Zharko Ristiq nga veriu i Kosovës thotë se ishte pajisur me dokument të Kosovës, kur kishte planifikuar të shkonte në Shkodër të Shqipërisë, për të vizituar një monument historik. Për ta kaluar kufirin, atij i është dashur letërnjoftimi i Kosovës.
“Kur e kuptova se shumica ishin pajisur me dokumente (të Kosovës), kjo nuk më shqetësoi shumë pasi edhe unë i kisha disa parime. Por, unë u pajisa me këtë dokument për të shkuar në Shkodër”, tha Ristiq për Radion Evropa e Lirë.
Ristiq dhe të gjithë shtetasit e Kosovës, në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, mund të votojnë vetëm nëse kanë dokument të lëshuar nga Republika e Kosovës.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar udhëzuesin për identifikimin e votuesve në vendvotim, për zgjedhjet e 14 shkurtit. Është vendim që si dokumente identifikimi të pranohen vetëm ato dokumente që janë të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës dhe që janë të vlefshme: letërnjoftim, pasaportë, dokument udhëtimi dhe patentë shoferë”, tha zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Domosdoshmëria e pajisjes me dokumente të Kosovës
Disa qytetarë të tjerë në Mitrovicën e Veriut që u intervistuan thonë se do të marrin pjesë në zgjedhje dhe se janë të pajisur me dokumente të Kosovës.
Ajro Marjanoviq thotë se posedon dokumente të Kosovës.
“Të gjithë u pajisën dhe nuk u ndava as unë. Këtu kam lindur dhe do të bëj ashtu si vepron i gjithë populli”, thotë Marjanoviq.
Ndërkaq, Sllavica Marjanoviq thotë se është pajisur me letërnjoftim të Kosovës qe shtatë vjet.
“Ka qenë e nevojshme që të pajisjesh edhe me të Serbisë edhe të Kosovës. Ne jetojmë këtu dhe duhet t’i kemi të dytë”, thotë ajo.
Stamen Kazhiq i tha Radios Evropa e Lirë se ka dokumente të Kosovës dhe se është votues i rregullt në zgjedhje.
“Votoj edhe për zgjedhjet e Kosovës dhe ato të Serbisë tonë”, thotë Kazhiq.
Sreteni dhe Ruzha Saviq thonë se janë pajisur me dokumente të Kosovës, për të përfituar të drejtën e pensionit.
“Më duhej për shkak të dokumenteve, për shkak të Eurove, sepse i bëra 65 vjet”, thotë Ruzha Saviq.
122 mijë persona u larguan nga lista
Këtë vit, KQZ-ja ka larguar nga lista e votuesve mijëra persona, të cilët kanë qenë të regjistruar vetëm më dokumente të UNMIK-ut.
“KQZ-ja ka kërkuar nga Agjencia e Regjistrimit Civil të dhëna për qytetarët që kanë dokumente të identifikimit vetëm të UNMIK-ut. Pasi e ka pranuar listën, KQZ-ja ka vendosur që t’i largojë nga lista më shumë se 122 mijë persona, të cilët kanë vetëm dokument të UNMIK-ut”, tha Valmir Elezi nga KQZ-ja.
Sa janë të pajisur serbët e veriut me dokumente të Kosovës?
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar përgjigje nga Ministria e Punëve të Brendshme për numrin e qytetarëve serbë që janë pajisur me dokumente të Republikës së Kosovës. Por, deri në kohën e publikimit të këtij shkrimi, nuk ka marr përgjigje.
Sidoqoftë, Adriana Hoxhiq, që është nënkryetare e Komunës së Mitrovicës së Veriut, thotë se ka shqetësime në radhët e komunitetit serb, pasi ka ende të atillë që nuk kanë dokumente të Kosovës.
“Është një numër i konsiderueshëm, por nuk e di a janë të pajisur të gjithë. Nga ajo çfarë kam dëgjuar, është një brengë se është një pjesë që nuk ka letërnjoftime të Kosovës, por nuk ka informatë të detajuar”, tha ajo.
Hoxhiq kishte udhëhequr Zyrën Administrative të Qeverisë së Kosovë në veri, qysh nga themelimi i saj nga Qeveria e Kosovës, në maj të vitit 2012. Kjo zyrë, kishte shërbyer për vite të tëra si qendër për t’u pajisur me dokumente të Kosovës.
Aktualisht, sipas Adriana Hoxhiqit, në të katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, janë funksionale zyrat e gjendjes civile, ku lëshohen dokumente të Republikës së Kosovës. Hapja e tyre, ka qenë pjesë e marrëveshjeve të Brukselit.
Ndryshe, këtë vit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit, ka pasur interesim shumë të vogël për votim me postë nga Serbia. Sipas KQZ-së, vetëm 200 aplikacione kanë marr dritën e gjelbër për të votuar me postë nga ky shtet.
Sot diskutohet për transparencën parlamentare
Rama: Nis shpërndarja e mbi 20 mijë librave artistikë për bi...
Nëntë vite më parë Kushtetusja vendosi për Asociacionin
“Ke e diele, nuk u nejke”, arsyetimi qesharak i Gjestit pse ...
Mot i paqëndrueshëm në Shqipëri, vranësira dhe reshje shiu, ...
Një orë pritje për hyrje në Kosovë nga Dheu i Bardhë