Viti i marrëveshjes së madhe të Washingtonit

21:02 | 31 Dhjetor 2020
Arbresh.info

Viti 2020 ishte vit i zhvillimeve dramatike e politike në dialogun Kosovë-Serbi.

Me ndërmjetësimin e presidentit amerikan Donald Trump më 4 shtator u arrit një moment që shumëkush e quajti historik.

Në Shtëpinë e Bardhë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuciq  nënshkruan secili veçmas një dokument me 16 zotime për normalizimin ekonomik mes të dyja vendeve.

Kumbarë i kësaj ujdie ishte emisari presidencial për dialogun, Richard Grenell.

Në mesin e pikave të akordit ishte nga moratoriumi që Kosovë të ndal për një vit aplikimin për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe Serbia të ndal fushatën e çnjohjes së pavarësisë së shtetit që nuk e njeh.

Pastaj fizibiliteti i liqenit të Ujmanit që duhet të bëhet nga departamenti amerikan i energjetikës e deri te pika e njohjes reciproke Kosovë-Izrael.

Më së shumti marrëveshja e 4 shtatorit përmban zotime për realizimin e lidhjes infrastrukturore përmes hekurudhës, ajrit dhe rrugës në relacionin Prishtinë-Beograd.

Në ditën e fundit të  vitit 2020 kryeministri tashmë në detyrë, Avdullah Hoti nënshkroi marrëveshje me ambasadorin amerikan Philip Kossnet për nxitjet e investimeve amerikane.

“Kjo marrëveshje që e nënshkruam sot derivon nga ajo e 4 shtatorit gjithë ata që kanë kritikuar këtë marrëveshje të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë tash po i shohin përfitimet që i kemi” tha Hoti të enjten paradite.

E sa për dialogun e ndërmjetësuar nga evropianët situata ngeli në vend-numro.

U mbajtën dy takime të nivelit të lartë Hoti-Vuciq me ndërmjetësim të emisarit për dialog Miroslav Lajcak dhe shefit të diplomacisë së BE-së, Jozef Borell.

Dhjetëra rrethe bisedimesh kishte edhe në nivel ekspertësh por asnjë marrëveshje nuk u arrit.

Nga Bashkimi Evropian mbeten me shpresë se për Vit të Ri 2021, palët të gjejnë pajtimin ligjërisht –obligativ.

Por në Prishtinë e Beograd, qëndrimet janë fortë larg me njëra tjetrën.

Pala kosovare thotë se marrëveshje ka vetëm me njohje të ndërsjellë kurse nga ajo serbe thjesht kanë deklaruar se finalja duhet të prodhojë kompromis por assesi njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Serbisë.

Të ngjashme