Google ADS

Vjet në Gjermani janë vendosur 12 mijë shtetas të Kosovës

09:40 | 17 Korrik 2019
Arbresh.info

Zyra e Statistikave në Wiesbaden bën të ditur se në Gjermani gjatë vitit 2018 kanë ardhur 1.185.000 persona me shtetësi të huaj nga vendet tjera, që është një plus prej 416.000, krahasuar me një vit më parë. Në kohën e lëvizjeve të shtuara të njerëzve, Gjermania ka shënuar bilanc pozitiv vjetor prej vitit 2010 deri më sot.

Numri më i madh i personave të ardhur në Gjermani është shënuar në kohën e ardhjes masive të refugjatëve, në vitin 2015, me rreth 1,5 milionë. Më pas ka rënë numri i të ardhurve në këtë vend, bën të ditur një zëdhënës i Zyrës, për agjencinë katolike të lajmeve KNA.

Ndërkohë nga Gjermania janë larguar sipas të dhënave statistikore rreth 262.000 shtetas gjermanë. Por nga Gjermania janë larguar gjatë vitit të kaluar edhe rreth 924.000 persona me shtetësi të huaj.

Nëse llogariten të gjitha shifrat e të ardhurve me shtetësi gjermane dhe të huaj, gjatë vitit të kaluar në Gjermani janë vendosur 1.384.000 persona. 87% prej tyre kanë pasaportë të huaj, kumtoi Zyra për Statistika. Ndër vendet me numrin më të madh të personave të ardhur nga vendet jashtë Bashkimit Evropian, janë Shqipëria (rreth 8.000), Kosova me 12.000 si dhe Turqia me rreth 16.000 persona. Por shifrat më të larta të lëvizjeve janë megjithatë nga vendet e BE dhe Azisë.

Gjatë vitit të kaluar në Gjermani kanë ardhur 202.000 persona me nënshtetësi të ndonjë vendi anëtar të BE. Më së shumti kanë ardhur nga Rumania (68.000), Kroacia (29.000) dhe Bullgaria (27.000). Ndërsa nga Azia kanë ardhur në Gjermani gjatë vitit të kaluar rreth 118.000 persona. Nga vendet tjera të Evropës (jashtë BE) kanë ardhur 85.000, nga Afrika 34.000./DW

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme