Vjosa Osmani thotë se u mungojnë vetëm edhe 4 vota për për rrëzimin e Qeverisë

16:16 | 27 Maj 2019
Arbresh.info

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Vjosa Osmani në një deklaratë të dhënë për Telegrafin ka folur rreth mocionit që kjo parti do të bëjë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, si dhe për takimin që deputetët e kësaj partie do të zhvillojnë me të parin e partisë.

“Tashmë i kemi 57 nënshkrime të cilat janë mbledhur me herët. Për hapat e mëtejmë jemi në koordinim e sipër dhe sot të mbajmë takim të grupit parlamentar për të diskutuar këtë çështje”, ka thënë Osmani për Telegrafin.

Ndërkohë, deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës tashmë kanë filluar takimin me kryetarin e partisë, Isa Mustafën. Takimi po mbahet në selinë e partisë dhe po mbahet me dyer të mbyllura.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa gjatë javës së kaluar ka njoftuar se do të nisin një mocion të mosbesimit ndaj qeverisë Haradinaj, dhe se për ketë do të diskutojë edhe me dy partitë opozitare, Vetëvendosjen dhe Partinë Socialdemokrate.

Me kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, Mustafa është takuar gjatë javës së kaluar, ku pas takimit ata janë shprehur që kanë pajtueshmëri për rrëzimin e qeverisë dhe marrjen e veprimeve të përbashkëta.

Po ashtu, gjatë kësaj jave kryetari i LDK-së- Isa Mustafa pritet të takohet me kryetarin e PSD-së, Shpend Ahmetin për të diskutuar rreth mocionit.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme