Vrasja e Ivanoviqit, edhe një rast në proceset e gjata nën hetime

12:08 | 20 Maj 2018
V. S.

Vrasja e politikanit serb nga Mitrovica, Oliver Ivanoviq, gradualisht po hynë në kuadër të rasteve të vrasjeve që kanë mbetur nën hetime, pa u zbardhur.

Pesë muaj që kur Ivanoviq ishte qëlluar për vdekje para selisë së partisë së tij në Mitrovicë, institucionet përgjegjëse thonë se nuk po arrijnë të sigurojnë informatat e nevojshme në lidhje më zbardhjen e këtij rasti.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile vlerësojnë se edhe hetimet rreth rastit Ivanoviq, po hyjnë në kuadër të rasteve të pandriçuara për vrasjet e figurave publike që kanë ndodhur para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Ndërkaq, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës theksojnë se hetimet për zbardhjen e rastit Ivanoviq, janë duke u zhvilluar në mënyrë intensive, por që sipas tyre, Beogradi zyrtar nuk po tregon vullnet për të bashkëpunuar me institucionet e Kosovës, në mënyrë që autorët e kësaj vepre kriminale, të sillen para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Oliver Ivanoviq ishte vrarë më 16 janar, para selisë së partisë së tij në Mitrovicën Veriore. Ai ishte lider i Iniciativës qytetare “Liria, Demokracia dhe Drejtësia”.

Ministri i Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Abelard Tahiri tha për Radion Evropa e Lirë se autoritetet kosovare në vazhdimësi po merren me këtë çështje, por që aktualisht ka një ngecje, për shkak të pamundësisë së marrjes se informacioneve të kërkuara nga Beogradi.

“Tani së fundi kemi pasur një ngecje pasi nuk kemi arritur të marrim ato informacione që kemi kërkuar nga Republika e Serbisë. Kurse institucionet tona kanë vazhduar më intensitet të njëjtë punën që sa më shpejtë të arrihet që kryerësit e kësaj vepre të dalin para drejtësisë”.

“Ne nuk do të ndalemi në asnjë rrethanë dhe do të bëjmë përpjekje të vazhdueshme që vrasësit e Ivanoviqit të dalin para drejtësisë”, tha Tahiri.

Pak ditë pas vrasjes së Ivanoviqit, Ministria e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës i kishte dërguar katër kërkesa të Qeverisë se Serbisë.

Po ashtu, edhe autoritetet në Serbi kanë kërkuar nga autoritetet e Kosovës shkëmbim të informatave rreth hetimeve. Por, në fund doli që më shumë të ketë fajësime reciproke sesa bashkëpunim.

Sipas ministrit Tahiri, pala kosovare ka treguar vullnet dhe është e gatshme për bashkëpunim.

Në anën tjetër, përfaqësues të Institutit të Kosovës për Drejtësi, theksojnë se në Kosovë është bërë praktikë që zbardhja e rasteve të vrasjeve që kanë ndodhur të figurave publike, t’i mbulojë pluhuri.

Ehat Miftaraj nga ky Institut, dyshon se ky rast mund të zbulohet ndonjëherë, pasi siç thotë ai, vetë mënyra e fillimit të hetimit nga Prokuroria Themelore e Mitrovicës dhe jo nga Prokuroria Speciale e Republikës se Kosovës është e paqartë dhe e pakuptimtë.

Pastaj edhe mungesa e bashkëpunimit të shtetit serb më atë të Kosovës, sipas tij, ndikon në këtë proces.

“Është bërë praktikë në Republikën e Kosovës që rastet që janë të rëndësisë së veçantë, që janë të profilit të lartë, të hyjnë në një kuadër të atyre rasteve që i mbulon pluhuri”.

“Rasti Ivanoviq në një mënyrë hynë në kuadër të këtyre rasteve. Dhe me vetë faktin se kemi të bëjmë më një vrasje të një lideri politik, dihet se rastet e tilla, nëse institucionet dështojnë që t’i zgjidhin për një kohë të shkurtër, atëherë me kalimin e kohës bëhet edhe më e vështirë dhe kështu rezultatet në këtë rast mungojnë”, thekson Miftaraj.

Ndryshe, krerët më të lartë të shtetit përfshirë edhe Kryeprokurorin e Kosovës, disa herë kanë përsëritur qëndrimin e tyre se do angazhohen për hetimin dhe zbulimin e të gjitha vrasjeve të figurave publike, të ndodhura para, gjatë dhe pas luftës së fundit në Kosovë.

Por, Ehat Miftaraj thekson se liderëve politikë, asnjëherë nuk iu ka munguar vullneti që përmes deklaratave t’i ndriçojnë këto raste, por në praktikë, thotë ai, nuk ndërmarrin asgjë që të ndryshohet sistemi i drejtësisë.

“Në vazhdimësi të gjitha institucionet, të gjitha partitë politike kanë neglizhuar dhe nuk kanë ndërmarrë veprime që të kemi një fuqizim të Prokurorisë Speciale, me numër të prokurorëve të mjaftueshëm”.

“Kanë dështuar të ofrojnë numër të mjaftueshëm të gjyqtarëve në mënyrë që të kenë komoditetin dhe pastaj të munden të ushtrojnë kompetencat e tyre në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, shprehet Mifataraj.

Sidoqoftë, Kryeprokurori i Shtetit, në fillim të këtij viti ka thënë se në vitin 2018 pret një angazhim të madh të të gjithë prokurorëve, në siç ka thënë ai, sfidat kryesore si korrupsioni i nivelit të lartë, krimi i organizuar, terrorizmi, krimet e luftës dhe vrasjet e pandriçuara të figurave publike para, gjatë dhe pas luftës./REL/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme