Vitia: Humbëm një paciente nga koronavirusi, tre të tjerë në rrezik të lartë

23:31 | 8 Prill 2020
Arbresh.info

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia i ka shprehur ngushëllime familjes së pacientes 66-vjeçare nga Malisheva, e cila ndërroi jetë sonte si pasojë e koronavirusit, duke u bërë kështu viktima e gjashtë në total në Kosovë.

Vitia ka thënë se mjekët infermierët, laborantët e epidemiologë janë duke bërë gjithçka për të shpëtuar jetë, ndërsa ka treguar se edhe tre pacientë janë në gjendje kritike.

“Sonte në betejë me virusin corona e humbëm dhe një paciente, grua, nënë, motër, qytetare e jona.
Ngushëllime familjes dhe të afërmeve të tyre me pikëllim. Mjekët e infermierët, laborantët e epidemiologët janë duke bërë gjithçka që ka kapacitet qenia njerëzore për të shpëtuar jetë. Por edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike e në rrezik të lartë”, ka shkruar Vitia në facebook.

Ai poshtu u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes maksimal duke shtuar se nuk do të ketë aspak mirëkuptim për persona që dalin pa arsye madhore.

Postimi i plotë:

Shumë të dashur bashkëqytetarë të vendit tonë
Të nderuara gra e vajza, djem e burra të Republikës sonë
Sonte në betejë me virusin corona e humbëm dhe një paciente, grua, nënë, motër, qytetare e jona.
Ngushëllime familjes dhe të afërmeve të tyre me pikëllim.
Mjekët e infermierët, laborantët e epidemiologët janë duke bërë gjithçka që ka kapacitet qenia njerëzore për të shpëtuar jetë.
Por edhe tre pacientë të tjerë janë në gjendje kritike e në rrezik të lartë.

Çdonjeri prej jush ka shumë detyrime në jetë. Prej atyre që nuk e ndalin dot punën e deri tek ata/ato që furnizojnë dhe i shërbejnë familjes. Ju mirëkuptojmë pa dyshim por ju thërrasim për kujdes të JASHTËZAKONSHËM kur dilni dhe kur ktheheni në shtëpi.

Ju lutem!
ZERO mirëkuptim për këdo që këto ditë të vështira, po del nëpër qytet a fshat pa arsye madhore, për ata që po i vijojnë vizitat si mysafirë tek te afërmit, apo ata të cilët praktikisht po e lenë në bast jetën e tyre dhe të familjes së tyre.
Le të mos luajmë me rrezikun e cenimit të shëndetit personal e kolektiv. Mbrojtja e jetës është detyrë mbi detyrat. Nuk na falet që me shkujdesje ta cenojmë.

QËNDRONI NË SHTËPI
QËNDRONI NË SHTËPI
QËNDRONI NË SHTËPI

RUANI DISTANCAT
MBANI HIGJENËN
MENDOHUNI SHUMË PARA SE TË MERRNI VENDIMIN PËR TË DALË NGA SHTËPIA DHE MOS THIRRNI MYSAFIRË NË SHTËPI./arbresh.info

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme