Viti 2017 ishte vit sfidues për të gjithë qytetarët të cilët u përballën me katër muaj mungesë institucionesh.
Mungesa e formimit të institucioneve shkaktoi probleme edhe për pensionet e veteranëve të luftës të cilët për pothuajse më shumë se tre muaj nuk arritën që t’i marrin këto të fundit, shkruan arbresh.info.
E, gjithë kjo si pasojë e mos rishikimit të buxhetit në Kuvendin e Kosovës për vitin 2017.
Për të mbuluar këtë skemë pensionale, Qeveria Haradinaj kishte ndarë në muajin shtator 26 milionë euro.
Për këta muaj veteranët kishin bërë shumë ankesa në drejtim të Qeverisë dhe Kuvendit duke thënë se po u bëhet padrejtësi dhe se premtimet e dhëna nga institucionet e vendit, po dalin të jenë të pavërteta.
Madje, gjatë kësaj kohe kishin thënë se gjendja e shokëve të tyre është aq e vështirë sa që po vetëvriten çdo ditë.
Të gjitha këto probleme bënë që më 9 tetor, dhjetëra veteranë të luftës së UÇK-së, të protestojnë para objektit të Qeverisë duke kërkuar pensionet e tyre e për të cilët thanë që nuk i kanë marrë që tre muaj.
Në këtë protestë veteranët madje kanë kërkuar nga Qeveria që të mos filloj implementimi i Ligjit për kategorizimin e veteranëve. Por, kësaj proteste nuk iu kishte bashkuar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Gucati, vazhdimisht deklaronte se pa u bërë aprovimi i rishikimit të buxhetit për vitin 2017, veteranët nuk mund të marrin pagat e tyre, edhe pse sipas tij pagat ishin të siguruara deri në janar të vitit 2018.
“Për pa dalë në parlament buxheti me u aprovu pagat nuk mund të dalin, por pagat janë ndarë për veteran deri në janar. Por, rishikimi i buxhetit nuk ka dalë në parlament për me u aprovu dhe për këtë arsye ka ngecë që ne nuk kemi mujt me i marrë pagat, por ato janë të siguruara deri në muajin janar”, kishte thënë Gucati.
Ai kishte thënë se kanë fjalën e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ministrit të financave Bedri Hamza se pagat do të dalin shumë shpejt.
Më 31 tetor deputetët e Kuvendit të Kosovës me 61 vota për, 15 abstenime kanë miratuar Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 05/L-125 për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2017.
Miratimi i këtij ligji i hapte dyert edhe pagesës së pensioneve të veteranëve.
Miratimin e këtij ligji e kishte mirëpritur edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati.
Ai kishte deklaruar për arbresh.info se beson dhe shpreson se me miratimin e plotësim ndryshimit të projektligjit për vitin 2017 më nuk do të ketë probleme me pensione.
“Ne e kemi mirëpritur miratimin e buxhetit për 2017 që ka kaluar, tash 26 milionë janë nda për veteranë deri në janar, tani në janar është buxheti për vitin 2018 por për këta katër muaj pagat janë të garantuara, tash do t’i marrim në mënyrë retroaktive për tre muaj njëherë dhe nuk kemi problem. Nuk e besoj se do të ketë problem. Është e mirëseardhur, disa veteranë më thirrën menjëherë pas miratimit të buxhetit që i janë gëzuar dhe e kanë mirëprit”, kishte thënë Gucati për arbresh.info.
Me miratimin e plotësim ndryshimit të projektligjit për vitin 2017, në Ministrinë e Financave kishin deklaruar për arbresh.info se pensionet e veteranëve do të dalin pasi që presidenti i vendit, Hashim Thaçi do të dekretoj këtë të fundit.
“Jemi në pritje që rishikimi i buxhetit të dekretohet nga Presidenti i Kosovës”, kishte thënë Muharrem Shahini, drejtor në Zyrën për komunikim me publikun në Ministrinë e Financave.
Më tetë nëntor kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kishte pritur në zyrën e tij përfaqësuesit e veteranëve të luftës së UÇK-së, ku edhe i njoftoi këta të fundit se brenda dy ditësh pensionet do t’i kenë në xhirollogaritë e tyre.
Ai në këtë takim po ashtu iu premtoi veteranëve se vitin e ardhshëm nuk do të kenë probleme të këtij lloji.
Më 10 nëntor presidenti Hashim Thaçi dekretoi Ligjin për Buxhetin me plotësimet dhe ndryshimet e tij.
“Riorientimi i mjeteve i bërë me rishikimin buxhetor synon zhvillim më të qëndrueshëm dhe stabilitet makroekonomik”, kishte thënë presidenti Thaçi.
Dekretimi nga presidenti ndodhi në orët e paradites, ndërsa në orët e pasdites Ministria e Financave kishte njoftuar se gjatë ditës kishte bërë ekzekutimin e pagave për këtë kategori.
Shuma e përgjithshme e transferit të mjeteve financiare kishte përfshirë edhe pagesën retroaktive për muajin gusht, shtator dhe tetor të vitit 2017.
Një veteran i luftës merr një pension prej 170 euro në muaj. Nga kjo kategori përfitojnë rreth 33 mijë veteran./J.Zhuniqi/arbresh.info/
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...