Rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian për liberalizimin e vizave, e fut Kosovën në një fazë të re të këtij procesi, vlerësojnë njohësit e integrimeve evropiane. Siç thonë ata, me rekomandimin pozitiv për Kosovën, Komisioni Evropian do ta bartë procesin e vendimmarrjes në nivelin e Parlamentit Evropian dhe Këshillit të Bashkimit Evropian.
Emrush Ujkani, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për REL se ky proces parashihet që të marrë rreth gjashtë muaj kohë, me shpresën se këto dy nivele të vendimmarrjes do të vendosin që Kosoova ta marrë liberalizimin e vizave.
Megjithatë, sipas tij, rekomandimi pozitiv nga Komisioni Evropian e vë Kosovën para hapave të tjerë, të cilët duhet t’i ndërmarrë deri te një vendim i dy niveleve tjera vendimmarrëse të Bashkimit Evropian. Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet t’i vetëdijesimin e qytetarëve të vendit se lëvizja e lirë në zonën Schengen nuk nënkupton të drejtën e punësimit dhe të drejtën e qëndrimit më gjatë se 90 ditë.
“Të gjitha këto hapa do të duhet të merren nga institucionet shtetërore dhe kuadri i ndryshëm i organizatave joqeveritare, të cilët duhet sensibilizojnë qytetarin tonë. Shteti jonë apo institucionet tona, njëkohësisht, duhet të ndërmarrin masa adekuate, për t’i përshtatur institucionet tona shtetërore me atë që është zonë e Schengenit. Kjo nënkupton që qytetarët duhet të pajisen me pasaporta biometrik, të cilat organet shtetërore i lëshojnë. Të gjitha këto janë masa që duhet të merren në këtë periudhë, deri te arritja e vendimit përfundimtar”, tha Ujkani.
Por, Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, vlerëson se deri në një vendim për liberalizimin e vizave për Kosovën, procesi do të kalojë edhe në dy nivele, të cilat, sipas tij, nuk janë të lehta. Megjithatë, sipas tij, hapi më i vështirë për Kosovën do të jetë arritja e një vendim pozitiv për liberalizim vizash nga Këshilli i Bashkimit Evropian.
“Hapi më i vështirë do të jetë vendimi final, do të thotë, vendimi në stadin e vendimmarrjes politike të Bashkimit Evropian, aty ku kërkohet qëndrimi i shteteve. Do të thotë, ministrat e shteteve anëtare që do të votojnë, për ose kundër. Ky është stadi më i vështirë për Kosovën, për shkak të sistemit se si merret vendimi për vizat. Ekziston sistemi i shumicës së kualifikuar, i cili i ka disa instrumente brenda vetes dhe që qëndrimi i shteteve e determinon kualifikimin e shumicës së nevojshme për Kosovën”, theksoi Mazreku.
Mendim të ngjashëm ka edhe profesor Ujkani. Sipas tij, përkundër faktit që vendimi në Këshillin e Bashkimit Evropian do të merret me shumicë të kualifikuar, mbetet të shihet se cili do të jetë vendimi i Spanjës aty. Mazreku thekson se Spanja mund të mbivotohet me një shumicë të kualifikuar, por është shtet brenda zonës Schengen, i cili nuk i njeh pasaportat e Kosovës dhe kjo mund ta vështirësojë zbatimin në praktikë të vendimit për liberalizim të vizave për Kosovën.
“Opinioni i Komisionit Evropian, në majin e vitit 2016, nuk ka pasur të bëjë aspak, në aspektin shumë real, me atë që ka qenë Marrëveshje për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe luftimin e korrupsionit, se sa ka pasur të bëjë me faktin që Spanja, atëherë, nuk ka qenë e bindur se mund t’i lejojë qytetarët e Kosovës që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, përderisa nuk i njeh pasaportat që lëshohen nga institucionet e Republikës së Kosovës. Mendoj që kjo është çështja kryesore, për të cilën ne urojmë që të jetë tashmë e tejkaluar, por që unë mendoj se kjo është sfida kryesore”, u shpreh Ujkani.
Ndërkaq, profesor Mazreku ka shprehur mendimin se rekomandimin pozitiv nga Komisioni Evropian, politikëbërësit në Kosovë do të përpiqen ta përdorin për përfitime politike. Sipas tij, duhet pasur parasysh që procesi i liberalizimit të vizave për të gjitha shtetet anëtare dhe ato që kanë përfituar nga ky proces, sidomos vendet e Ballkanit Perëndimor, është më tepër proces teknik sesa politik. Por, sipas tij, tek rasti i Kosovës, është vepruar ndryshe.
“Duke pasur parasysh që vizat janë çështje kritike për qytetarët e Kosovës, sepse një e treta e qytetarëve të Kosovës jetojnë jashtë Kosovës dhe vizat kanë qenë problem për lëvizjen e lirë të njerëzve, prandaj edhe Bashkimi Evropian ka përdorur disa mekanizma kushtëzimi për Kosovën, që nuk i ka njohur ky proces më parë. Prandaj, ky proces është shndërruar më tepër në proces politik, pavarësisht që ky proces nuk do të duhej të ishte i tillë, por proces teknik i përmbushjes së disa kritereve teknike që kanë të bëjnë me sigurinë e lëvizjes së njerëzve, përkatësisht, me sigurinë e njerëzve që kalojnë përmes atij shteti, që tashmë bëhen pjesë e zonës Schengen”, tha Mazreku.
Sidoqoftë, liderët institucionalë të Kosovës, kanë theksuar se rekomandimi pozitiv i Komisionit Evropian është hapi i parë që çon deri te vota për liberalizimin në Parlamentin Evropian dhe një miratim nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të Bashkimit Evropian. Nëse këto tri procedura përmbyllen me sukses për Kosovën, atëherë, sipas tyre, pritjet janë që vendimi përfundimtar të merret diku në fund të këtij viti.
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...
Mungesa e energjisë elektrike, ministria e Ekonomisë del për...
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë
Atletico Madrid skuadra me më së shumti pikë në top pesë lig...
PZAP aprovon ankesën e Listës Serbe, anulohet moscertifikimi...