Gjykata Themelore në Pejë, e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 7 vite e 6 muaj burgim të akuzuarin Shaban Gogajn, për vrasjen Agonis Tetaj, në shtator të vitit 2018 në Deçan.
Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Gogaj u shpall të premten, nga kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, i pandehuri Shaban Gogaj për vrasje nga pakujdesia u gjyku 5 viteve kurse per armëmbajtje pa leje me 3 vite burgim.
Gjykata cakton dënimin unik prej 7 viteve e 6 muaj. Kurse i pandehuri Isuf Cacaj për armëmbajtje pa leje dënohet me 2000 euro.
Historiku procedural i rastit
Procesi gjyqësor në rastin Gogaj u zhbllokua më 6 tetor, pasi është caktuar mbrojtëse sipas detyrës zyrtare, avokatja Sabrije Abazi, e cila u caktua si avokate në gatishmëri, në përputhje me radhën sipas memorandumit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK).
Seanca e caktuar më 27 shtator, kishte dështuar pasi avokati Blerim Ademaj i caktuar si mbrojtës në gatishmëri për të pandehurin Gogaj, mungoi në seancë për shkak se i njëjti pretendon se gjykata nuk ka të drejtë ta angazhojë sipas detyrës zyrtare, por Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK).
Ndryshe, më 8 shtator 2022 avokati Liridon Tafa, i caktuar si avokat sipas detyrës zyrtare për mbrojtjen e të pandehurit Shaban Gogaj, e kishte liruar sallën e gjykimit gjatë shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Pejës, pasi njoftoi trupin gjykues se ishte kanosur nga tani i pandehuri Shaban Gogaj.
Në seancën e mbajtur më 23 gusht 2022 mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare nga gjykata për të akuzuarin Shaban Gogaj, avokati Liridon Tafa, ka pranuar të mbrojë Gogajn, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për vrasje të rëndë të Agonis Tetajt. Por, edhe ky mbrojtës u kundërshtua nga i akuzuari.
Seanca e mbajtur më 27 korrik 2022, kishte dështuar pasi avokati Asdren Mekaj ishte tërhequr nga mbrojtja pasi i akuzuari Gogaj tha se nuk dëshiron mbrojtës tjetër përveç Besnik Berishës.
Edhe seanca e 4 korrikut, kishte dështuar pasi mbrojtësi i ri i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati Asdren Mekaj ka kërkuar kohë shtesë të përgatisë mbrojtjen dhe të njihet me shkresat e lëndës, pasi është caktuar avokat i Gogajt sipas detyrës zyrtare.
Kurse, seanca e 22 qershorit kishte dështuar të mbahet pasi mbrojtësi i të pandehurit Shaban Gogaj, avokati i caktuar sipas detyrës zyrtare, Haxhi Çekaj kishte munguar në seancë, pasi sipas parashtresës së dërguar në gjykatë, kishte thënë se i pandehuri nuk ka pranuar ta përfaqësonte atë në gjykatë.
Ndryshe, pas 9 muajsh bllokadë në zhvillimin e seancave gjyqësore ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve(OAK), më 22 prill 2022, kishte vendosur që të shfuqizojë vendimin e saj që ndaj Gogajt të mos caktohet ndonjë avokat sipas detyrës zyrtare.
Pasi mbrojtësi i të pandehurit Gogaj, avokati Besnik Berisha ishte përjashtuar nga dhënia e mbrojtjes për shkak të prishjes dhe rendit të gjykatës, për shkak të këtij vendimi, shumica e avokatëve të cilët ishin caktuar nga ana e Gjykatës së Pejës për të përfaqësuar Shaban Gogaj, kishin refuzuar të japin mbrojtjen e tyre për shkak të vendimit të OAK që ndalonte avokatët sipas detyrës zyrtare ta përfaqësonin Gogajn në gjykatë.
Në seancën e 25 nëntorit 2021, i akuzuari Gogaj kishte refuzuar të caktojë mbrojtës tjetër përveç avokatit Besnik Berisha.
Gjithashtu, kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, në një konferencë për media të mbajtur më 10 dhjetor 2021, lidhur me përjashtimin e avokatit Besnik Berisha në rastin e të akuzuarit Shaban Gogaj, ka thënë se këtij të fundit po i mohohet e drejta për zgjedhjen e avokatit. po ashtu, Ejupi në atë konferencë ka thënë se çdo avokat që nuk respekton vendimet e tyre bën shkelje disiplinore.
Në seancën e 1 prillit të këtij viti, avokati Gani Kelmendi e kishte njoftuar gjykatën se pa vullnetin e tij ishte tërhequr nga dhënia e mbrojtjes për të pandehurin Gogaj, pasi që ishte paralajmëruar për heqjen e licencës së avokatit, nëse ai e përfaqëson këtë çështje penale.
Kurse, në seancën e 16 shkurtit 2022, avokati Gëzim Kollçaku, i cili i ishte caktuar të akuzuarit Gogaj si mbrojtës sipas detyrës zyrtare, ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë, për zvarritje të procedurës penale, i cili nuk ka pranuar të mbrojtë të pandehurin Gogaj.
Në të njëjtën seancë, gjykatësja Husaj-Rugova tha se meqenëse Oda e Avokatëve nuk ka pranuar me caktuar avokat, do t’i thërrasin gjithë avokatët në Kosovë, derisa të plotësohen kushtet ligjore.
Ndërsa, në seancën e mbajtur më 31 janar 2022, mbrojtësi i të akuzuarit Shaban Gogaj, avokati Gëzim Kollçaku ishte dënuar për herë të tretë me 250 euro gjobë për zvarritje të gjykimit.
Edhe më 30 dhjetor 2021, kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova ka shqiptuar 250 euro gjobë ndaj avokatit Kollçaku, i cili kishte munguar në seancën e 29 dhjetorit, duke refuzuar ftesën e gjykatës.
Më 25 dhjetor 2021, Ministria e Drejtësisë (MD) kishte miratuar propozimin për ndalimin e ekzekutimit të vendimit të OAK-së për moscaktim të avokatit në rastin Gogaj.
Ndryshe, kjo lëndë penale ishte ndërprerë, pasi gjykatësja e rastit Husaj-Rugova i kishte shqiptuar vërejtje, dënim me gjobë prej 500 eurosh dhe më pas e kishte përjashtuar mbrojtësin e të pandehurit Gogaj, avokatin Besnik Berisha, për shkak të prishjes dhe rendit në seancë gjyqësore.
Vendimi i gjykatëses ishte atakuar dy herë në Gjykatën e Apelit, kur kjo e fundit përfundimisht kishte konstatuar se Gjykata e Pejës kishte vendosur drejtë kur kishte dënuar me gjobë avokatin Berisha.
Sipas vendimit të marrë më 27 tetor 2021, Gjykata e Apelit kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e avokatit Besnik Berisha dhe ka vërtetuar dënimin me gjobë prej 500 euro të Gjykatës së Pejës për shkak të prishjes së rendit në gjykatore.
Gjykata e Apelit ka vlerësuar se Gjykata e Pejës ka vendosur drejtë kur ka shqiptuar dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha.
“Kjo Gjykatë pajtohet në tërësi me gjetjet e gjykatës së shkallës së parë, duke marrë parasysh se avokati ka prishur rendin në gjykatë disa herë që i është tërhequr vërejtja, dhe përkundër kësaj, ka vazhduar me prishjen e rendit, çka mbështet nga shikimi i procesverbalit të shqyrtimit gjyqësor të datës 28.06.2021, nga audo dhe video incizimi i të njëjtës seancë por edhe nga procesverbalet e shqyrtimit gjyqësor të datave 10.12.2019, 11.12.2019 dhe 7.05.2021”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Ndryshe, Gjykata e Pejës më 7 shtator 2021, pasi Apeli prishi vendimin e Gjykatës së Pejës për gjobitjen e mbrojtësit të të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha për shkak të arsyeve të paqarta në shqiptimin e dënimit, kjo e fundit sërish ka gjobitur avokatin Berisha me 500 euro, sipas udhëzimeve të Gjykatës së Apelit.
Një vendim të tillë e ka marrë kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova, më 1 shtator 2021, e cila në dispozitivin e vendimit ka shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 500 euro ndaj Berishës për prishje të rendit në seancë gjyqësore.
Deri te vendimi mbi dënimin me gjobë të avokatit Besnik Berisha në seancën e datës 28 qershor 2021, kryetarja e trupit gjykues ka ardhur bazuar në dispozitën e nenit 302, par.1 të KPRK-së, pasi që i njëjti ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë, i është tërhequr vërejtja dhe sërish ka vazhduar me prishje të rendit”, thuhet në arsyetimin e gjykatëses Husaj-Rugova.
Sipas arsyetimit të vendimit të Gjykatës së Pejës, avokati Berisha i ishte drejtuar kryetares së trupit gjykues se ishte e padenjë të drejtonte shqyrtimin kryesor, paragjykuese dhe se ishte e njëanshme.
“Në seancën e 7 maj 2021, para se gjykata të lëshohet në shqyrtim gjyqësor e mbrojtësi në fjalë kërkon fjalën dhe i drejtohet gjykatës: “se ka humbur besimin dhe se ju e keni paragjykuar çështjen”, me pretendimin e tij në vazhdim, pastaj “ju keni lënë njollë në drejtësi”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.
Në arsyetim thuhet se gjykatësja ia kishte tërhequr vërejtjen mbrojtësit Berisha pasi i njëjti ka marrë fjalën pa lejen e gjykatës, duke e njoftuar për pasojat dënimit me gjobë.
“Pra, siç rrjedh nga të lartcekurat, mbrojtësi ka prishur rendin dhe qetësinë në gjykatë disa herë gjatë shqyrtimit gjyqësor kur i drejtohet kryetares së trupit gjykues, “e padenjë për të udhëhequr këtë shqyrtim gjyqësor, “paragjykues i çështjes”, pastaj kur bën komente merr fjalën pa lejen e gjykatës, kur i drejtohet dëshmitarit se “keni dalë atje si kozmetikë”, si dhe për secilin rast kryetrja e trupit gjykues i ka tërhequr vërejtjen, e po ashtu siç u cek më lart, është njoftuar për pasojat”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Pejës.
Ndryshe, Gjykata e Apelit më 20 gusht 2021 e ka aprovuar ankesën e mbrojtësit të të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha dhe e ka kthyer në rivendosje vendimin e Gjykatës së Pejës për dënimin me gjobë ndaj avokatit Besnik Berisha.
Apeli arsyeton se Gjykata e Pejës nuk ka dhënë arsye të qarta në lidhje me shqiptimin e dënimit me gjobë ndaj avokatit Berisha.
“Nga arsyetimi i vendimit nuk është e qartë nëse gjoba mbrojtësit av. Besnik Berisha është shqiptuar për shkak të prishjes së rendit ose mosbindjes së urdhrave të gjyqtarit-kreytarit të trupit gjykues, ngase në arsyetim vetëm konstatohet se i është tërhequr disa herë vërejtja që të mos pengojë punën pa dhënë sqarime se kur dhe si është tërhequr vërejtja, ngase vërejtja duhet rrjedhimisht të konstatohet dhe t’i bëhet me dije për pasojat që mund t’i pasojnë sipas kësaj dispozite ligjore, duke cekur saktësisht këto konstatime procedurale apo se përsëritjen nga i njëjti trup gjykues është paragjykues e konsideron si prishje të rëndit gjegjësisht pengimin e punës së gjykatës apo mosbindja e urdhrit të gjykatës”, thuhet në arsyetimin e Apelit.
Ndryshe, më 28 qershor 2021, kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, e ka përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e Shaban Gogaj. Kjo pasi, avokati Berisha i ishte drejtuar trupit gjykues me fjalët “paragjykues të çështjes penale”.
Fillimisht, për këtë ai është dënuar me 500 euro gjobë, për çka, avokati Berisha nuk ka ngelur i befasuar e duke u shprehur me fjalët; “shyqyr që ekzistojnë shkallët e tjera”. Pas kësaj, gjykatësja Husaj-Rugova mori aktvendim për përjashtimin e tij.
Me dënimin me gjobë dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit Shaban Gogaj, nuk është pajtuar Këshilli Drejtues i Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), ku kjo e fundit e ka cilësuar këtë vendim, cenim të nderit dhe profesionit të avokatisë.
Në arsyetimin e vendimit, thuhet se gjykatësja Violeta Husaj-Rugova nuk kishte përfshirë në procesverbal të gjitha deklarimet e bëra në atë seancë.
Si rrjedhojë e kësaj, Këshilli Drejtues ka kërkuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJ), të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të Gjykatës së Pejës për dënimin dhe përjashtimin e avokatit Besnik Berisha.
Përveç kësaj, Këshilli ka kërkuar nga kryetari i Gjykatës së Pejës, Armend Berisha, që përveç vlerësimit të vendimeve, të bëjë edhe inicimin e procedurës disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.
Ndërsa, sipas Këshillit Drejtues, deri në përfundimin e hetimeve disiplinore ndaj avokatit Berisha nga prokurori disiplinor i OAK-së, nuk do të bëjë caktimin e avokatit sipas detyrës zyrtare ndaj të pandehurit Shaban Gogaj, në rast të kërkesës nga Gjykata Themelore në Pejë.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, gjegjësisht kryetari Armend Berisha ka refuzuar kërkesën e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), që të inicojë procedurë disiplinore ndaj gjykatëses Violeta Husaj-Rugova.
Sipas burimeve brenda gjykatës, merr vesh se Gjykata e Pejës nuk e ka gjetur të bazuar kërkesën për inicim disiplinor dhe rishqyrtim të vendimit për përjashtimin e avokatit Berisha dhe si rrjedhojë, kjo kërkesë është refuzuar si e pabazuar.
Kurse, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, ka thënë se nuk mund të ndërhyjë në punën profesionale të gjyqtarëve pasi institucioni që e udhëheq merret vetëm me administrimin e gjyqësorit në përgjithësi.
Këtë përgjigje Zogaj ia ka kthyer kryetarit të Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Behar Ejupi, kur ka refuzuar të bëjë vlerësimin e ligjshmërisë së aktvendimit të Gjykatës së Pejës, e cila ka gjobitur dhe përjashtuar avokatin Besnik Berisha nga mbrojtja e të akuzuarit për vrasje, Shaban Gogaj.
Kurse më 24 shtator 2021, Zyra e Prokurorit Disiplinor e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), nuk kishte gjetur shkelje ligjore në veprimet e mbrojtësit të pandehurit Shaban Gogaj, avokatit Besnik Berisha, ku ky i fundit ishte gjobitur dhe përjashtuar nga mbrojtja e Gogajt, për shkak të mosrespektimit të Gjykatës së Pejës.
Në vendimin të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, sqarohet se më 1 shtator 2021, Zyra e Prokurorit Disiplonor të OAK nga provat e administruara, nuk ishte vërtetuar se avokati Besnik Berisha kishte kryer shkelje disiplinore.
Po ashtu, njofton Gjykatën e Pejës se nuk do të caktojë mbrojtës tjetër sipas detyrës zyrtare për të pandehurin Shaban Gogaj.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 12 qershor 2019, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:04, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, përkatësisht në kompaninë “Gogaj AG”, me dashje e privon nga jeta Agonis Tetaj dhe me këtë ka vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarve Agzon Hadërgjonaj dhe Faruk Zukaj.
Sipas aktakuzës, pasi i pandehuri merr një telefonatë nga e cila bisedë shihet se është dukshëm i acaruar dhe posa e përfundon këtë bisedë, i pandehuri nga karrigia e anës së majtë të banakut kalon në një tjetër që gjendej në mes të banakut, lakohet dhe nxjerr nga sirtari i fundit në anën e djathtë të tij revolen e tipi “Beretta”, vendos karikatorin dhe e repeton të njëjtën, e merr në shenjë tani të ndjerin Tetaj.
Në aktakuzë thuhet se tani ndjeri në ato momente ishte në mes të dy dëmtuarve tjerë dhe i pandehuri qëllon një herë në drejtim të tij dhe e kthen armën ku e kishte marr, më pas menjëherë çohet nga karrigia, me ç’rast për pasojë i dëmtuari merr plagë në kokë, ku si rrjedhojë pëson vdekje të menjëhershme.
Në këtë rast, për armëmbajtje pa leje akuzohet edhe Isuf Cacaj, ku sipas aktakuzës, më 23 shtator 2019, rreth orës 14:50 në Deçan, në shitoren “Gogaj AG”, ka mbajt në pronësi armë dhe atë pistoletën e tipit “Bloë TR 92”, e kalibrit 9mm, e gjetur nga policia në sirtarët nën banakun e arkës.
Kurse, sipas aktakuzës që ishte ricilësuar më 16 mars 2021, nga prokurori Agon Uka, Shaban Gogaj akuzohej se më 23 shtator 2018, rreth orës 11:05:31, në Deçan, në rrugën “Luan Haradinaj”, në kompaninë “Gogaj Ag”, nga pakujdesia i pandehuri Gogaj, e privon të ndjerin nga jeta, Agonis Tetaj.
Sipas ricilësimit, gjersa i pandehuri ishte duke komunikuar në telefon me Natyra Melaj, vajzën e hallës rreth shkuarjes së tij në bjeshkë, duke e porosit që të merrte gjësende ushqimore, posa e përfundon këtë bisedë, e lëshon telefonin në tavolinë, nga karrika në skajin e majtë të banakut ku ishte ulur, kalon në karriken tjetër që gjendet në mes të banakut, lakohet duke shikuar në anën e djathtë kah dritaret në drejtim të rrugës dhe nxjerr nga sirtari i tretë i anës së djathtë, revolen e llojit “Beretta”, Model 92 FS, e vendos karikatorin në armë, e reperton të njëjtën dhe shkrep një herë në drejtim të, Asgan Hadërgjonaj, Agonis Tetaj e Faruk Zukaj, të cilët kanë qenë në distancë rreth 70 cm në mes vete, ndërsa në raport me të pandehurin distance ka qenë 4-5 metra,
Nga kjo shkrepje, sipas prokurorit Uka, goditet tani i ndjeri Agonis Tetaj në mollëzën e djathtë të fytyrës, e pas këtij veprimi i akuzuari kthen armën ku e ka marrë duke e kap kokën me dy duart, duke menduar se ka shkrep me armën me gaz, për të cilën paraprakisht e ka njoftuar xhaxhi i tij, Isuf Cacaj, se arma me gaz ndodhet aty.
Sipas aktakuzës që ishte ricilësuar nga prokurori Uka, i akuzuari këtë veprim nuk e ka dëshiruar as pasojën e shkaktuar, përkatësisht pasoja shkaktohet kundër vullnetit të tij, si rezultat i moskujdesit apo indiferencës apo jo seriozitetit të tij, ashtu që përkundër përpjekjeve për ofrimin e ndihmës, tani të ndjerit Agonis, i njëjti nuk ka mundur t’i mbijetojë plagës.
Deri në dy orë pritjet në Jarinje për të hyrë në Kosovë
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...