Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia zhvilloi sot takime të ndara me krerët e bashkësive fetare në Kosovë, respektivisht me Myftiun e Bashkësisë Islame në Kosovë, Naim Tërnava dhe me Ipeshkvin e Kishës Katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji.
Në takimin me kreun e Bashkësisë Islame, Myftiun Naim Tërnava ministri Vitia e njoftoi për së afërmi me masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë për mbrojtjen e shëndetit publik.
“Pavarësisht se deri më tani, fatmirësisht, në vendin tonë nuk kemi ende asnjë rast të konfirmuar, jemi në gjendje gatishmërie. Janë marrë një seri e masave preventive ndaj virusit të panjohur deri më tani, Covid-19”, tha ndër të tjera ministri Vitia.
Në këtë takim u tha se është obligim moral, kombëtar dhe fetar i gjithsecilit që të jep kontributin për tejkalimin e kësaj gjendjeje, e cila paraqet shqetësim për të gjitha vendet.
Myftiu Naim Tërnava deklaroi se Bashkësia Islame e Kosovës tashmë ka bërë thirrje publike që të përfillen nga qytetarët të gjitha masat e paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës për arsye se, sipas tij, ruajtja e shëndetit është obligim edhe fetar, po aq sa ligjor, veçanërisht në rrethana kur rrezikohemi nga sëmundje të panjohura.
Ai tha se Bashkësia Islame e Kosovës do të angazhohet për të kontribuar në ruajtjen e shëndetit publik dhe ofroi mbështetjen dhe gatishmërinë për të vënë kapacitetet e tyre në shërbim të vendit për tejkalimin e situatës.
Problemet që është duke i shkaktuar koronavirusi dhe masat preventive ishin kryetemë edhe në takimin midis Ministrit të Shëndetësisë Arben Vitia dhe Ipeshkvit të Kishës Katolike në Kosovë, Imzot Dodë Gjergji.
Në këtë takim, Imzot Dodë Gjergji shprehu gatishmërinë e Kishës Katolike për të kontribuar për tejkalimin e kësaj situate si dhe e njoftoi ministrin Vitia për masat e ndërmarra deri më tani. Njëkohësisht, ai u shpreh se janë duke e përcjellë me vëmendje çdo vendim qeveritar për tejkalimin e kësaj situate. Gjithashtu, shprehu edhe gatishmërinë që të kontribuojnë për tejkalimin e gjendjes me të gjitha kapacitetet që kanë në dispozicion, pasi që, siç deklaroi ai, jeta e njeriut është primare dhe qëllimi i kishave është t’i shërbejnë jetës. /arbresh.info/
Drejtësia tranzicionale dhe adresimi i krimeve të luftës, Ha...
Lansohet pilotimi i Programit të Kuponëve, Nagavci: Një risi...
Nisin pushimet për punonjësit e shtetit, ky është kalendari ...
PSG dhe West Ham në negociata për transferimin e Soler në Pa...
Kurti: Përfshirja e fëmijëve në edukim, mundësi për punësim ...
Sekuestrohen 12 armë zjarri në rajonin e Prishtinës