Google ADS

Vitin e kaluar u asgjësuan afër 150 mijë kilogramë mish i prishur

22:47 | 19 Janar 2019
Arbresh.info

Informata e një qytetarit se disa persona po blejnë lopë të ngordhura e po i bëjnë gati për treg, ka dërguar deri të aksioni i Policë së Kosovës në gjetjen e 1090 kilogramë mish të prishur në Pejë.

Njësia policore me urdhër të prokurorisë, ka ndjekur njërin të dyshuar, ku ka hasur në dy objekte të cilat ishin të mbushura me mish të kafshëve të therura por në gjendje shumë të keqe, pa mirëmbajtje e pa prejardhje në nëntë frigoriferë.

Zyrtari nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, Lamir Thaçi për Indeksonline ka treguar se në çfarë kushtesh është gjetur mishi në Pejë.

“Të mërkurën rreth orës 14.30 jemi kontaktuar nga Policia e Kosovës, Stacionit Policor në Pejë, lidhur me një informatë qe kanë pranuar nga një qytetar, se në një fermë është marrë një kafshë e ngordhur. Pas hetimeve qe ka zhvilluar Policia,  është gjete vendi dhe i dyshuar. Me urdhër të Prokurorit të shtetit, kemi kryer inspektim në shtëpinë private të të dyshuarit, në rrugën “Lekë Dukagjini” nr. 179, në Pejë. Në dy objekte të vogla,  në oborrin e shtëpisë është hasur në kafshën e copëtuar, si dhe në disa pajisje ftohëse të vjetruara (me korrozion). Aty është gjetur edhe  një sasi e konsiderueshme e produkteve të mishit të ngrira, tymosura në kushte jo të mira higjienike”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, hapësira ku ishte ushtruar kjo veprimtari ilegale ka qenë në gjendje të papranueshme higjienike.

“Në kontroll organoleptik konstatohej se produkti kishte erë kundërmuese dhe pamja fizike ishte jo ne rregull. Hapësirat ku është ushtruar kjo veprimtari ilegale ka qenë në gjendje të papranueshme higjienike, ka pasur  papastërti në hapësirat e therjes dhe ruajtjes se produktit. Kushtet teknike- sanitare dhe higjienike jashtë çdo standardi”, ka thënë mes të tjerash ai.

Asgjësimi është kryer në mjetin transportues të kompanisë se higjienës publike në prani të Policisë, ndërsa në konsultim me Prokurorin e shtetit lënda i është dorëzuar policisë së hetimeve për ta dërguar në organet e drejtësisë.   Mirëpo, nuk është hera e parë që mish i prishur haset  në treg ku u sërvohet qytetarëve. Në vitin që lamë pas, AUVK-u ka asgjësuar 149 mijë e 65 kilogramë mishi dhe nënprodukte të mishit.

“Gjatë vitit 2018 inspektorati veterinar i Agjencisë se ushqimit dhe veterinarisë ka asgjësuar 149,065  kg  mish dhe nënprodukte të mishit. Ne rastet kur artikujt janë gjetur ne treg të ekspozuara dhe të cilat kanë qenë të pa përshtatshme për konsum ato janë konfiskuar dhe janë asgjësuar, të gjitha  këto raste janë dërguar në gjykatë. Një sasi e madhe e  artikujve ushqimor me afat të skaduar asgjësohen me kërkesën e vet subjekteve afariste”, ka bërë të ditur Lamiri.

Kryetari i Organizatës ‘Konsumatori’, Selatin Kaçaniku,e ka quajtur tmerruese faktin që mbi 1 mijë kg mish kanë mundur të i servohen konsumatorëve.

“Është tmerruese nëse kemi parasysh, dyshimet, frikën e qytetarit se depo me pamje të tilla ka gjithandej Kosovës”, ka thënë ai

Ai ka shtuar se duhet bashkëpunuar për hirë të shëndetit sa i përket prodhimeve, mallrave dhe shërbimeve.

“Kohë më parë nga Peja na erdhi paralajmërimi i rastit të  bashkpunimit të disa punëtorëve të pastrimit me një kasap e përpunues mishi për ” suxhuk shtëpie “. Rastin e kemi paraqitur dhe shpresojmë se edhe ky bashkpunim i yni me AUVK-në, pas hulumtimeve e përcjelljeve, solli deri te ky rezultat. Dmth. se duhet të bashkpunojmë për të mirën e shëndetit e jetës sonë. Për këtë dhe për shumë arsye tjera, me qëllim që të ngrisim nivelin e bashkpunmit e vetëdijesimit në nivel më të lartë, si anëtar i Bordit të AUVK-së, vazhdimisht jamë duke kërkuar që  të hartohen e zbatohen Plan-Programet, projektet e informimit, arsimimit, edukimit, ngritjes së vazhdueshme të nivelit kulturor e të vetëdijesimit të qytetarit konsumator taksapagues për të drejtat e OBLIGIMET, për interesat dhe dinjitetin. Këtë kërkesë vazhdimisht, për 12 vite të aktivizmit PRO BONO, ia kemi bërë të gjitha institucioneve, asociacioneve e mekanizmave të Shtetit. Por, politizimi i tepërt i të gjitha organizmave që i numërova po i pengon iniciativat tona – qëllimisht, sepse po preken interesat e ngushta dhe grupore të ndokujt”, ka deklaruar Kaçaniku.

Ndryshe, për mishin e prishur,  Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Sali Shkuliqin. Me datë 16.01.2019, në kohë të pacaktuar, në fshatin Trestenik, Komuna Pejë, së bashku me të pandehurin R e kanë blerë lopën e sëmurë nga i pandehuri M.B në shumë prej katërqind euro, me qëllim që ta vejnë në qarkullim mishin duke e ditur se është i sëmurë. Pas marrjes së informacionit policia shkon në bastisje në shtëpinë e të pandehurit dhe njoftojnë Inspektorët Komunal të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë ku me atë rast konstatuan se në shtëpinë e tij gjenden 1,089 kg mishra të përziera të cilat kanë qenë të destinuara për konsumim publik

Me këto veprime i pandehuri Sali Shkuliqi dyshohet se si bashkëkryeska kryer veprën penale prodhimi dhe vënia në qarkullim e artikujve të dëmshëm ushqimor. Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme