Vitia – komuna e radhës që miraton buxhetin

15:08 | 30 Shtator 2020
M. A.

Kuvendi Komunal i Vitisë, ka mbajtur seancën e gjashtë të radhës, në të cilën janë shqyrtuar një varg pikash të parapara për këtë mbledhje, ndër të cilat edhe ajo e projekt buxhetit të komunës së Vitisë për vitin 2021-2023.

Drejtori për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim Ibrahim Rama, ka paraqitur propozim vendimin e projekt buxhetit për këtë periudhë kohore, duke theksuar se është hartuar me një arsyetim të plotë në bazë të parametrave dhe nevojave të paraqitura si prioritare.

“Në bazë të këtij projekt buxheti, për vitin 2021, buxheti komunal do të jetë 12.490.686 euro, ndërsa shuma e grantit qeveritar është 11,629,436 euro, kurse të hyrat vetanake 861,250 euro. Buxheti i komunës së Vitisë si tërësi, ka shënuar rritje të buxhetit në vitin 2021 prej 185,195 euro apo, për 1.5%, nga ai i këtij viti”, tha drejtori Rama.

Këshilltarët nga opozita, paraqiten vërejtje se në këtë projekt buxhet nuk i është dhënë hapsirë të mjaftueshme investimeve në ujë të pijshëm, ndërkaq kanë kërkuar që të investohet më shumë në shëndetësi e arsim, të definohen projektet më në detaje dhe vërejtje të tjera. Pas debatit që u zhvillua rreth projekt buxhetit, u hodh në votim nga kryesuesi i Kuvendit Naim Pira dhe kjo u votua me shumicë votash të këshilltarëve.

Asambleistët nga radhët e VV-së, para se të votohej buxheti kërkuan që të ketë debat lidhje me këtë pikë dhe për shkak të paknaqësisë, lëshuan seancën.

Vitia është komuna e radhës e cila ka miratuar buxhetin pas Ferizajt, Malishevës, Gjilanit, Lipjanit, Shtimes dhe Podujevës.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme