Google ADS

Vjosa Osmani për BBC: Edhe vetë kam qenë refugjate, Kosova me zemërgjerësi i mirëpret afganët

01:31 | 19 Gusht 2021
Trina Galanxhi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një intervistë për BBC ka thënë se Kosova me zemërgjerësi po pret refugjatët afganë, duke përmendur se edhe vetë ajo ka qenë refugjate dhe se e ndje këtë situatë.

“Janë skena që ta thyejnë zemrën. Edhe unë kam qenë refugjate dhe përnjëmend e ndjejmë këtë çdo ditë”.

Pas deklaratave se Kosova është përgatitur që një muaj për ardhjen e afganëve, Osmani ka thënë se informatat i kishin më herët nga SHBA-ja dhe punonjësit e ushtrisë amerikane në Afganistan, por se saktësisht nuk e kanë ditur që do të vinte kjo situatë.

“Por ne jemi të gatshëm dhe e treguam këtë gatishmëri pa hezitim. Numri i saktë është ende duke u diskutuar, por ne s’mund të jemi vendi që i themi jo këtyre refugjatëve, të këtyre njerëzve në nevojë kur ne kemi hapësirën dhe sa më shumë hapësirë që kemi do ta shfrytëzojmë atë për t’i strehuar ata”.

“Me shumë gjasë ne do t’i kemi ata më shpejt se që e presim. Në fillim menduam se ata do të vinin për nja dy javë dhe se mund të kemi më shumë kohë për t’u përgatitur. Brenda dy-tri ditëve do të merret vesh edhe për datën e saktë se kur do të vijnë ata”.

Osmani ka thënë se Kosova është e gatshme të ndihmojë edhe si shtet transit për refugjatët afganë, sepse, sipas saj, vetëm kur punohet bashkë do të arrihet të ndihmohen.

Presidentja kosovare përmendi këtu edhe rastin e Kosovës kur u çlirua nga regjimi gjenocidal i Serbisë.

“Nëse ne nuk punojmë së bashku nuk do të jemi në gjendje të korrim sukses. Edhe në rastin e Kosovës u tregua kjo. Vetëm kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe anëtarët e tjerë të NATO-s së bashku mundën regjimin e Millosheviqit dhe sollën paqe në gjithë Ballkanin Perëndimor”.

Osmani po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha qeverive demokratike që t’ia zgjasin dorën afganëve njësoj siç ia zgjatën Kosovës.

“Nëse Kosova, një shtet i vogël ballkanik, mund ta bëjë këtë, çdo vend tjetër mund ta bëjë gjithashtu. Ne vetëm duhet të tregojmë zemërgjerësinë”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme