Viti i ri shkollor nis me vonesë në dy shkolla në Prishtinë

08:25 | 3 Shtator 2018
Arbresh.info

Dy shkolla fillore në kryeqytet, “Elena Gjika” dhe “Pavarësia”, nuk do të fillojnë vitin e ri shkollor të hënën për shkak të renovimeve të papërfunduara.

Lajmin e ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, Jonuz Salihaj, drejtor i arsimit në Komunën e Prishtinës, i cili tha se këto dy shkolla do të fillojnë mësimin 10 ditë me vonesë.

“Për Elena Gjikën kemi pasur disa probleme, është dashur të bëjmë investim 200 mijë euro për shkak të renovimeve. Elena Gjika është objekt i mbrojtur, na kanë penguar 10 ditë duke na vonuar lejen për renovim, prandaj është bërë vonesa”.

“Sa i përket shkollës “Pavarësia” kemi pasur kërkesa të shumta të nxënësve për shkak se është rritur numri i paraleleve të reja, është dashur të shtojmë edhe tri klasa dhe një kabinet”, tha Salihaj.

Salihaj shtoi se ditët e humbura të mësimit do të zëvendësohen deri në fund të vitit shkollor.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme