Votat nga jashtë pas afatit të KQZ-së, Kushtetuesja i jep të drejtë koalicionit NISMA-AKR-PD

19:44 | 10 Dhjetor 2020
L G

Gjykata Kushtetuese në seancën e 10 dhjetorit ka shqyrtuar edhe kërkesën e koalicionit NISMA-AKR-PD lidhur me numërimin e votave të ardhura nga jashtë pas afatit të përcaktuar nga KQZ.

Sipas vendimeve të Kushtetueses, NISMA-AKR-PD kishin të drejtë lidhur me këtë çështje pasi votat e arritura pas afatit nuk do të duhej të numëroheshin.

Kushtetuesja gjithashtu ka gjetur se vendimet e Gjykatës Supreme lidhur me votat se ato duhet të numërohen dhe të përfshihen në rezultatet përfundimtare nuk kanë zotuar arsyetueshmëri të mjaftueshme ligjore.

“Si përfundim, Gjykata njëzëri konstatoi se: (i) kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në merita; (ii) vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme nuk janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës dhe si të tilla Gjykata i shpallë të pavlefshme; (iii) vendimet e PZAP-së janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës; (iv) afati ligjor i përcaktuar nga Kuvendi për arritjen e votave nga jashtë përmes nenit 96.2 të LZP-së në lidhje me nenin 4.4. të Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013 ishte një kufizim i të drejtës së votës i cili ishte në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës ngase i njëjti: ishte i paraparë me ligj; kishte një qëllim legjitim që synohej të arrihej me atë kufizim; dhe kishte një marrëdhënie proporcionaliteti ndërmjet kufizimit të kësaj të drejte dhe qëllimit legjitim që synohej të arrihej me atë”, thuhet në vendimin e Kushtetueses.

Lexoni më poshtë të plotë:

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 10 dhjetor 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesat: 1. KI 207/19; 2. KI 145/19, KI 146/19, KI 147/19, KI 149/19, KI 150/19, KI 151/19, KI 152/19, KI 153/19, KI 154/19, KI 155/19, KI 156/19, KI 157/19 dhe KI 159/19; 3. KI 224/19; 4. KI 227/19; 5. KI 228/19; 6. KI 65/20 dhe KI 66/20; 7. KI 119/20; 8. KI 135/20 dhe 9. KI 144/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjet e shkurtra të vendimeve (tekstet e plota të vendimeve do t’u dorëzohen palëve, do të publikohen në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Lënda: KI 207/19 Parashtrues: NISMA Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimeve Gjykatës Supreme të Kosovës [A.A.U.ZH.nr.20/2019], të datës 30 tetor 2019 dhe [A.A.U.ZH.nr.21/2019], të datës 5 nëntor 2019, me të cilat, sipas pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenin 7 [Sundimi i Ligjit], paragrafin 1 të nenit 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 (E drejta për gjykim të drejtë) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Parashtruesi i kërkesës po ashtu kërkoi vendosjen e masës së përkohshme përmes së cilës do të ndalohej certifikimi “[…] i zgjedhjeve [të 6 tetorit 2019] deri në një vendim përfundimtar […] lidhur me kërkesën kryesore” të rastit në fjalë. Kërkesa bazohej në paragrafin 4 të nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] dhe në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 47 [Kërkesa Individuale] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullin 32 [Parashtrimi i Kërkesave dhe Përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese. PËRFUNDIME

1. Kërkesa KI207/19 ishte parashtruar nga Koalicioni “NISMA-AKR-PD pas zgjedhjeve të parakohshme për Kuvend të 6 tetorit 2019. Në mënyrë të veçantë, ky rast kishte të bëjë me “Votimin nga Jashtë” të realizuar nga shtetasit e Republikës së Kosovës përmes postës nga vende të ndryshme jashtë Kosovës.

2. Çështja kushtetuese që ngërthen kërkesa në fjalë është përputhshmëria me Kushtetutën dhe KEDNJ-në e dy vendimeve të kontestuara të Gjykatës Supreme, respektivisht Aktgjykimit [A.A.U.ZH.nr.20/2019] të 30 tetorit 2019 dhe Aktgjykimit [A.A.U.ZH.nr.21/2019] të 5 nëntorit 2019. Konkretisht, nëse vendimmarrja e Gjykatës Supreme se votat nga jashtë vendit duhet të numëroheshin përkundër faktit që ato kishin arritur në KQZ pas afatit prej njëzet e katër (24) orë nga dita e zgjedhjeve të përcaktuar me nenin 96.2 të LZP-së në lidhje me nenin 4.4. të Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013, ishte në kundërshtim: (i) me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; (ii) paragrafin 1 të nenit 31 [E drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 (E drejta për gjykim të drejtë) të KEDNJ; dhe, (iii) nenin 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira), të Protokollit nr. 1 të KEDNJ.

3. Sipas fakteve të rastit, PZAP përmes Vendimeve [A.nr.375-2/2019 i 28 tetorit 2019; dhe A.nr.381/2019 i 3 nëntorit 2019] kishte konstatuar se KQZ, sipas LZP-së, nuk duhet t’i numërojë pakot e arritura pas afatit të përcaktuar ligjor e as t’i përfshijë ato në rezultat përfundimtar. Ndërkaq, më pas, Gjykata Supreme kishte rrëzuar vendimmarrjen e PZAP dhe kishte konstatuar se ndonëse qëndron fakti që votat kanë arritur pas afatit ligjor KQZ duhet t’i numërojë ato vota dhe t’i përfshijë në rezultatin përfundimtar. Gjykata Supreme konsideronte se norma ligjore që përcakton afatin, respektivisht neni 96.2 i LZP dhe ai 4.4 i Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013 është normë ligjore në “kolizion” me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së dhe se rrjedhimisht duhet urdhëruar KQZ-në që t’i numërojë pakot në fjalë përkundër faktit që ato kanë arritur pas afatit ligjor. Pasi që KQZ zbatoi vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme, rezultati zgjedhor i certifikuar nga KQZ më 27 nëntor 2019, përfshin edhe votat e numëruara nga pakot e kontestuara që kishin arritur pas afatit të përcaktuar ligjor.

4. Parashtruesit e kërkesës po ashtu pretenduan se Gjykata Supreme në kundërshtim me Kushtetutën ka vendosur të aplikojë drejtpërdrejt instrumentet ndërkombëtare të përfshira në nenin 22 të Kushtetutës dhe jo nenin 96.2 të LZP-së dhe nenin 4.4. të Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013. Ata gjithashtu pretenduan se gjykatat e rregullta nuk kanë të drejtë të aplikojnë drejtpërdrejt normat kushtetuese dhe/ose instrumentet ndërkombëtare të parapara në nenin 22 të Kushtetutës, si dhe të interpretojnë normat ligjore në harmoni dhe sipas obligimeve që dalin nga normat kushtetuese, pasi në raste të tilla ekziston një obligim detyrues që sipas nenit 113.8 të Kushtetutës, të referojnë çështjen në Gjykatë Kushtetuese sa herë që ngritët çështja e kushtetutshmërisë së normave ligjore.

5. Gjykata gjatë trajtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, fillimisht gjeti se sipas interpretimit të nenit 102.3 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 112.1 të Kushtetutës si dhe sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, kjo e fundit vlerëson që e drejta dhe obligimi për të aplikuar dhe interpretuar Kushtetutën, ju njihet të gjitha gjykatave të Republikës së Kosovës dhe të gjitha autoriteteve publike në Republikën e Kosovës.

6. Megjithatë, Gjykata ritheksoi fuqishëm se kompetenca e “konstatimit” të jo-kushtetutshmërisë së një norme ligjore dhe “shfuqizimit” të një norme ligjore si të papajtueshme me Kushtetutën, është kompetencë ekskluzive e Gjykatës Kushtetuese. Pra, përkundër faktit që Kushtetuta ua njeh gjykatave të rregullta kompetencën e interpretimit të një norme të rangut ligjor në harmoni me një normë të rangut kushtetues dhe/ose aplikimin e drejtpërdrejtë të normës së rangut kushtetues, kjo nuk do të thotë se gjykatat e rregullta mund të konstatojnë ose të shpallin një normë ligjore si normë në kundërshtim me Kushtetutën ose KEDNJ-në. Një kompetencë të tillë, të konstatimit të jo-kushtetutshmërisë dhe të shfuqizimit të një norme ligjore, Kushtetuta nuk e ka paraparë si kompetencë për gjykatat e rregullta. Një të drejtë të tillë, Kushtetuta ia ka mveshur në mënyrë ekskluzive vetëm Gjykatës Kushtetuese e cila mund, pas paraqitjes së kërkesës nga një palë e autorizuar sipas nenit 113 të Kushtetutës, të shfuqizojë një normë ligjore që është në kundërshtim me Kushtetutën si dhe të përcaktojë efektet e një shfuqizimi të tillë.

