U.D presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, me rastin e 7 marsit ditës së mësuesit, ka zgjedhur që të urojë mësuesit duke u kthyer në retrospektivën e fillimit të mësimit në gjuhen Shqipe.
Ajo ka thënë se sot jetojmë ndryshe për dallim me kohën e atdhetarëve të shquar që e mbajtën gjallë arsimin në vitet më të vështria.
Postimi i plotë i Osmanit:
Në 7 marsin e vitit 1887, në Korçën e bukur, në qytetin e serenatave u ekzekutua një nga notat më domëthënëse të historisë sonë që hapi rrugën për kompozimin e një serenate të veçantë për popullin tonë. Në 7 marsin e 134 viteve më parë u hodhën hapat e parë në rrugëtimin më fisnik që ndriçoi mendjet tona. Në këtë ditë, me ndërtimin e mësonjëtores së parë shqipe u vu bazamenti më i qëndrueshëm i arsimit shqiptar.
Në frymën e atdhetarëve e veprimtarëve të shquar që dhanë kontributin fisnik për kombin, përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe e zhvillimin e arsimit u përhapën qytet pas qyteti, e cep me cep aty ku flitej e bukura gjuhë e jonë.
Ashtu siç nuk ishin fillimet e lehta për të parët tanë, aspak e lehtë nuk është as historia e arsimit të ditëve tona. Të freskëta i kemi kujtimet kur tentuan të na mohonin të drejtën për arsim, të freskëta i kemi përjetimet e të mësuarit në shtëpitë që u shndërruan në djepin e arsimit, vetëm e vetëm që serenata e arsimit të mos ndalonte së kumbuari e rrugëtimi i dijes të vazhdonte përkundër pengesave.
Sot jetojmë në një realitet ndryshe, sot e drejta për arsim është e garantuar. Por ende sot, sfidat mbeten të mëdha e punët që duhen bërë janë të shumta. Përderisa lëngon sistemi jonë i arsimit, bashkë me të do të lëngojë edhe shoqëria jonë. Sepse, nuk ka vend që jeton në mirëqenie të plotë e gëzon progres të vërtetë, përderisa pjesë të caktuara të shoqërisë ballafaqohen me sfida për t’u qasur bankave shkollore e gjersa aftësia e nxënsve tanë për të përdorur njohuritë dhe aftësitë e tyre të leximit, matematikës dhe shkencës për të përmbushur sfidat e jetës reale nuk janë në nivelin e dëshiruar.
Secilën herë që vizitoj shkollat e vendit tonë, kuptoj sa shumë potencial kemi e sa jo mjaftueshëm është bërë. Andaj, rrugëtimin tutje do e vazhdojmë duke prioritizuar investimet në këtë drejtim, duke u angazhuar për një zhvillim të dinjitetshëm të sistemit të arsimit, e duke u angazhuar për mësim cilësor e të qasshëm për të gjithë.
Sot dua në veçanti të përkulem përpara punës së mësuesve e të mësuesve tona, përpara të gjithë atyre që ndriçimin e rrugëtimit të dijes e kanë mision të jetës. Ju jeni bazamenti më i shëndoshë i shoqërisë sonë e ata që i ndriçuat me mësimet tona janë garanca jonë më premtuese për një të ardhme më të mirë.
Të dashur mësues e mësuese të vendit tonë, urime 7 Marsi!
Sulmi në Ibër Lepenc, LDK: Të papranueshme këto akte terrori...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, ambasadori britanik: Të hetohet s...
Ushtarët amerikanë me armë të gjata te vendi i shpërthimit n...
Hoxha: Për shkak të dy shpërthimeve në veri, kemi shtuar mas...
Bedri Hamza shkon në Zubin Potok, dënon aktin nga vendi i ng...
Sveçla: Grupet terroriste sponsorizohen nga Serbia