Drejtësia kosovare ka qenë “e pamëshirshme” në luftimin e një lloji të caktuar të kriminalitetit, duke shqiptuar dënime shembullore ndaj kryesve të veprave penale të vjedhjes së rëndomtë.
Efikasiteti i treguar nga prokuroria dhe gjykata në trajtimin e rasteve të “hajnave” të vegjël, është pakrahasimisht më i lartë në raport me efikasitetin që këto dy institucione kanë treguar në luftimin e krimit milionësh e korrupsionit në Kosovë.
Qindra lëndë të kësaj natyre, për vjedhje pulash e gjësende tjera me vlera të ulëta monetare ngarkojnë prokuroritë dhe gjykatat çdo vit, ndonëse këto raste mund të trajtohen përmes procedurave alternative, marrë parasysh faktin se dëmi i pretenduar në akuzë pothuajse minimal.
Shumë nga këto aktakuza të ushtruara nga prokuroria, në realitet u referohen rasteve të cilat legjislacioni ynë penal i ka kategorizuar si “vepra të rëndësisë së vogël”, e të cilat janë jashtë sferës penale, çka nënkupton se këto veprime edhe pse ngjasojnë me vepër penale ato nuk përbëjnë vepra penale, kryesit nuk ndiqen penalisht dhe nuk dënohen nga gjykatat.
Referuar Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepra është e “rëndësisë së vogël” kur rrezikshmëria e saj është e parëndësishme për shkak të natyrës ose peshës së veprës; mungesës ose pasojave të dëmshme të parëndësishme; rrethanave në të cilat është kryer vepra; shkallës së ulët të përgjegjësisë penale të kryesit; ose rrethanave personale të kryesit.
Po ashtu, edhe lartësia e dënimeve të shqiptuara ndaj këtyre “hajnave” të vegjël pothuajse është identike me dënimet që gjykatat kanë shqiptuar ndaj kryesve që janë shpallur fajtorë për vepra penale korruptive.
Gjatë monitorimit sistematik të rasteve të korrupsionit, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka evidentuar në vazhdimësi se dënimet me burgim me kusht dhe dënimet me gjobë janë dënimet e ‘preferuara’ nga gjykatat e Republikës së Kosovës ndaj të akuzuarve për vepra penale korruptive, vepra këto që sipas legjislacionit tonë janë të kategorizuara si vepra penale me peshë e pasoja shumë më të rënda, ku dëmi i pretenduar është tepër i lartë.
Ngjashëm, dënime me kusht e me gjobë janë aplikuar nga gjykatat e vendit edhe për krimet e vjedhjeve të rëndomta, çka paraqet një standard të “dyfishtë” dhe të padrejtë të drejtësisë kosovare në raport me luftimin dhe parandalimin e kriminalitetit.
Më poshtë gjenden 10 dënimet e shqiptuara nga gjykatat e vendit ndaj kryesve të vjedhjeve të rëndomta.
Ajo që bën më shumë përshtypje gjatë analizimit të këtyre rasteve është pesha e dëmit, e cila është minimale, ndërsa dënimet e shqiptuara nga gjykatat e Republikës së Kosovës janë maksimale dhe identike me ato që rëndom aplikohen nga gjyqësori kosovar për veprat penale korruptive.
Hasan Asllani është dënuar me 400 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, për akuzën se vodhi një shishe raki në qendrën tregtare “ ETC” në Viti.
Ai ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Gjilan se në shkurt të vitit 2021 ka kryer vjedhje në dëm të të dëmtuarit, pronarit të “ ETC”-së , ku i njëjti kishte hyrë në market dhe nga raftet ku ishin të ekspozuara pijet alkoolike, merr një shishe raki dhe të njëjtën e fsheh nën xhaketën që e kishte të veshur, ndërsa me rastin e pagesës te kasa ai bën pagesën vetëm për një pije tjetër të thjeshtë dhe me mallin e vjedhur del nga qendra tregtare.
Dëmi i pretenduar: Sipas prokurorisë, dëmi i pretenduar arrin vlerën e përgjithshme prej 21 euro.
Tre të akuzuarit S.L, N.M. dhe R.L, ishin akuzuar nga prokuroria se në janar të vitit 2018 pas mesnate shkojnë në stallën e pulave pronë e të dëmtuarit A.F, hynë brenda dhe marrin një pulë dhe pastaj largohen nga vendi i ngjarjes.
Si pasojë e këtyre veprimeve, tre të akuzuarit janë dënuar me nga 250 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prizren. Të njëjtit paraprakisht e kishin pranuar fajësinë për veprën e kryer dhe dëmin e shkaktuar.
Dëmi i pretenduar: I pacaktuar.
Me tre muaj burgim me kusht, e kishte dënuar Gjykata Themelore në Gjilan të akuzuarin L.I, nën akuzën se shkoi në marketin “KAM” dhe vodhi një shishe të alkoolit “Smirnoff Vodka”, 700 ml dhe rrjedhimisht doli pa bërë pagesën.
Gjykata mori këtë aktgjykim duke vlerësuar si rrethanë lehtësuese faktin se i akuzuari është i moshës relativisht të re dhe më parë nuk ka qenë i gjykuar e as i dënuar për çfarëdo vepre penale dhe për të ishte hera e parë që bie ndesh me ligjin. Ndërsa, rrethana rënduese gjykata nuk kishte gjetur.
Ndryshe, në shqyrtimin fillestar, i akuzuari L.I. e ka pranuar veprën penale me të cilën ngarkohej.
Dëmi i pretenduar: Sipas prokurorisë dëmi i pretenduar arrin vlerën e përgjithshme prej 11 euro e 66 centë.
4 vit burgim me kusht dhe 600 euro gjobë ndaj të akuzuarit se vodhi dy palë tuta dhe një palë atlete
Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas e ka dënuar me një vit burgim dhe 600 euro gjobë, M.Z, i cili akuzohet se ia vodhi dy palë tuta dhe një palë atlete të dëmtuarit H.R., në kompleksin banesor “L”, në Komunën e Drenasit.
I njëjti akuzohej nga prokuroria se kishte hyrë në kompleksin banesor “L” dhe tek pushimorja ndërmjet katit të pestë dhe gjashtë, të dëmtuarit H.R., ia kishte marrë dy palë tuta dhe një palë atlete, të cilat ishin duke u tharë në korridorin e ndërtesës. I njëjti atletet e të dëmtuarit i kishtembathur menjëherë, ndërsa atletet e tij i kishte lënë tek vendi i ngjarjes, duke i shkaktuar të dëmtuarit dëm material.
Përndryshe, i akuzuari në seancën fillestare kishte pranuar se e ndjen veten fajtor për veprën e kryer dhe është penduar njëkohësisht.
Dëmi i pretenduar: I pacaktuar.
Pasi që i akuzuari Gëzim Llumnica në mars të vitit 2015, kishte vjedhur një xhaketë në dyqanin “Beneton” në Prishtinë, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, është dënuar me katër muaj burgim me kusht dhe me 250 euro gjobë.
I njëjti akuzohej nga prokuroria se në mars të vitit 2015 në sheshin “Ibrahim Rugova”, në butikun “Beneton”, në Prishtinë, kishte marrë katër xhaketa për t’i provuar në kabinë dhe njërës prej tyre ia këput alarmin, duke e lënë në kabinë dhe e vesh nën xhaketën e vet, kurse tri të tjera ia kthen punëtores, e më pas largohet nga vendi i ngjarjes.
Ndërkaq, në seancën fillestare i njëjti kishte deklaruar se “I kam ra pishman dhe kam gabuar. Ka qenë hera e parë që e kam bo dhe shyqyr që jam ngul se kam mbledh mend. Nuk jam për me i ikë përgjegjësisë”.
Dëmi i pretenduar: Sipas prokurorisë dëmi i pretenduar arrin vlerën e përgjithshme prej 129 euro.
I akuzuari Alban Hajrizi pasi pranoi fajësinë se kishte vjedhur brisqe të rrojës, është dënuar me tre muaj burgim dhe me 250 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
I njëjti në dhjetor të 2015-ës në dyqanin “Super Viva” kishte marrë brisqe rroje në vlerë prej 97 euro, me ç ‘rast të dëmtuarës “Super Viva”, i ka shkaktuar dëm material.
Me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit në këtë rast, gjykata ka marrë parasysh si rrethanë rënduese faktin që i akuzuari është recidivist, ka të kaluar kriminale dhe tani ndodhet në vuajtje të dënimit për një vepër tjetër penale.
Dëmi i pretenduar: Sipas prokurorisë, dëmi i pretenduar arrin vlerën e përgjithshme prej 97 euro.
Për vjedhjen e një biçiklete, Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë e kishte dënuar me 500 euro gjobë të akuzuarin R.A.
Fillimisht, i akuzuari për vjedhje R.A., ishte dënuar me 200 euro gjobë si dhe një muaj burgim efektiv, por që me pëlqimin e tij, dënimi me burgim i është shndërruar në dënim me gjobë prej 300 euro, ashtu që totali i dënimit me gjobë arrin lartësinë prej 500 euro.
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 10 dhjetor 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj R.A., me arsyetimin se ai më 14 gusht 2020, në kohë të pacaktuar gjatë mesnatës, në Kamenicë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete ose tjetrin, e ka vjedhur biçikletën e të dëmtuarit N.C.
Sipas prokurorisë, i akuzuari gjatë natës shkon te objekti banesor ku banon i dëmtuari dhe në korridorin e katit të parë ku ishte e parkuar biçikleta, të njëjtën e merr dhe e fsheh në shtëpinë e tij, ndërsa pas bastisjes, në mesin e shumë biçikletave të vjedhura, gjendet e demoluar edhe biçikleta e të dëmtuarit. E njëjta sipas aktakuzës, konfiskohet dhe më pastaj i kthehet të dëmtuarit. Në këtë mënyrë, i akuzuari me veprimet e veta të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë të pa caktuar.
Dëmi i pretenduar: I pacaktuar
Nën akuzën se vodhën katër pula dhe një gjel në kotecin e të dëmtuarit P.S., në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit, dy të akuzuarit T.A. dhe K.I. ishin dënuar me nga katër muaj burgim me kusht.
Sipas aktgjykimit, dënimi i shqiptuar ndaj tyre, nuk do të ekzekutohet nëse ata në periudhën verifikuese prej një viti nuk kryejnë vepra të tjera penale.=
Prokuroria Themelore në Gjilan, më 21 shtator 2020 kishte ngritur aktakuzë ndaj T.A. dhe K.I., me arsyetimin se në mars 2020, në bashkëveprim dhe me qëllim të përfitimit pasuror për vete apo për tjetrin në kotecin e të dëmtuarit P.S. kanë vjedhur katër copë pula dhe një gjel e më pas janë larguar në drejtim të panjohur.
Dëmi i pretenduar: Sipas prokurorisë, dëmi i pretenduar arrin vlerën e përgjithshme prej 100 euro.
Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me 3 muaj burgim me kusht dhe 100 euro gjobë të akuzuarit Leonat Bullatovci, Edi Drenovci dhe Leotrim Aliu, për akuzën se në bashkëkryerje, kanë vjedhë 14 pëllumba të cilët ishin në kafazin e tyre në shtëpinë e të dëmtuarit Mirlind Gashi.
Të njëjtit kishin pranuar fajësinë në seancën fillestare dhe kishin deklaruar së janë penduar për rastin dhe veprën për të cilën po ngarkohen. Tre të akuzuarit kishin deklaruar se pëllumbat ia kishin kthyer të dëmtuarit Mirlind Gashi pas një ore.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, në mars të 2020-ës, ka ngritur aktakuzë kundër Leonat Bullatovcit, Edi Drenovcit dhe Leotrim Aliut, të cilët i ngarkonte me veprën penale “Vjedhja”.
Dëmi i pretenduar: Sipas prokurorisë, dëmi i pretenduar arrin vlerën e përgjithshme prej 800 euro.
Adnan Vokshi, është dënuar me 80 ditë burgim dhe 100 euro gjobë, pasi e ka pranuar fajësinë për vjedhjen e dy gypave të metalit në një vendpunishte në Gjakovë.
Ky dënim iu shqiptua nga Gjykata Themelore në Gjakovë, pasi në seancën fillestare e kishte pranuar fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohej dhe ishte shprehur i penduar.
“I kërkoj falje të dëmtuarit për veprën që e kam kryer. Sendet e vjedhura ia kam kthy të dëmtuarit”, kishte thënë i akuzuari.
Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Gjakovë thuhet se më 9 tetor 2021, në rrugën “Luan Haradinaj” në Gjakovë, afër sallës së sporteve, i akuzuari Adnan Vokshi, me dashje me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore të kundërligjshme, ia merr pasurinë e luajtshme të dëmtuarit Armend Doli.
Sipas aktakuzës, ai këtë e ka bërë në atë mënyrë që në ditën kritike, me karrocë të dorës shkon te vendpunishtja e të dëmtuarit dhe merr dy gypa të metalit, e pastaj largohet nga aty, ku gjatë largimit në rrugën “Tirana”, i dëmtuari e takon të akuzuarin, të cilin më pas e raporton në polici, të të njëjtit sendet i sekuestrohen nga policia dhe i kthehen të dëmtuarit.
Dëmi i pretenduar: I pacaktuar. /BetimipërDrejtësi
BE: Çështjet e arsimit dhe shëndetësisë në veri të Kosovës t...
Doracakët për edukimin seksual, MASHTI i largon nga përdorim...
Arrestohet serbi i dyshuar për sulmet ndaj KFOR-it vitin e k...
Ministria e Kulturës kundërshton Komunën e Prishtinës: Pjesa...
Lansimi i reformës me asistencë sociale, Kurti: Synon të pro...
Vullneti zgjon banorët nga gjumi me zhurmën e enëve, ja reag...