Vjosa është 10 herë më e zezë sesa Vlora Çitaku”, thotë Daçiq

13:54 | 23 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka fyer ushtruesen e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, por edhe ish-ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Ai, i ftuar sot në programin e mëngjesit në TV Happy, tha se Osmani është për çdo gjë kundër.

“Kemi në Kosovë Vjosa Osmanin që për çdo gjë është kundër kur bëhet fjalë për Serbinë”, tha Daçiq, teksa moderatorët e emisionit ia kujtuan përplasjet e tij edhe me ish-ambasadoren e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku, gjatë seancave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. “Vjosa është 10 herë më e zezë sesa Vlora Çitaku”, shtoi ai.

Osmani po ushtron detyrën e presidentes pas dorëheqjes së Hashim Thaçit. Ajo është kryetare e Kuvendit.

Daçiqi ka folur edhe për zgjedhjet në Kosovë që pritet të mbahen së shpejti. Ka thënë se është krijuar një praktikë që sa herë ka bisedime me Serbinë dhe që është afër të arrihet ndonjë marrëveshje, në Kosovë shpallen zgjedhje.

“Deri dje lajm ishte samiti që do të organizohej nga presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, por në mbrëmje doli Gjykata Kushtetuese dhe e rrëzoi Qeverinë. Është krijuar kjo praktikë qëkur unë isha pjesëmarrës në dialog. Gjithnjë dilte ndonjë problem dhe garnitura e re thoshte se nuk marrin përsipër atë që është folur dhe që është nënshkruar më herët”, ka thënë Daçiqi, që ka mbajtur edhe funksione tjera të larta si kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme të Serbisë.

Ai pret që serbët të dalin edhe më të fortë dhe më të bashkuar nga zgjedhjet e ardhshme në Kosovë./koha.net

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme