Votat e diasporës dhe ato me kusht ende të panumëruara

13:51 | 19 Qershor 2017
L G

Janë bërë një javë që nga mbajtja zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend. Pra që nga 11 qershori e deri më sot Komisioni Qendror Zgjedhor është duke vazhduar procesin e numërimit të votave nga të gjitha vendvotimet.

Nga gjithsej 1 milionë e 872 mijë e 942 votues sa ishin të regjistruar, 30 mijë e 213 persona kanë votuar me kusht.

I kontaktuar nga Indeksonline, Koordinatori i Qendrës së Numërimit të Votave, Burim Ahmetaj ka bërë të ditur se as sot nuk ka filluar procesi i numërimit të votave të diasporës dhe atyre me kusht.

“Nuk ka filluar ende numërimi, në ditët e ardhshme pritet që të fillojë edhe ky proces”, ka thënë Ahmetaj.

Sipas tij, arsyeja e mos-fillimit të numërimit të këtyre votave është mos-kompletimi i të gjitha proceseve.

“Pa u regjistruar votuesit me kusht dhe pa u kompletuar i gjithë ky proces i votuesve me kusht nuk mund të fillojmë me verifikimin, pra pa u bërë ky verifikim nuk mund të bëhet as numërimi me kusht”, ka shtuar Ahmetaj.

Ahmetaj ka cilësuar se nesër mund të bëhet fillimi i kompletimit të këtij procesi dhe se për çdo detaj KQZ do të njoftojë me kohë.

Në bazë të rezultateve të deritanishme të publikuara nga KQZ, del që prirja të jetë nga koalicioni PAN me 33.92 përqind, Lëvizja Vetëvendosje me 27.16 përqind si dhe koalicionin LDK-AKR-Alternativa me 25.79 përqind.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme