Vlerësohet pozitivisht Projekti kujdesi shëndetësor i qasshëm dhe cilësor

12:54 | 25 Prill 2017
Arbresh.info

Të martën në Ministrinë e Shëndetësisë u mbajt takimi i tretë i Komitetit Drejtues të Projektit të Zyrës Zvicerane për bashkëpunim në Kosovë (SDC) “Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor” (Accessible Quality Healthcare), në të cilin u raportua për implementimin e fazës së projektit që përfshin periudhën 1 janar – 31 dhjetor 2016.

Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani tha se zhvillimi i këtij projekti ka rëndësi për sistemin shëndetësor në Kosovë, në veçanti për Kujdesin Parësor Shëndetësor dhe qytetarët.

“Bazuar në ecurinë e deritanishme të projektit, vlerësojmë se jemi në rrugën e duhur për fuqizimin e shërbimeve përmes komponentëve të projektit për të arritur objektivat tona dhe sigurimin e qasjes për një mbulueshmëri universale me shërbime”, tha Rrahmani.

Bashkë-drejtuesi i këtij projekti, Bernhard Scoland nga Zyra Zvicerane për Bashkëpunim, tha se qëllimi i takimit të tretë të Komitetit Drejtues të Projektit është që të jepen informacione rreth ecurisë së deritanishme të këtij projekti dhe aktiviteteve të zhvilluara deri në këtë fazë.

Menaxherja e projektit, Debra Stevenson, tha se gjatë elaborimit të aktiviteteve të zhvilluara, drejtuesit e projektit janë të kënaqur me angazhimin e akterëve të përfshirë në të gjitha nivelet.

Në këtë takim, u diskutua edhe për sfidat dhe hapat e periudhës së ardhshme të zhvillimit të Projektit që do të zgjasë deri më 2019, e që lidhen me trajnime të mëtejme, ngritje e cilësisë së shërbimeve shëndetësore përmes sigurimit të kujdesit shëndetësor të qasshëm dhe kualitativ; përkrahje për zhvillimin e udhërrëfyesve dhe protokolleve klinike; ngritjen e kapaciteteve për kualitet të shërbimeve dhe mbikëqyrje të tyre; hulumtime në fushën e shëndetësisë, etj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme