mori vendim me të cilin ka refuzuar kundërshtimin e mbrojtjes, me arsyetimin se të gjitha këto deklarata nuk janë të titulluara si marrje në pyetje por janë si dëshmi të dëshmitarëve, konkretisht procesverbal i dëgjimit të dëshmitarit.
Sipas Kurtaj, edhe pse këto deklarata janë marrë në vitin 2018 kur një Kod tjetër i Procedurës Penale ka qenë në fuqi, veprimet të cilat janë marrë më parë nuk abrogohen me hyrjen në fuqi të Kodi të Ri të Procedurës Penale.
“Gjykata këto dëshmi ose prova, këto deklarata, do t’i administroj po se po, por do t’i merr në konsideratë si çdo provë tjetër që është në shkresat e lëndës”, tha tutje Kurtaj,
Një propozim tjetër për shpallje të disa provave si të papranueshme pati edhe mbrojtësi i të akuzuarit Nedeljko Spasojeviq, i cili specifikisht e pati fjalën për disa procesverbale mbi dëgjimin e dëshmitarëve.
Sipas tij, në këto procesverbale është konstatuar prezenca e togerëve Besim Smakolli dhe Mehdi Kozhani.
“Kur prokuroi i shteti i ka marrë këto deklarata, çdo gati dëshmitar ka thënë se prokurori i shtetit ka dhënë mundësinë edhe policëve të parashtrojnë pyetje, a interesant është se tek i mbrojturi im procesverbali i datës 07.03.2019 nuk ka konstatim se janë policë, por ky thotë se këta dy policë kanë parashtru pyetje, prokuroi ka qen pasiv”, tha avokati Korenica.
Ndërsa, i akuzuari Spasojeviq tha se deklarata e tij është ndryshuar.
“Deklaratën nuk ma kanë dhënë ta lexoj sepse ka qenë në gjuhen shqipe, prokurori ka qenë tjetër nuk ka qenë ky prokuror, më është lexuar nga ana e përkthyesit dhe avokati më ka thënë nënshkruaje edhe pse unë nuk e kam lexuar në gjuhen time”, tha Spasojeviq.
Por, sipas prokurorit Çerkini në asnjërin prej procesverbaleve të përmendura nga avokati Korenica nuk specifikohet se pyetja është bërë nga hetuesi.
“Në asnjërin prej tyre nuk specifikohet që pyetja është bërë nga hetuesit, por pyetja është bërë nga prokurori dhe është nënshkru edhe nga dëshmitarët edhe nga të pandehurit edhe nga avokatët”, tha Çerkini.
Po ashtu, sipas prokurorit Çerkini nëse avokati ka qenë prezent në marrjen në pyetje kur janë marrë para prokurorit të shtetit, është dashur që këtë çështje me ngrit avokati dhe prokurori ta konstatoj në procesverbal.
“Nuk e kena asnjë dispozitë e Kodit të Procedurës Penale që e ndalon që prokurori i rastit të ketë afër hetuesit e rastit me të cilët ka punu”, tha Çerkini.
Edhe ky propozim i avokatit Korenica u refuzua nga trupi gjykues, me arsyetimin se në raport me papranueshmërinë e provave tani më vendimi i shqyrtimit të dytë i cili është i formës së prerë ka konstatuar se këto prova nuk janë të kundërligjshme.
Andaj, trupi gjykues, në vazhdim vendosi që të lexohen deklaratat e dëshmitarëve të paraqitura në faqen 7 dhe 8 të aktakuzës, ku janë gjithsej 40 deklarata.
E në lidhje me këtë vendim, të gjithë mbrojtësit e të akuzuarve dhe të akuzuarit, përpos të akuzuarit Rade Basara dhe avokatit të tij Tomë Gashi (të cilët nuk patën vërejtje), qëndruan pranë vërejtjeve dhe kundërshtimeve të paraqitura nga avokati Halimi dhe Korenica.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Më pas, më 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, sipas së cilës, Nedeljko Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen se kanë kryer veprën penale “Pjesëmarrja dhe organizimi i grupit kriminal të organizuar” nga neni 283, par.3 lidhur me par.1 të Kodit Penal, lidhur me veprat penale “Vrasje rëndë” nga neni 179, par.1.9 të Kodit Penal dhe veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, par.2, nënpar.2.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Në Speciale fillon dëshminë Halil Çadraku
Gresa nuk i beson arsyetimit të Drilonit në raport me deklar...
Osmani takoi deputeten britanike, Alicia Kearns
Ministrat e G7-ës takohen në Itali për të diskutuar për konf...
Sulmuesi kosovar po shkëlqen në Rumani
Vendoset gurthemeli i nënstacionit të Policisë së Kosovës në...