Vitia paralajmëron masa ndëshkuese për qytetarët që nuk respektojnë rregullat

20:41 | 29 Mars 2020
Arbresh Info

Pas vendosjes së orarit të ri të kufizimit të lëvizjes nga Qeveria në detyrë e Kosovës, nga ora 17:00-06:00, ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë me përpikëri masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19, në të kundërtën do të ketë masa ndëshkuese.

Ai në një shkrim në Facebook thotë se koha e qarkullimit nuk duhet të kuptohet si një hapësirë për t’u grumbulluar dhe rrezikuar shëndetin publik, por kërkon të respektohen masat në fuqi, sipas të cilave, lëvizjet në rrugë duhet të bëhen jo më shumë se dy persona dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët.

“Në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme, mosrespektimi i masave të deritanishme nga personat kushdo, përkundër dëshirës sonë, do të pasohet me shqiptim të gjobave dhe sanksioneve konform legjislacionit në fuqi dhe sidomos Ligjit për parandalimin e Sëmundjeve Ngjitëse”, shkruan ministri Vitia.

Përveç respektimit të masave të sipërpërmendura, ministri Vitia kërkon nga qytetarët të mos dalin pa nevojë, pasi që çdo dalje bart rrezikshmëri të lartë për t’u prekur me koronavirus.

Në Kosovë deri sonte janë konfirmuar gjithsej 94 raste me koronavirus, prej tyre një i vdekur dhe një i shëruar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme