Fatos Bytyçi, vëllai i tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi të vrarë në Serbi në vitin 1999, thotë se nuk do të heqë dorë nga përpjekjet për të zbardhur rastin e tyre dhe nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës.
Pavarësisht premtimeve që u kanë bërë zyrtarëve amerikanë dhe ndonëse kanë kaluar 18 vjet nga vrasja, vëllai i viktimave beson se autoritetet serbe nuk kanë vullnetin për të ndëshkuar përgjegjësit. Kolegu Festim Gashi sjell hollësitë.
Dje është 18 vjetori i vrasjes së tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi ndërsa mbaheshin të arrestuar nga forcat serbe gjatë kohës së luftës në Kosovë. Personat përgjegjës për vrasjen e tyre ende nuk kanë dalë para drejtësisë, me gjithë premtimin e ish-kryeministrit, tani president i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, shkruan VOA.
Vëllai i tyre, Fatos Bytyçi, ka gati dy dekada që kërkon drejtësinë. Duke folur për Zërin e Amerikës nga Nju Jorku, ai fajësoi udhëheqësit serbë për mbrojtjen e vrasësve.
“Premtimi i tij është bosh. Kur ne dhe zyrtarët amerikanë kemi takime me Aleksandër Vuçiçin, i themi atij që njëri nga të dyshuarit është Goran Radosaleviç, Guri, anëtarë i partisë suaj. Por ai nuk ka dëshirë të bisedoj për këtë çështje. Jo vetëm Goran Radosaleviçi, por edhe ekzekutorët e vëllezërve të mi janë anëtarë të partisë së Aleksandër Vuçiçit. Kështu që, ai në mënyrë të hapur i mbron ata”.
Ylli, Agron dhe Mehmet Bytyçi, ishin pjesëtarë të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht të batalionit Atlantiku i përbërë nga shqiptarë që jetonin në Shtetet e Bashkuara, e të cilët ju bashkuan luftës në Kosovë.
Në korrik të vitit 1999 ata janë arrestuar në rrethana të panjohura nga forcat serbe në afërsi të vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Merdarë. Një gjykatë në qytetin e Prokuples në Serbi, i kishte dënuar me nga 15 ditë heqje lirie nën akuzat për, siç është thënë, kalim të paligjshëm të kufirit të ish Jugosllavisë.
Katër ditë para skadimit të dënimit, ata janë marrë nga burgu dhe janë dërguar në Petrovo Selo ku janë vrarë nga afërsia. Trupat janë gjetur me duar të lidhura me tela në vitin 2001 në një varrezë masive, në mesin e shumë trupave të civilëve shqiptarë që ishin dërguar atje në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të forcave serbe gjatë luftës në Kosovë.
Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, derisa ishte kryeministër u kishte premtuar shpesh zyrtarëve amerikanë se Serbia do ta zgjidhë këtë rast që ushtron ndikim në marrëdhëniet ndërmjet të dyja vendeve.
Qendra për të Drejtën Humanitare në Beograd, kishte pohuar në disa raste se dëshmitë flasin që vrasja e vëllezërve Bytyçi është urdhëruar nga qarqe të larta të qeverisë jugosllave nëpërmjet Goran Radosaleviçit, i njohur me nofkën Guri, një ish gjeneral i policisë serbe. Aktualisht ai është në Këshillin Drejtues të Partisë Përparimtare serbe të presidentit Vuçiç.
Zoti Bytyçi thotë së një arsye tjetër e dështimit të autoriteteve serbe në lidhje me çështjen e vëllezërve Bytyçi është edhe frikësimi i dëshmitarëve.
“Dëshmitarët janë të kërcënuar, por kjo është çështje e qeverisë serbe. Ne kemi ofruar ndihmë për t’i mbrojtur ata në mënyrë që të tregojnë të vërtetën mbi atë që ka ndodhur. Por qeveria serbe nuk po merr masa. Ne kemi ofruar që dëshmitarëve t’u jepet azil për këtë rast sepse kanë kaluar 18 vjet pa u zbardhur rasti.”
Që nga vitit 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyçi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë.
Zhvillimi i proceseve u përcoll me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështjes. Zyrtarë të lartë amerikanë kanë shtruar trysni mbi Beogradin që të ndriçojë këtë rast ndërsa një grup ligjvënësish amerikanë ka kërkuar që përparimi në këtë çështje të jetë faktor thelbësor në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë.
Fatos Bytyçi pret që rasti i vëllezërve të tij të ngrihet edhe në takimin mes Presidentit serb Aleksandër Vuçiç me nënpresidentin amerikan Mike Pence këtë javë në Uashington.
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...
Përfundon “Kursi i Nënoficerëve të Betejës” për ushtarët e F...