7. Sa i përket pajtueshmërisë së vendimeve të kontestuara të Gjykatës Supreme me nenin 45 të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, duke marrë për bazë parimet e përgjithshme përkitazi me votimin nga jashtë të vendosura nga GJEDNJ, Gjykata theksoi se megjithëse koha për vendimmarrje në konteste zgjedhore është relativisht e shkurtër dhe se e drejta për një gjykim të drejtë sipas nenit 31 të Kushtetutës dhe nenit 6 të KEDNJ-së nuk aplikohet në kontestet zgjedhore, kjo nuk nënkupton që vendimet që ndërlidhen me konteste zgjedhore nuk duhet të jenë mjaftueshëm të arsyetuara. Sipas GJEDNJ-së, procedura e shqyrtimit të kontesteve zgjedhore duhet të përfshijë patjetër një “vendim mjaftueshëm të arsyetuar” në mënyrë që “të parandalohet abuzimi i pushtetit nga autoriteti relevant vendimmarrës”.

8. Pas aplikimit të këtyre parimeve, Gjykata vlerësoi se arsyetimi i Gjykatës Supreme dhe përfundimet e arritura bazuar në atë arsyetim ishin arbitrare dhe nuk plotësonin asnjë nga kriteret e një vendimi mjaftueshëm të arsyetuar gjyqësor. Kjo për faktin se Gjykata Supreme nuk kishte aplikuar asnjë test relevant të shqyrtimit gjyqësorë e as nuk kishte elaboruar asnjë nga çështjet vijuese që ishin relevante dhe të domosdoshme për tu qartësuar në rrethanat e rastit konkret: (i) çfarë nënkupton “parimi i votimit universal” në të cilin ishte thirrur Gjykata Supreme, si ndërlidhet ai parim me të drejtën e votës nga jashtë dhe si është shkelur i njëjti në rrethanat e rastit konkret; (ii) cilat janë obligimet që neni 3 i Protokollit nr. 1 i KEDNJ-së vendosë mbi shtetet përkitazi me votimin nga jashtë; dhe (iii) çfarë është saktësisht ajo që e bën afatin e përcaktuar në nenin 96.2 të LZP në lidhje me nenin 4.4. të Rregullës Zgjedhore 03/2013 të jetë normë ligjore në kolizion me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

9. Në këtë aspekt, Gjykata vërejti dhe konstatoi se Gjykata Supreme nuk kishte arritur të vërtetojë, në asnjë mënyrë, se si vendimmarrja e PZAP ishte e gabuar dhe se përse linja e arsyetimit të PZAP duhej zëvendësuar me një linjë krejtësisht tjetër që nuk ishte në përputhje me LZP-në dhe praktikën e deritashme zgjedhore. Rrjedhimisht, Gjykata arriti në përfundimin se Gjykata Supreme nuk kishte ofruar arsyetim të mjaftueshëm ligjor e kushtetues dhe se vendimmarrja e saj në rrethana të rastit konkret ishte arbitrare dhe, për rrjedhojë, në kundërshtim me garancitë e nenit 45 të Kushtetutës në lidhje me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së. Për më tepër, sa i përket përputhshmërisë së normës ligjore që kërkonte që votat për votim nga jashtë duhet të arrijnë në KQZ njëzet e katër (24) orë para ditës së votimit, në mënyrë që të njëjtat të mund të numërohen, Gjykata arriti në përfundim se ky kufizimi i të drejtës së votës: (1) ishte një kufizim i paraparë me ligj; (2) ekzistonte një qëllim legjitim që synohej të arrihej me atë kufizim; si dhe (3) ekziston një marrëdhënie proporcionaliteti ndërmjet kufizimit të së drejtës në fjalë dhe qëllimit legjitim që synohej të arrihej. Gjithashtu, Gjykata gjeti se afati i përcaktuar me nenin 96.2 të LZP-së në lidhje me nenin 4.4. të Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013, nuk ishte arbitrar dhe nuk kishte ndikuar në pamundësim të shprehjes së lirë të vullnetit të popullit përkitazi me përfaqësuesit e vet në Kuvend dhe si i tillë ishte në pajtueshmëri me nenin 45 të Kushtetutës dhe nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së.

10. Si përfundim, Gjykata njëzëri konstatoi se: (i) kërkesa është e pranueshme për shqyrtim në merita; (ii) vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme nuk janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës dhe si të tilla Gjykata i shpallë të pavlefshme; (iii) vendimet e PZAP-së janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës; (iv) afati ligjor i përcaktuar nga Kuvendi për arritjen e votave nga jashtë përmes nenit 96.2 të LZP-së në lidhje me nenin 4.4. të Rregullës Zgjedhore nr. 03/2013 ishte një kufizim i të drejtës së votës i cili ishte në përputhje me nenin 55 të Kushtetutës ngase i njëjti: ishte i paraparë me ligj; kishte një qëllim legjitim që synohej të arrihej me atë kufizim; dhe kishte një marrëdhënie proporcionaliteti ndërmjet kufizimit të kësaj të drejte dhe qëllimit legjitim që synohej të arrihej me atë

kufizim; dhe se, në rrethanat e rastit konkret (v) kufizimi i të drejtës së votës (si e drejtë relative dhe jo absolute) me afat nuk ka qenë arbitrar dhe nuk ka ndikuar në pamundësim të shprehjes së lirë të vullnetit të popullit përkitazi me përfaqësuesit e vet në Kuvend.

11. Për sa i takon efekteve të këtij Aktgjykimi, Gjykata sqaroi se ndonëse konstatimi i saj se vendimet e kontestuara të Gjykatës Supreme nuk janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës nuk ka efekt prapaveprues në rezultatin e shpallur zgjedhor në rrethanat e rastit konkret, sipas arsyetimeve të dhëna; megjithatë, Aktgjykimi në këtë rast prodhon të paktën katër efekte të rëndësishme, si në vijim: (1) sqarimi i të drejtave dhe obligimeve të gjykatave të rregullta për rastet kur ato ballafaqohen me norma të rangut ligjor që pretendojnë se janë në kolizion me norma të rangut kushtetues; (2) shfuqizimi i dy vendimeve të kontestuara të Gjykatës Supreme dhe lënia në fuqi e dy vendimeve të PZAP-së ashtu që, përderisa Kuvendi i Republikës së Kosovës e len në fuqi nenin 96.2 të LZP-së, të gjitha votat që arrijnë në KQZ pas afatit të paraparë ligjor duhet të deklarohen si vota të pavlefshme dhe nuk duhet të numërohen e as të përfshihen në rezultat përfundimtar të zgjedhjeve; (3) qartësimi se në rrethanat e rastit konkret nuk ka ekzistuar kolizion në mes të normës së rangut ligjor dhe asaj të rangut kushtetues dhe se, në këtë aspekt, Gjykata Supreme e ka deklaruar kolizionin në fjalë në mënyrë arbitrare, duke tejkaluar kompetencat e saj kushtetuese dhe pa arsyetim të mjaftueshëm dhe adekuat; dhe se (4) gjetja e shkeljes ia mundëson parashtruesit të kërkesës të konsideroj shfrytëzimin e mjeteve tjera juridike në dispozicion për realizimin e mëtejmë të të drejtave të tij në përputhje me gjetjet e këtij Aktgjykimi. PËR KËTO ARSYE – Gjykata, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, me nenin 20 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës: VENDOS

I. TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;

II. TË KONSTATOJË se Aktgjykimet [A.A.U.ZH.nr.20/2019 i 30 tetorit 2019; dhe A.A.U.ZH.nr.21/2019 i 5 nëntorit 2019] e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, nuk janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

III. TË KONSTATOJË që Vendimet [A.nr.375-2/2019 i 28 tetorit 2019; dhe A.nr.381/2019 i 3 nëntorit 2019] të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe

Parashtresa janë në përputhshmëri me nenin 3 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës;

IV. TË REFUZOJË kërkesën për masë të përkohshme;. /Lajmi.net/

Të ngjashme