Votat e pavlefshme arrijnë në 7.2 për qind

18:37 | 13 Qershor 2017
Arbresh.info

Zgjedhjet e mbajtura me 11 qershor, treguan për një rritje masive apo gati dyfishim të votave të pavlefshme, me një përqindje të frikshme,- rreth 7.2 përqind.

Votat e pavlefshme në përqindje më të larta janë në bastionet e PDK-së, fenomen ky i dokumentuar edhe në zgjedhjet lokale.

Numri i qytetarëve që nuk kanë ditur të votojnë në këto zgjedhje apo që kanë votuar gabimisht, pothuajse është dyfishuar në raport me zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014. Zgjedhjet e vitit 2017, nxorrën të pavlefshme një sasi rekord të votave.

Nga 750 mijë votues që dolën në zgjedhjet e 11 qershorit, të pavelfshme u shpallën plot 7.2 përqind apo shprehur me numra , gati 55 mijë vota të pavlefshme.

Votat e pavlefshme në zgjedhjet e mbajtura në vitin 2014 ishin 4.47 përqind, apo një rritje shumë e vogël krahasuar me votat e pavlefshme të 2010. Në zgjedhjet e mbajtura gjatë këtij viti,- në 2010, votat e pavlefshme ishin në nivelin e 4 përqindëshit, apo saktësisht 4.14 përqind.

Në bastionet e PDK-së, prin Drenasi me 2,446 vota të pavefshme ndërsa në Skenderaj ishin 1,966.

Shqetësim për numrin e madh të votave të pavlefshme përveç Partisë Demokratike të Kosovës, shprehu edhe Koalicioni i OJQ-ve Demokracia në Veprim.

“Gjatë ditës së zgjedhjeve nuk ka pasur incidente serioze, por që janë regjistruar parregullësi gjatë votimit si cenim i fshehtësisë së votimit që është shprehur permes votimit familjar, votimi jashtë kabinave të votimit. Po ashtu, ai tha se pasaktësia e listës së votuesve vazhdon të mbetet element negativ në të gjitha proceset zgjedhore. Si dhe numri i madh i fletëvotimeve të pavlefshme ështe shqetësues”, tha Albert Krasniqi nga organizata KDI.

PDK shprehu shqetësim veçmas për komunën e Drenasit, Betim Berisha nga Dega e PDK-së në Drenas, ka thënë se koalicioni PAN është dëmtuar nga rreth dy mijë fletëvotime të pavlefshme.

Edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, thotë se ky trend po përsëritet në të gjitha zgjedhjet e parakohshme, njofton rtklive.com

“Afatet e shkurta ndikojnë edhe në informimin publik, sidomos votuesit e rinj nuk dinë të votojnë. Ka ndoshta edhe arsye të tjera, edhe pse ne në fakt nuk e dimë saktësisht pse fletëvotimet janë të pavlefshme. Mundet të ketë edhe arsye tjera, ka edhe njerëz që janë të pakënaqur me gjithë situatën politike dhe thjeshtë e shprehin pakënaqësinë e tyre duke prishur fletëvotimin. Pra, ka lloj- lloj arsyesh. Por, ne vetëm pasi të bëjmë një analizë të përgjithshme të tyre, do të dimë se cilat janë arsyet kryesore“, ka thënë Daka.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme

Foto lajm