Google ADS

‘Vizioni i Kosovës është që romët dhe ashkalinjtë të jenë të barabartë dhe aktiv në jetën shoqërore e politike’

11:30 | 21 Shkurt 2018
Arbresh.info

Kryeministri i Republikës së Kosovës, mori pjesë në seminarin e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së Kryeministrit në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian, me temën “Zotimi i politikave dhe përfshirja e komuniteteve Rom dhe Ashkali në shoqërinë Kosovare”.

Qëllim i këtij seminari ishte diskutimi rreth të arriturave, sfidave dhe prioriteteve në zbatimin e politikave për komunitetet Rom dhe Ashkali në Kosovë, siç janë: arsimi, punësimi, mirëqenia sociale, shëndetësia, banimi, regjistrimi civil dhe tema tjera që janë të ndërthurura me diskriminimin dhe barazinë gjinore.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj pasi shprehu falënderimin e veçantë për besimin që të zgjedhurit nga ky komunitet i kanë dhënë atij, tha se mësimet e nxjerra nga e kaluara, qofshin të vuajtjeve, të gabimeve, duhet të shërbejnë për të qenë më vizionar. “Ky vizion nënkupton që ne të arrijmë që romët, ashkalinjtë e Kosovës të jenë të barabartë, aktiv, pjesëmarrës në jetën shoqërore dhe politike”, tha kryeministri Haradinaj.

Kryeministri shprehu përkrahjen e Qeverisë për komunitetin rom dhe ashkali, duke theksuar nevojën e arritjes së stadit të njëjtë të tyre me komunitetet tjera.
“Strategjia e Qeverisë së vendit 2017 – 2021 dhe pjesëmarrja në vendimmarrje politike dhe profesionale, por edhe të gjitha ato veprime që i ndërmarrim në përkrahje buxhetore që iu dedikohen komunitetit, në këtë rast rom dhe ashkali, janë dëshmi se në Kosovë ka filluar të vendoset e drejta”, tha kryeministri Haradinaj.

Më tutje, kryeministri Haradinaj theksoi disa nevoja të cilat janë të domosdoshme për këtë komunitet, si, çështja e banimit, edukimit, punësimit, trajtimi shëndetësor, të cilat do të trajtohet me kujdesin më të madh.

Shefja e Zyrës së BE-së/ përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, theksoi se integrimi i komuniteteve kontribuon drejt identitetit të
përbashkët evropian. Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Apostolova tha se përpjekjet që duhet bërë për të mbrojtur të drejtat e komunitetit rom, janë moment kyç në rrugën evropiane të Kosovës. Ajo tha se BE mirëpret miratimin e Strategjisë dhe planin e veprimit për përfshirjen e komuniteti rom dhe ashkali në shoqërinë e Kosovës.

Isak Skenderi, përfaqësues i shoqërisë civile-OJQ zëri i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, falënderoi Qeverinë dhe kryeministrin Haradinaj për mbështetje, duke thënë se zëri i këtyre komuniteteve asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar sesa sot në këtë qeveri. Ai tha se duhet të vazhdohet me kapacitet dhe aftësitë që posedojnë që të ngritin zërin dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shoqërisë në përgjithësi, e në veçanti të minoriteteve./Arbresh.info

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme