Vitin e kaluar në QKUK janë kryer mbi 40 mijë ndërhyrje kirurgjike

09:13 | 20 Mars 2018
Arbresh.info

Operacioni bypas, i njohur ndryshe si operacion në zemër të hapur është, kryer për herë të parë nga doktorë kosovarë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar. Të dhënat e Qendrës Terciare, përfshirë spitalet rajonale, flasin se gjatë vitit të shkuar janë kryer mbi 40 mijë ndërhyrje kirurgjikale.

Mjekët kosovarë në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar kanë kryer me sukses intervenime kirurgjike të cilat deri me tani nuk janë realizuar në Kosovë. Te një paciente me probleme të lindura të zemrës është bërë njëkohësisht edhe bypas. Këtë e pohon për Radio Kosovën Tefik Bekteshi, ushtrues detyre i drejtorit të Kardiokirurgjisë dhe Kardiologjisë Invazive.

“Jemi të përkrahur nga Kardiokirurgjia, një pacient për herë të parë e kanë punuar, i cili para disa ditëve kishte pësuar infarktin akut, ku ne nuk kemi arritur rikanalizimin me metodat e kirurgjisë invazive, ata e kanë marrë pacientin dhe kanë bërë operacion bypas, urgjent që është për herë të parë te ne”, tha Bekteshi .

Zëdhënësi për Informim , Shpend Fazliu, tha se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës është duke bërë përpjekje që mjekëve kosovarë t’u ofrohen kushte sa më të mira për realizimin e operacioneve të komplikuara, të cilat janë edhe të kushtueshme.

“Duke u shtuar prioritet i lartë në kardiokirurgji, ku është rritur numri i stafit së fundmi, janë pranuar edhe dy kardiokirurg dhe është përforcuar anestezioni me mjekë specialistë, në mënyrë që në vazhdimësi të ketë rritje të numrit operacioneve në kardiokirurgji dhe ndërhyrje të tjera, që të kursehet buxheti për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore”, tha Fazliu.

Fazliu tha se po bëhen përpjekje që të shtohen kapacitetet operative përfshirë numrin e sallave. Në këtë pikë, edhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, tha se po bëhen reforma dhe se do të përmirësohet me ligj edhe komunikimi i stafit mjekësor me pacientët.

“Jemi në vazhdën e reformave, nënkupton edhe financimi i qëndrueshëm për të gjitha shërbimet të cilat janë të nevojshme. Mënyrën e komunikimit me pacientë duhet me pas të rregulluar më një kod moral etik, dhe unë do ta mbroj secilin pacient ashtu sikur e kam mbrojtur një mjek të cilit i denigrohet integriteti i tij”, tha Ismaili.

Ismajli këtë zotim e dha në Kuvendin e Kosovës. Ndryshe të dhënat e Qendrës Terciare përfshirë spitalet rajonale , flasin se gjatë vitit të shkuar janë kryer mbi 40 mijë ndërhyrje kirurgjikale.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme