Vjosa Osmani thërret mbledhjen e kryesisë së Kuvendit

15:36 | 15 Mars 2021
arbresh.info

u.d Presidentja, Vjosa Osmani, njëherit edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, ka thirrur për nesër mbledhjen e kryesisë së Kuvendit.

Aty pritet të diskutohet për datën e konstituimit të Kuvendit, konkretisht legjislatura e tetë.

Këtë e kanë bërë të ditur burime të portalit arbresh.info brenda Kuvendit.

Gjatë ditës, Vjosa Osmani e Albin Kurti kanë takuar u.d liderin e PDK-së, Enver Hoxhaj, dhe liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Në këto takime nuk pati ndonjë dakordim në lidhje me datën se kur mund të konstituohet Kuvendit.

Përgatitjet për mbledhjen konstituive të legjislaturës së tetë të Kuvendit janë përgjegjësi e Kryetarit nga legjislatura e mëparshme, shkruan arbresh.info.

“Kryetari dhe Kryesia, jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, për t’i caktuar vendet e deputetëve, përkatësisht të forcave politike në sallë, sipas fuqisë politike që kanë, sipas numrit të deputetëve të secilës forcë politike”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit të Kosovës.

Aty thuhet se nëse dy apo më shumë grupe parlamentare kanë numër të njëjtë të deputetëve, atëherë renditja e tyre në sallë bëhet me short.

Rendi i ditës i mbledhjes konstituive të legjislaturës duhet ta përfshijë formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit, të mandateve, zgjedhjen e kryetarit dhe të pesë (5) nënkryetarëve të Kuvendit./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme