Në javët e fundit, krerët e institucioneve të Kosovës kanë pritur përfaqësues ndërkombëtarë, përfshirë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të Bashkimit Evropian.
Pas vizitës së shefit të CIA-s, William Burns, sot në Prishtinë kanë arritur i dërguari Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimorë, Emanuel Sarrazin, dhe ndihmës-sekretari i NATO-s, Thomas Goffus.
Njohësit e çështjeve politike në vend vlerësojnë se vizitat e tyre kanë të bëjnë më shumë me koordinimin e Kosovës me ndërkombëtarët si dhe për parandalimin e ndonjë konflikti ndëretnik.
Arton Demhasaj, analist politik për Arbresh.info tha se Bashkësia Ndërkombëtar nuk dëshiron me e pa edhe një konflikt si ai në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë-Rusi.
“Mund të jetë më tepër se sa paralajmërim të ndonjë tendence perëndimore, për me i përmbyll të gjitha mundësit apo të gjitha dyert e një eskalimi të mundshëm të ndonjë situate ndëretnike në Ballkan, për arsye se bota po ballafaqohet me kriza të sigurisë, sidomos në Lindjen e Mesme dhe njëkohësisht edhe Ukrainë-Rusi, kështu që nuk dëshirojnë më me pa vatra të tilla të konflikteve”, tha Demhasaj.
Sipas tij, vizitat e ndërkombëtarëve po bëhen në vendet që konsiderohen pika të nxehta për konflikt të mundshëm.
“Kështu që më shumë gjasë edhe shefi i CIA-s edhe këto vizitat e tjera që ndodhin sot, që kanë ndodh në të kaluarën dhe që do të ndodhin në vijim, pikërisht në vendet që mund të konsiderohen pika të nxehta ku mund të ketë tendenca të konflikteve të mundshme, dhe qëllimi i tyre thjeshtë është me i mbyllë të gjitha mundësit për me pas një konflikt ndëretnik, qoftë mes Kosovës dhe Serbisë apo edhe në Bosnje apo diku tjetër në Ballkan. Unë mendoj që tendenca është për me i parandalu dhe me i mbyll të gjitha dyert e mundshme të një konflikti të mundshëm ndëretnik që mundet me pas ndonjëherë në Ballkan”, tha tutje Demhasaj.
Ndërsa, për Mazllum Baraliun, analist politik vizitat e ndërkombëtareve në Kosovë po i konsideron më shumë si imponim për koordinim.
“Koordinimin e domosdoshëm po dojn ta imponojnë edhe për çështje të brendshme, siç është çështja e urës, edhe për çështje të cilat janë dakorduar në Bruksel dhe do të duhej zbatuar. Prandaj thjeshtë është një presion ndërkombëtar, natyrisht edhe për shkak të gjendjes politike çfarë e kemi”, tha Baraliu për Arbresh.info.
Ai theksoi se kjo është më shumë një presion, sidomos nga zyrtarët e NATO-s.
“Mirëpo ky është thjeshtë presion për të koordinuar për të imponuar koordinim dhe kjo është, mendoj që janë shpeshtuar, sidomos nga zyrtarët e NATO-s të cilët kanë marr përgjegjësinë e sigurisë në urë dhe tani shohim një pas një prej tyre që vijnë dhe vizitojnë Kosovën”, tha Baraliu.
Afërdita Maliqi, analiste politike tha se vizitat e ndërkombëtarëve kanë të bëjnë më shumë me sigurinë dhe dialogun.
“Këto vizita kanë ndërlidhje të drejtpërdrejtë me çështje të sigurisë dhe dialogut, i cili ka kohë që ka stagnuar. Vizita e shefit të CIA-s duhet të parë në dy dimensione: Dimensioni i parë ka të bëjë me sigurinë rajonale e cila është fragjile për shkak të luftës hibride të Rusisë, e cila është duke i përdorur dy satelitët e saj: Serbinë dhe Bosnjën për të krijuar tensione në Ballkan. Në këtë drejtim, ShBA-ja dhe shtetet perëndimore janë të interesuar të mos ketë vatra të reja konfliktesh. Ndërsa dimensioni i dytë ka të bëjë me veprimet dhe paralajmërimet e fundit të Qeverisë së Kosovës në raport me hapjen e urës së Ibrit”, tha Maliqi për Arbresh.info
Sipas saj, vizita e Burns ka sjellë mesazhe të qarta për qeverinë që mos të bëjë hapa të pakoordinuar.
“Edhe dy vizitat e fundit duhet të shihen në kontekst të sigurisë dhe ecjes përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha tutje Maliqi.
Ndryshe, me 22 gusht shefi i Inteligjencës Amerikane, William Burns ka qëndruar për një vizitë dy ditore në Prishtinë, pas qëndrimit në Sarajevë e Beograd.
Shefi i CIA-s amerikanë është pritur në takim nga krerët më të lartë shtetëror, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti.
Vizita e Burnsit në Kosovë vjen në kohën kur ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier ka thënë se shteti i tij është sfiduar në disa aspekte nga Qeveria e Kosovës.
Ndërsa të enjten, Kurti në mbledhjen e Qeverisë ka njoftuar se të premten ndihmës-sekretari i NATO-s, Thomas Goffus do të vizitoj vendin, pa dhënë detaje të reja.
Emanual Sarrazin, emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor tashmë ka arritur në Kosovë ndërsa ende nuk është bërë e ditur nëse do të takohet me krerët shtetëror. /Arbresh.info/Ejon Hyseni/
Dhimbja që “udhëton” nga shpatulla në bërryl shkaktohet zako...
Ismajli gati për hapin e madh në karrierë, ai refuzon rinovi...
Mbappe: Bilbao më bëri mirë, mund të bëj shumë më tepër
“Duhet të luftojmë”, Zelensky tregon çfarë i duhet Ukrainës ...
Të paktën 28 të vrarë nga sulmet në Gaza
Kurti mërgatës: Paramendojeni çfarë bëjmë 37 mijë votat ju m...